Kurti flet sërish për zhvillimet në veri, përmend sulmet me bomba, djegiet e veturave, shtëpive dhe kërcënimet - ja kush mbanë përgjegjësi

Aktuale

Kurti flet sërish për zhvillimet në veri, përmend sulmet me bomba, djegiet e veturave, shtëpive dhe kërcënimet - ja kush mbanë përgjegjësi

Më: 9 nëntor 2022 Në ora: 08:23 Përditësuar në ora: 13:53 më 09.11.2022
Qeveria e Kosovës

Këto janë vendimet që mori Qeveria sot

Shumë vendime u morën në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës. I pari votim ishte për Projektligjin për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës.

Kryeministri tha se ky sistem do të mundësojë transparencë më të madhe, pra sipas tij përmes lidhjes me sistemin elektronik për përcjelljen e lëndëve do të sigurojë efikasitet më të madh për llogaridhënie brenda sistemit gjyqësor.

Ministrja e drejtësisë tha se ky sistem mirëmbahet nga Këshilli Gjyqësor, por ministria do të ketë qasje të papenguar në përputhje me mandatin e saj.

Tutje kabineti qeveritar ka votuar edhe udhëzimin i Administrativ për caktimin e Listës dhe Llojeve e Pajisjeve Ndihmëse që ofrohen falas për Personat Paraplegjik dhe Tetraplegjik, që shërbejnë për Lëvizje, Parandalim dhe Asistim, dhe udhëzimi tjetër administrativ për Regjistrimin, Funksionimin dhe Çregjistrimin e Organizatave Joqeveritare që ka për qëllim thjeshtësimin dhe lehtësimin e procedurës së regjistrimit dhe funksionimit të OJQ-ve.

U themelua Komisioni Republikan i Festave që do të përgatisë rregullat dhe mënyrat e festimit të festave zyrtare dhe ditët memoriale.

U bë ndryshimi dhe plotësimi i vendimit për formimin e Grupit punues ndërministror për fushën e lëvizjes së lirë dhe të mallrave, duke emëruar përbërjen e re të këtij grupi, si dhe plotësim ndryshimi i vendimit qeveritar, duke i garantuar Parkut të Novacionit dhe Trajnimeve, ITP në Prizren të drejtën e shfrytëzimit të të gjitha objekteve që gjenden në parcelat e dhëna në shfrytëzim nga Qeveria.

U aprovua vendimi për shitjen e automjeteve zyrtare të cilat janë të papërdorshme dhe jashtë funksionit të Ministrisë së Ekonomisë, nëpërmjet ankandit publik që do të menaxhojë MPB-ja.

Qeveria miratoi Planin Kombëtar të Radio Frekuencave. Votë mori edhe koncept-dokumenti për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor, derisa u themelua edhe Komisioni Ekzekutiv për Digjitalizim në krye me vetë kryeministrin, Kurti.

Në programin legjislativ u shtua Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Energjinë derisa kabineti u informua edhe për zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e MSA-së, korrik-shtator 2022.

Qeveria gjatë mbledhjes së sotme ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar e cila do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve dhe avancimin e FSK-së. Kjo marrëveshje e përbashkët parasheh zbarkimin e trupave të FSK-së me ato të Mbretërisë së Bashkuar.

Nga kursimet e deklaruara, u rialokuan 11.7 milionë euro për tri ministri, atë të Drejtësisë, të Kulturës e të Arsimit për të mbuluar programet, projektet apo obligimet që kanë.

Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 106 të Qeverisë

I nderuar kabinet qeveritar,

Të dashur qytetar,

Punësim dhe drejtësi; është platforma në të cilën ne kemi garuar para qytetarëve dhe që është shndërruar në paradigmën e qeverisjes sonë.

Punësim nëpërmjet investimeve dhe rritjes ekonomike. Drejtësi nëpërmjet sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit. Njëra për tjetrën janë parakushte.

Sundimin e ligjit e kemi përgjegjësi programore por edhe obligim institucional. Ne duam sundim të ligjit, sepse duhet sundim i ligjit. Nuk është zgjedhje. Është detyrim.

Mungesa e tij është kërcënim për të gjithë.

Me këtë kërcënim më së shumti po ballafaqohen bashkëqytetarët tanë në katër komunat në veri të vendit tonë. Presioni dhe sulmet ndaj tyre nga banda e individë kriminal janë vetë dëshmia se çka prodhon mungesa e sundimit të ligjit.

Problemi i tyre nuk janë vendimet tona. As afatet që parashihen në to. 1012 vërejtje janë lëshuar deri sot në mëngjes. Asnjë incident i shënuar dhe asnjë ankesë e regjistruar. Problemi i tyre janë sulmet me bomba, djegiet e veturave dhe shtëpive, trysnitë dhe kërcënimet pa afat nga ata që e kanë problem ligjin.

Ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të Republikës së Kosovës janë ata të cilëve po u pengon ligjshmëria e kushtetushmëria, luftimi i kriminaliteti dhe i korrupsionit në vendin tonë.

Ne jemi qeveri e përgjegjshme. E të gjithëve. Kundër kriminelëve. E përkushtuar për zhvillim, për integrim, për barazi për të gjithë, për respektim të të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe shërbim ndaj qytetarëve pa dallim dhe pa diskriminim.

Republika e Kosovës është shtet demokratik i popullit të lirë. Aleate e zotuar e paqes. Partnere e besueshme e miqve të saj.

Sundimi i ligjit dhe demokracia janë garantuesit më të mirë të sigurisë edhe të paqes. Ato janë vlera dhe orientimi i yni i përbashkët me partnerët dhe miqtë tanë.

Bëj thirrje edhe një herë që të mos bojkotohen dhe të mos braktisen institucionet. Dua të falënderoj bashkëqytetarët tanë serb për pjekurinë e treguar në ruajtjen e qetësisë, paqes dhe të sigurisë.

Zbatimi i MSA-së, Bislimi: Janë zbatuar 369 masa dhe janë miratuar disa projektligje

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë një sërë vendimesh.

Ekzekutivi miratoi Projektligjin për sistemin qendror të evidencës penale dhe përfshiu në agjendën legjislative të këtij viti, plotësim-ndryshimin e Ligjit për energjinë.

Në mbledhjen e sotme, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi informoi kabinetin qeveritar për zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit për periudhën korrik-shtator 2022.

"Në këtë periudhë janë zbatuar 369 masa dhe janë miratuar disa projektligje", ka thënë ai. 

​Kurti u bën thirrje serbëve që të mos braktisin institucionet e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje serbëve të mos bojkotojnë dhe të mos braktisin institucionet e Kosovës. Derisa ka hapur mbledhjen e qeverisë, Kurti ka thënë se studimi i ligjit nuk është zgjedhje por është detyrim dhe sipas tij, mungesa e këtij të fundit është kërcënim për të gjithë.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se presioni dhe sulmet ndaj qytetarëve në katër komunat veriore nga banda e individ kriminal janë dëshmi se çka prodhon mungesa e sundimit të ligjit.

Kurti: Sundimi i ligjit nuk është zgjedhje, është detyrim

“Ne duam sundim të ligjit sepse duhet sundim i ligjit, nuk është zgjedhje është detyrim. Mungesa e tij është kërcënim për të gjithë me këtë kërcënim më së shumti po ballafaqohen bashkëqytetarët tanë në katër komunat veriore. Presioni dhe sulmet ndaj tyre nga banda e individ kriminal janë vetë dëshmia se çka prodhon mungesa e sundimit të ligjit. Problem i tyre nuk janë vendimet tona, e as afatet që parashihen në to. 1 mijë e 12 vërejtje janë lëshuar deri në mëngjes, asnjë incident e asnjë ankesë. Problemet e tyre janë sulmet me bomba, djegiet e veturave dhe shtëpive, trysnitë dhe kërcënimet pa afat nga ata që e kanë problem ligjin”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se atyre që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve po u pengon ligjshmëria dhe luftimi i kriminalitetit dhe korrupsionit.

Kurti: Bëj thirrje që të mos bojkotohen dhe të mos braktisen institucionet e Kosovës

Ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të Kosovës, janë ata të cilëve ju pengon ligjshmëria e kushtetueshmëria, luftimi i kriminalitetit dhe korrupsionit. Ne jemi qeveri e përgjegjshme e të gjithëve, kundër kriminelë, e përkushtuar për zhvillim, për barazi për të gjithë për respektim të të drejtave të njeriut dhe shërbim të qytetarëve pa dallime diskriminim. Republika e Kosovës është shtet demokratik i popullit të lirë, aleatë e zotuese e paqes, partnere e besueshme e miqve të saj…Bëj thirrje dhe njëherë që të mos bojkotohen të mos braktisen institucionet e Kosovës”, ka përfunduar ai. 

Dalja e serbëve nga institucionet e Kosovës ndodhi pas shkarkimit nga detyra të drejtorit të policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, për shkak se ai refuzoi zbatimin e vendimit të Qeverisë për konvertimin e targave ilegale në ato RKS.

Deri më tash, serbët që kanë konvertuar targat janë përballur me djegie të veturave. Rasti i fundit i tillë ka ndodhur dje në Zveçan.

Nga 1 nëntori, Qeveria e Kosovës ka filluar zbatimin e planit për riregjistrimin e automjeteve të lëshuar nga Serbia për qytetet e Kosovës. Bëhet fjalë kryesisht për targat KM (Mitrovica e Kosovës) dhe plani është që ato të konvertohen në targa RKS, përmes tri fazave.

Haxhiu: Në Sistemin Qendror të Evidencës Penale, do të ketë qasje MD-ja

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur për Projektligjin për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës, i cili u miratua në Qeverinë e Kosovës.

Ministrja Haxhiu në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, tha se ky sistem mundëson transparencë më të madhe në sistemin gjyqësor.

“Është në përputhje me programin e qeverisë dhe është rezultat i një analize të gjerë të Ministrisë së Drejtësisë. Për herë të parë çështja e evidencës penale do të rregullohet me një ligj të veçantë”, tha Haxhiu.

Ky ligj rregullon sistemin qendror të evidencës penale të Republikës së Kosovës, krijimin e mekanizmave strukturor institucional të sistemit, mirëmbajtjen dhe lëshimin e të dhënave, si dhe procedurën për rehabilitimin e personave të dënuar dhe qasjen në këto informata, përfshirë edhe afatet përkatëse kohore”, tha tutje ajo.

Ajo tha se Ministria e Drejtësisë do të ketë qasje në Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës.

Qeveria e miraton Projektligjin për Sistemin Qendror të Evidencës Penale

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës.

Me këtë rast, Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se ky sistem mundëson transparencë më të madhe në sistemin gjyqësor.

Ky sistem do të mundësojë transparencë më të madhe. Përmes lidhjes në sistemin elektronik do të sigurojë efikasitet më të madh për llogaridhënie në sistemin gjyqësor. Ky sistem mirëmbahet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe siguron qasje të plotë në Ministrinë e Drejtësisë. Do të mundësojë shkëmbim më të lehtë të dhënave”, tha ai.

Qeveria themelon Komisionin Republikan të Festave

Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar Projekt-udhëzimin Administrativ për caktimin e Listës dhe Llojeve e Pajisjeve Ndihmese që ofrohen falas për Personat Paraplegjik dhe Tetraplegjik, që shërbejnë për Lëvizje, Parandalim dhe Asistim.

Kryeministri Albin Kurti para kabinetit qeveritar tha se ky komision do të përgatis rregullat dhe mënyrat e shënimit të festave zyrtare si dhe ditëve memoriale.

Komisioni do të ketë këtë përbërje: Zyra e Kryeministrit kryesues, Ministria e Punëve të Brendshme anëtar, Ministria e Drejtësisë anëtar, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal anëtar, Ministria e Financave anëtar, Ministria e Arsimit anëtar, Ministria për Komunitete dhe Kthim anëtar, Ministria e Ekonomisë anëtar, përfaqësues dhe Presidenca dhe Kuvendi i Kosovës anëtar.

Në mesin e pikave të rendit të ditës ishte themelimi i Komisionit Republikan të Festave.

Po ashtu, është votuar propozim-vendimi për shitjen e automjeteve zyrtare që janë të papërdorshme dhe jashtë funksionit të Ministrisë së Ekonomisë.

Një tjetër pikë që u votua ishte Projektligji për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës.

Ndërkaq, ka votuar propozim-vendimin për themelimin e komisionit Ekzekutiv për Digjitalizim.

Ministria e Ekonomisë do të shesë disa automjete, Qeveria vendos të hapet ankand

Qeveria e Kosovës do të hap ankand për shitjen e disa automjeteve zyrtare që ishin në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë.

Me këtë rast, kabineti qeveritar, me kërkesë të ministres Artane Rizvanolli, tha se mirëmbajtja e tyre ka kosto të lartë, kësisoj janë detyruar t’i shesin ato.

​Kurti: Probleme të serbëve në veri janë sulmet me bomba, jo vendimet tona

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu ka bërë thirrje serbëve lokalë në veri që mos të braktisin institucionet e Kosovës.

Ai në mbledhjen e sotme të Qeverisë, tha se sundimi i ligjit është obligim institucional.

"Sundimin e ligjit e kemi obligim institucional, nuk është zgjidhje është detyrim. Ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të Kosovës janë ata që po iu pengon luftimi i kriminalitetit. Problemi i qytetarëve në veri nuk janë vendimet tona, por sulmet me bomba", tha ai.

Kurti mbledh ministrat e tij

Qeveria e Kosovës do të mblidhet sot, në orën 10:00.

Sipas rendit të ditës, Kabineti Qeveritar do të diskutojë për 14 pika.

Në mesin e pikave që janë në rend dite është edhe themelimi i Komisionit Republikan të Festave.

Poashtu edhe shqyrtimi i propozim-vendimit për shitjen e automjeteve zyrtare që janë të papërdorshme dhe jashtë funksionit të Ministrisë së Ekonomisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat