Mungon i akuzuari, shtyhet gjykimi për pastrim parash dhe shmangie nga tatimi

Aktuale

Mungon i akuzuari, shtyhet gjykimi për pastrim parash dhe shmangie nga tatimi

Më: 7 tetor 2022 Në ora: 15:01
Foto nga vendi i ngjarjes

Prishtinë – Si rezultat i mungesës së të akuzuarit Muharrem Mavraj është shtyrë shqyrtimi gjyqësor në rastin ku i njëjti së bashku me Ramadan Mavraj, Flamur Mavraj, Xhelal Kastrati, Valdet Muriqi dhe Rexhë Kastrati po akuzohen për pastrim parash e shmangie nga tatimi.

Lidhur me mungesën e të njëjtit, kryetari i trupit gjykues Lufti Shala konstatoi se i akuzuari është ftuar në mënyrë të rregullt mirëpo nuk e ka arsyetuar mungesën e tij sot.

Andaj për seancën e radhës, gjykata do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar prezencën e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përkundër mungesës së të akuzuarit, në seancën e sotme të pranishëm ishin prokurori i shteti dhe të akuzuarit e tjerë me mbrojtësit e tyre.

Në rrethana të tilla, seanca e sotme është shtyrë për datën 1 nëntor të këtij viti.

Ndryshe, aktakuza e ngritur më 21 gusht 2019, ngarkon Ramadan Mavraj dhe Muharrem Mavraj se nga viti 2010 deri në vitin 2017, në vazhdimësi, me dashje dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, pasurinë e fituar me aktivitet kriminal, me qëllim të konvertimit, transferimit, fshehjes së natyrës dhe burimit të pasurisë, kanë kryer deponime dhe tërheqje në para të gatshme, në llogari individuale, kanë pranuar dhe transferuar mjete monetare me përshkrimin “kthim borxhi i deponimeve të viteve të mëhershme”.

Në aktakuzë thuhet se ata kanë pranuar dhe transferuar mjete pa mbulesë, me të cilat mjete kanë blerë prona pa mbulesë financiare.

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pastrim i parave” nga neni 308 i Kodit Penal, lidhur me nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 dhe paragrafi 3, nënparagrafi 1.3 i Ligjit mbi Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. Gjithnjë sipas aktakuzës, Flamur Mavraj, Xhelal Kastrati, Valdet Muriqi dhe Rexhë Kastrati, akuzohen se që nga viti 2010 e deri në vitin 2014 në vazhdimësi, me dashje dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, pasurinë e fituar me aktivitet kriminal, me qëllim të konvertimit, transferimit, fshehjes së natyrës dhe burimit të pasurisë, kanë kryer deponime dhe tërheqje në para të gatshme, në llogari individuale, kanë pranuar dhe transferuar mjete monetare me përshkrimin “huazim ose kthim huazimi”.Të ngjajshme

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pastrim i parave” nga neni 308 i Kodit Penal, lidhur me nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 dhe paragrafi 3, nënparagrafi 1.3 i Ligjit mbi Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Sipas prokurorisë, ata akuzohen se kanë kryer edhe veprën penale “Shmangie nga tatimi”, ashtu që i akuzuari Ramadan Mavraj, nga viti 2010 deri në vitin 2017 në vazhdimësi, në cilësinë e personit përgjegjës të biznesit individual “ALBES” me qëllim të shmangies nga tatimi, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj, nuk ka deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i ka përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tij, ashtu që ka dhënë informata jo të sakta nga veprimtaria e vet afariste, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 63 mijë e 700 euro e 20 centë.

I akuzuari Muharrem Mavraj nga viti 2010 deri në vitin 2017 në vazhdimësi në cilësinë e pronarit të biznesit individual “ALBES” me qëllim të shmangies nga tatimi, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj, nuk ka deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i ka përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tij, ashtu që ka dhënë informata jo të sakta nga veprimtaria e vet afariste, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 334 mijë e 856 euro e 40 centë.

I akuzuari Flamur Mavraj nga viti 2010 deri në vitin 2017 në vazhdimësi, duke qenë i punësuar në biznesin individual “ALBES” me qëllim të shmangies nga tatimi, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj, nuk ka deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i ka përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tij, ashtu që ka dhënë informata jo të sakta nga veprimtaria e vet afariste, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 3 mijë e 333 euro e 60 centë.

I akuzuari Xhelal Kastrati në cilësinë e shitësit të pronës së paluajtshme në vlerë prej 1 milionë e 500 mijë euro, pjesë e tij pronësore prej 10%, me qëllim të shmangies nga tatimi nuk e ka deklaruar këtë transaksion, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 2 mijë e 223 euro e 60 centë.

I akuzuari Valdet Muriqi, në cilësinë e shitësit të pronës së paluajtshme në vlerë prej 1 milion e 500 mijë euro, pjesë e tij pronësore 45%, me qëllim të shmangies nga tatimi nuk e ka deklaruar këtë transaksion, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 28 mijë e 893 euro e 60 centë.

I akuzuari Rexhë Kastrati në cilësinë e shitësit të pronës së paluajtshme në vlerë prej 1 milion e 500 mijë euro, pjesë e tij pronësore 45%, me qëllim të shmangies nga tatimi nuk e ka deklaruar këtë transaksion, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 26 mijë e 733 euro e 60 centë./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat