Urgjentisht FSK-ja me gjithë arsenalin ushtarak të vendoset në veri / Armatimi special duhet të blihet, fondi të rritet

Aktuale

Urgjentisht FSK-ja me gjithë arsenalin ushtarak të vendoset në veri / Armatimi special duhet të blihet, fondi të rritet

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 7 nëntor 2022 Në ora: 15:01

A duhet FSK-ja të vendoset në gjendje gatishmërie dhe të ketë plan të detajuar operativ për t’u zhvendosur në veri, ku aktualisht nuk është i lejuar veprimi i saj?

Pa dyshim, që institucionet pa hezitim duhet të këmbëngulin tek vendet e KUINT-it, që e drejta kushtetuese është mbi disa marrëveshje të kufizuara në kohë apo me kushte të bëra vite më parë.

Aq më tepër marrëveshjet e atilla të dëmshme për Kosovën, të nënshkruara nga një drejtues shteti, që gjendet i burgosur, nuk mund të kenë legjitimitet.

T’i hiqen kufizimet FSK-së

Pra, ekziston një mundësi, si thuhet në gjuhën juridike, të ushtrohet një barrë e provës, për të dëshmuar, para institucioneve ndërkombëtare, KFOR-it, dhe veçanërisht NATO-s, se njeriu që e bëri atë marrëveshje, pa ndonjë detyrim apo trysni të jashtme, ka ndërmarrë veprime, duke supozuar që do të ishin në interes të tij personal, dhe pa llogaritur se ishin në kundërshtim me Kushtetutën dhe interesin e vendit.

Natyrisht kjo i bie, që ankesa apo e ushtruar në formë kërkese duhet të bëhet nga presidentja e vendit Vjosa Osmani.

Kuptohet edhe Qeveria duhet të vazhdojë të negociojë dhe kërkojë nga vendet aleate, përfshirë Shqipërinë, që një marrëveshje e atillë, siç kemi theksuar edhe më parë, pas luftës pushtuese të Rusisë në Ukrainë, nuk duhet të vlejë. Pra, qoftë nga NATO-ja, qoftë me kërkesë këmbëngulëse nga Kosova do të duhet të hiqej dorë.

Ministri i FSK-së Armend Mehaj, ka lënë të kuptohet se një çështje e tillë po shqyrtohet me KFOR-in, por nuk ka dhënë më shumë informacion në shënimin e tij në tviter.

“FSK-ja është për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Dënojmë veprimet e Serbisë për destabilizimin e vendit tonë! Kosova dhe institucionet e saj janë në shërbim të çdo qytetari dhe veprimet tona janë në koordinim me policinë tonë dhe KFOR-in”, ka shkruar Mehaj.

Pra, ai e konfirmon se FSK-ja është e shqetësuar për sigurinë në veri, dhe se ajo nëse zhvendoset në veri, nuk i diskriminon qytetarët serbë, dhe se kjo do të bëhet në marrëveshje me misionin ushtarak ndërkombëtar, KFOR-in.

Image
Forcat speciale të Shqipërisë

Në këtë situatë Shqipëria mund dhe duhet të kërkojë si vend anëtare e NATO-s, ta dhjetëfishojë praninë ushtarake në KFOR, pra që të ketë së paku rreth 500 ushtarë, shumica nga njësitë elite, dhe t’i vendos në veri të vendit, pikërisht në vijën ekstreme.

Në ndërkohë, nëse lejohet vendosja e FSK-së, e cila në një situatë të caktuar do të duhej të urdhërohej të vendosej nga komandantja supreme Vjosa Osmani, do t’i bashkëngjitej forcave shqiptare në KFOR, në vijën e parë të kufirit, duke mos i dhënë asnjë shans, çfarëdo përpjekje për depërtim të forcave serbe, qoftë paramilitare qoftë elitare!

Fondi dhe blerja e armëve

Kur krisi lufta në Ukrainë, ne shkruanim se Kosova duhej urgjentisht të përgatitej për luftë. Edhe para zyrtarizimit të themelimit të fondit emergjent për mbrojtje, patëm bërë thirrje që të krijohej ai fond. Ndihma nga shqiptarët në Perëndim nuk duhej të mungonte, po ashtu nga biznesmenët e mëdhenj, dhe të gjithë ata që kanë mundësi dhe vullnet për të pasur një ushtri të fuqishme.

Ky fond, veçanërisht nëse FSK-ja do të vendosej në veri, do të mund të rritej shpejt, dhe që me ato para të blihet armatim cilësor.

Me situatën e krijuar, dramaticitetin, që e ka bërë tashmë Serbia, gjërat mund të shkojnë lehtësisht më larg.

Sipas shumë informacioneve dhe pohimeve zyrtare, Serbia ka futur shumë armë në veri. Armët kanë qenë edhe më parë aty, dhe përveç se në ditët e para të pasluftës, kur serbët ikën për shkak se ishin të zhytur në krime ndaj shqiptarëve, ata vazhdimisht u armatosën dhe krijuan grupe të fshehta të organizuara, nën kontrollin e shërbimeve inteligjente serbe.

Nëpërmjet këtyre grupeve të armatosura, ata i mbajtën serbët nën shtrëngim dhe frikë, të bashkuar rreth grupeve, dhe larg institucioneve të Kosovës. Ndaj serbëve që e respektonin shtetin dhe institucionet e Kosovës ishin të pamëshirshëm, duke i rrahur, djegur prona, vetura, stalla e shtëpi, dhe në fund edhe duke i vrarë si Oliver Ivanoviçin, i cili vetë, deri pak viteve para atentatit u takonte atyre grupeve dhe skemave të dhunshme në kontrollin e Beogradit.

Konteksti

Megjithëse shqiptarët aktualisht mund të duken në defensivë për shkak të reagimit të shpejtë të serbëve në veri, duke braktisur institucionet e Republikës së Kosovës, nën bindjen ndaj Serbisë, për t’i vënë institucionet tona para aktit të kryer, se duhet të pranojnë një zgjidhje politike për komunat me shumicë serbe në veri, sipas situatës së re të imponuar, gjendja mund të përmbyset.

Shumë media që dje kanë transmetuar se konflikti Rusi-Ukrainë po zhvendoset drejt Ballkanit, i nxitur nga emisarët e Moskës!

Përmbytja e situatës politike në veri tashmë kërkon përfshirjen e elementeve më të dhimbshme. Pra, ndoshta një konflikt të pashmangshëm, si e vetmja zgjidhje, që mund ta ndryshojë rrjedhën e proceseve.

Sikur të kishte një veprim institucional të fuqishëm, do të kishte qenë zgjidhja në arrestimin e rrjetit kriminal, mbi bazën e të cilit vepron Serbia, sikurse edhe kësaj here. Por, tashmë kjo mundësi do të tingëllonte si abuzim politikë, dhe meqë çështja e ka marrë dhenë.

Përfshirja në konflikt, do ta përmbyste imazhin e arritur përkohësisht të serbëve, pasi ata do të gjendeshin vetëm nën përkrahjen e Rusisë, dhe pritshmëritë janë që Perëndimi të jetë unik pro Kosovës. Duke qenë e rreshtuar Serbia pro Rusisë, ne do të ishim fitues potencialë, dhe në fund Serbia do të nënshkruante një kapitullim të ri, i cili do të çonte në ndryshimin e karakterit të Serbisë dhe vendosjes së demokracisë së vërtetë atje.

Image

Njësia elite e Shqipërisë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat