Duda Balje për kalimin e mundshëm në LDK: Nuk di çfarë vjen, por për bashkëpunim jam

Aktuale

Duda Balje për kalimin e mundshëm në LDK: Nuk di çfarë vjen, por për bashkëpunim jam

Më: 5 tetor 2022 Në ora: 00:01
Deputetja e Grupit Parlamentar 6+, Duda Balje

Deputetja e Grupit Parlamentar 6+, Duda Balje, ka deklaruar se kohëve të fundit ka shumë mospajtime me Qeverinë e Kosovës, ku edhe bën pjesë në koalicionin qeverisës.

“Kohëve të fundit unë kam dalë kundër qeverisë disa herë, nuk jam kundër qeverisë por se nuk mendoj sikur ta në disa raste. Për bashkëpunim duhet me gjetë një mes dhe të ketë respekt”.

Balje, në Edicionin Special, foli edhe për një kalim të mundshëm në Grupin Parlamentar të LDK-së, teksa ditë më parë takoi edhe të parin e partisë, Lumir Abdixhiku.

Deputetja thekson se nuk e di se çfarë sjellë e ardhmja, veçse është gjithmonë për bashkëpunim me LDK-në si partinë më të vjetër në vend që thotë se e respekton shumë.

“E kam takuar Abdixhikun bashkë me partinë time, bile kemi pas takim shumë të mirë dhe konstruktiv ku kemi diskutuar për problemet me të cilat po përballet vendi. Unë e respektoj LDK-në shumë si partinë më të vjetër në Kosovë dhe si komunitet me ta kemi kaluar gjithmonë mirë në qeveritë të cilat ka udhëhequr LDK-ja”.

“Çdo herë kemi pasur një bashkëpunim shumë të madh, në këtë moment nuk mund të dalë ndonjë deklaratë a përfundim, por ne si komunitet çdo herë duhet të kemi bashkëpunim me ndonjë parti më të fuqishme për të plotësuar pasi ne në shumicën e rasteve nuk kemi hapësirë për të funksionuar”.

“Çka mundet me ndodhë në kohën që vjen nuk jam e sigurtë, por për bashkëpunim jam gjithmonë. Nuk kemi biseduar për kalim në grupin parlamentar të tyre, por kemi diskutuar për bashkëpunim” tha Balje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat