​Abdixhiku-mësimdhënësve: Ju garantoj që pagat tuaja do të jepen

Aktuale

​Abdixhiku-mësimdhënësve: Ju garantoj që pagat tuaja do të jepen

Më: 7 tetor 2022 Në ora: 11:51
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin e qeverisë për mos-ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit grevistë. Ai ka thënë se qeveria ka ndërhyrë në kompetencat e komunave andaj do të përdorin rrugët ligjore për të ndryshuar këtë vendim që sipas tij është i turpshëm dhe jo ligjor. Në seancën e Kuvendit të Kosovës, kreu i LDK-së ka thënë se kryeministri Albin Kurti po kërkon krizë dhe sipas tij ka për qëllim hakmarrjen ndaj mësimdhënësve.

Duke u drejtuar mësimdhënësve, Abdixhiku ka thënë se pagat do të ekzekutohen.

Abdixhiku: LDK do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit

“Të dashur mësimdhënës, ju garantoj që pagat e juaja do të jepen, ato do të paguhen herët apo vonë, merri këtë si zotim timin dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Deri atëherë, ne do të përdorim çdo rrugë ligjore dhe institucionale për të ndërprerë padrejtësinë e këtij pushteti, prandaj LDK për shkeljen e rëndë të këtij pushteti, për ndërhyrje në kompetenca që nuk i takojnë do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe me këtë do të rrënojmë edhe vendim të turpshëm, jo human jo ligjor të qeverisë së Kosovë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se kjo është beteja e Albin Kurtit ndaj mësimdhënësve.

Abdixhiku: Beteja e Albin Kurtit ndaj mësimdhënësve me 400 euro pagë

“Kjo është beteja e Albin Kurtit sot në Kosovë, ndaj kujt, 25 mijë mësimdhënësve, 25 mijë familjeve kosovare me 400 euro rrogë. Lider shembull, par ekselancë. Kjo zvogëlsi e tij prej hakmarrësi ndaj të dobëtit është shenjë e politikës së tij dhe në këtë politikë ai është selektiv, ka paguar gjithë grevistët e tjerë por ka vendosur me vetëdije t’i dënojë vetëm 25 mijë mësimdhënës kosovar”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas kreut të LDK-së, Kurti po kërkon krizë sepse ndryshe nuk di të qeverisë.

Abdixhiku: Albin Kurti po kërkon krizë

“Albin Kurti po kërkon krizë sepse krizën e ka formë të mbijetesës, ai është mësuar të krijojë e të jetojë e mbijetojë në kriza e të rritet me to, pa to nuk di të qeverisë dhe nuk di të bëjë. Dhe kështu krijon dhe armiq e kur nuk janë ata duhet t’i krijojë disi. Por njerëzit e Kosovës janë lodhur me kriza, janë lodhur me beteja të parëndësishme, ky vend nuk ka nevojë për drama të Kurtit e të fanatikëve të tij”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat