Deputeti ukrainas flet shqip në AP-në e Këshillit të Evropës: Kosova është Evropë

Aktuale

Deputeti ukrainas flet shqip në AP-në e Këshillit të Evropës: Kosova është Evropë

Më: 11 tetor 2022 Në ora: 12:38
Oleksiy Goncharenko

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, me një fjalim të zëshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i është drejtuar vendeve mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës brenda Këshillit të Evropës që ta ndërmarrin hapin dhe ta njohin Kosovën si shtet.

“Kosova duhet të njihet nga të gjitha vendet e Këshillit të Europës. Për momentin 12 vende nuk e njohin, po ju adresohem juve: Ju lutem, njiheni këtë vend si vend të pavarur… Ata duhet të jenë të ulur këtu me ne, të jenë pjesë e Këshillit të Europës. Vetëm kështu mund të jemi më të fortë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Goncharenko shfrytëzoi sekondat e fundit të fjalimit të tij për të dhënë mesazhin e tij edhe në gjuhën shqipe.

“Kosova është Evropë”.

Ai tha se këtë thirrje e ka bërë edhe në Parlamentin e vendit të tij, i cili vazhdon të mos e pranojë pavarësinë e Kosovës.

Aktualisht, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës është duke debatuar në mbështetje të një perspektive europiane për Ballkanin Perëndimor.

Goncharenko për rajonin tha se duhet të mbështetet dhe të ndërmerren hapa konkretë për ta bërë pjesë të botës së lirë dhe rrjedhimisht të ruhet nga ndikimi i Rusisë. “Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë botën të lirë të gjithë planetin, por duhet të fillojmë me Evropën. Nuk duhet të ketë vrima në hartën e Evropës për një ose një vend tjetër që nuk është pjesë e Evropës dhe projektit europian, në të cilin ne vlerësojmë të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat