Udhëheqësi delirant rus Putini kërcënon me sulme bërthamore / A duhet të përgatiten shqiptarët në rast të shpërthimit?!

Aktuale

Udhëheqësi delirant rus Putini kërcënon me sulme bërthamore / A duhet të përgatiten shqiptarët në rast të shpërthimit?!

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 5 tetor 2022 Në ora: 17:50
Raketat bërthamore ruse

Bota perëndimore është më e alarmuara nga përshkallëzimi i luftës në Ukrainë. Për dallim nga ne dhe vendet tjera, kjo ndodhë për disa fakte besoj kryesore.

Të motivuar

1. Vendet e tyre janë duke e hequr barrën kryesore materiale, por edhe ushtarake, që Ukrainë jo vetëm e ndali sulmin rus, por me kohë është duke i shkaktuar aq dëme ushtrisë ruse, sa që ajo e ballafaquar me humbje të vazhdueshme në terren, po rrezikon seriozisht humbjen e fuqisë së jashtëzakonshme ushtarake që e kishte. Kjo do të çojë pashmangshëm në humbjen e luftës në Ukrainë.

Udhëheqësi delirant rus, Vladimir Putin i ndërtuar me idetë krimogjene ruse, pavarësisht dhunës, terrorit dhe gjenocidit që e ushtroi në Ukrainë, që nga pushtimi i këtij viti, por edhe nga lufta për Krimenë dhe rajonet aktuale, që i mban të pushtuara, ku kishte financuar e ndihmuar luftën separatiste, e ka rikthyer retorikën e kërcënimit të përdorimit të armëve bërthamore;

2. Vendet e tyre janë edhe më të ekspozuara për shkak të dëmtimit të mirëqenies dhe rehatisë së arritur prej dekadash dhe shekujsh, dhe shpresës apo iluzionit se në shekullin e 21-të nuk mund të ketë luftëra në Evropë; dhe

3. Po vendet e tyre do të jenë që do ta marrin përsipër, nëse do të ndodhë shpërthimi bërthamor, ballafaqimin e armatosur nëpërmjet NATO-s apo si aleancë e zgjeruar kundër Rusisë, por edhe rindërtimin pas luftës.

Në këtë rast, pra edhe vetë qytetarët perëndimor janë më të motivuar, por edhe vetë shtetet më të kujdesshme për qytetarët e tyre.

Rrezikun apo frikën se Putini mund të urdhërojë përdorimin e armëve bërthamore, e ka shtuar edhe shfaqja kërcënuese e diplomatëve rusë, të cilët, po e akuzojnë SHBA-në për përfshirje në konfliktin e Ukrainës, armët e së cilës po vlerësohet se i kanë krijuar Ukrainës përparësi në luftë, duke i mundur forcat ruse.

“Vendimi i SHBA-së për të dërguar më shumë ndihmë ushtarake në Ukrainë “rrit rrezikun e një përplasjeje të drejtpërdrejtë ushtarake” midis Rusisë dhe Perëndimit, ka paralajmëruar Moska”, shkruan BBC.

Sipas raportimeve në media ndërkombëtare, ambasadori i Rusisë në SHBA, Anatoli Antonov, e ka vlerësuar SHBA-në si "një pjesëmarrëse në konflikt".

SHBA-ja së fundi ka dhënë edhe një ndihmë tjetër ushtarake prej 625 milionë dollarësh për Ukrainën, nga ndihma e përgjithshme që vlerësohet në rreth 17 miliardë dollarë.

Në anën tjetër mediat rozë, por edhe ato tradicionale perëndimore, si dhe ish-gjeneral e ish-udhëheqës shërbimesh sekrete, të SHBA-së dhe vendeve tjera, vlerësojnë se rreziku apo pritshmëritë janë rritur, se Putini mund të urdhërojë përdorimin e bombave taktike bërthamore.

Një shpërthim i tyre, rrezikshmëria varet edhe nga numri i atyre armëve që do të mund të përdorë Rusia, dhe pasojat janë sidomos gjatë valëve të para goditëse, pasoja katatrofale në dhjetëra kilometra vijë ajrore, por ndotja dhe rrezatimi nga tymi dhe retë, nuk dihet se sa larg mund të arrijnë, pavarësisht të reduktimit të rrezikut me rritjen e largësisë.

Ukraina në anën tjetër ka vazhduar ofensivën dhe tashmë ka filluar t’i vë nën kontroll disa pjesë të territoreve, për të cilat Rusia e shpalli aneksimin.

Por, Rusia është zotuar sot, se do t’i rikthejë territoret që kishte nën okupim, ndërkohë që ka raportime se Putini, ka filluar të fshihet në bunkerë antibërthamore, dhe se janë përgatitur listat me zyrtarë më të rëndësishëm dhe familjarët që mund të fshihen në rast të urdhërimit të sulmit.

Në rast të urdhërimit të sulmit, ushtarakë amerikan në pension dhe të tjerë, paralajmërojnë se Rusia do të ballafaqohet me sulm masiv nga NATO-ja dhe SHBA-të, ndaj ushtrisë ruse.

Ekonomitë perëndimore më të zhvilluara tashmë janë në recesion apo pritet të hyjnë deri në fund të vitit me thellimin e krizës nga lufta në Ukrainë.

Për perëndimorët duket një lajm i mirë, që ekonomia kineze të shkojë drejt tkurrjes, kjo sipas ekonomistëve për shkak të krizës dhe ballafaqimit me Covid 0, siç e quajnë ata, që ka çuar në mbyllje të shumë fabrikave, ulje të prodhimit, por edhe për shkak të përplasjes ekonomike me SHBA-në dhe perëndimin.

A duhet reagim preventiv për shëndetin

Vendet e zhvilluara perëndimore, edhe në ditët e para të sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, i kishin këshilluar qytetarët e tyre për marrjen e disa masave preventive në rast të ndonjë sulmi bërthamor nga Rusia.

Së fundi, një mik imi që erdhi nga një vend perëndimor më tha se familjari i tij, që jeton në Perëndim, i kishte dhënë me vete, një pako ilaçesh, me përmbajtje jodi. "Më tha merre ta kesh për çdo rast. Nuk i dihet, neve na kanë këshilluar t’i blejmë këto dhe ti pimë në rast se merret vesh se Rusia i përdori armët bërthamore kundër Ukrainës”, thotë N.N., emrin e të cilit nuk duam ta bëjmë publik me kërkesë të tij.

Sipas këtij udhëzimi është më se e nevojshme të merret ai ‘ilaç‘, meqë nuk dihet se sa larg mund të ndihen pasojat e rrezatimit.

Pra, çështja është nëse duhet dikush në Kosovë, ndonjë institucion të krijojë një mënyrë komunikimi apo të këshillojë qytetarët se si të mbrohen minimalisht, në rast të një shpërthimi armësh bërthamore, të kufizuar, me përdorim të armëve taktike nukleare nga Rusia.

Askush nuk e ka në duar orëmatësit së prapthi, por nëse në disa shtete perëndimore, është këshilluar një reagim minimal, në mbrojtje të shëndetit, dhe që me shumë gjasë ndodhet më larg pikëshpërthimeve të hamendësuara se sa territoret shqiptare, atëherë pse ne të mos dimë të reagojmë, qoftë me sigurimin e një sasie jodi, në formë tabletash, që shpresohet se rrit mbrojtjen nga rrezatimi nuklear apo nga mënyrat e ndikimit të tij.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat