LVV dorëzon kallëzim penal ndaj dy drejtorëve komunal në Prizren

Aktuale

LVV dorëzon kallëzim penal ndaj dy drejtorëve komunal në Prizren

Më: 6 tetor 2022 Në ora: 16:48
Foto ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje, Dega në Prizren, sot ka dorëzuar kallëzim penal ndaj dy drejtorëve komunal, Çelë Lamajt, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Islam Ukajt, drejtor i Drejtorisë së Inspektoriateve në Komunën e Prizrenit.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se kallëzimi ka të bëjë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

LVV deklaron se Partia Demokratike e Kosovës është duke respektuar ligjet dhe rregullat në fuqi.

“Në maj të këtij viti, partia në pushtet kishte nisur asfaltimin e rrugës së Unazës së Parë të Qytetit të Prizrenit. Punimet kanë filluar qysh atëherë por ende nuk janë kryer në tërësi, sepse nuk kishte projekt detajues dhe leje ndërtimore, duke mos u pajisur kështu me pëlqimet dhe lejet e nevojshme, të cilat kërkohen në bazë të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjit për Ndërtim”.

“Kjo unazë ende papërfunduar dhe në disa vende me asfalt të dëmtuar edhe pse i vendosur rishtas, ishte promovuar me pompozitet edhe nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, zyrtarë të shumë partiak të PDK-së dhe zyrtarë komunal të Komunës së Prizrenit. Kryerja e punimeve në këtë formë, në kundërshtim me ligjet, ka edhe pasoja financiare për taksapaguesit prizrenas”, thuhet në njoftim.

Tutje, LVV thekson se pas gjithë këtyre zhvillimeve janë të bindur që qeverisja komunale, respektivisht drejtorët në fjalë, nuk kanë respektuar ligjet në fuqi lidhur me Qendrën Historike të Prizrenit. Sipas tyre, është dëmtuar ajo zonë e qytetit që mbrohet me ligj të veçantë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat