Targat shkaktojnë përplasje në Kuvend, Kurti tregon çfarë dokumenti iu ofrua të hënën: Ky ishte qëllimi ynë!

Aktuale

Targat shkaktojnë përplasje në Kuvend, Kurti tregon çfarë dokumenti iu ofrua të hënën: Ky ishte qëllimi ynë!

Më: 24 nëntor 2022 Në ora: 07:22 Përditësuar në ora: 12:09 më 24.11.2022
Kryeministri Albin Kurti

Kurti kërkon mbështetjen e Kuvendit në dialog: Nuk dua të eci i vetëm

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Bashkimi Evropian mban pozicionin e qeverive të kaluara, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne nuk pajtohemi me të kaluarën, por trashëgimia e qeverive të kaluara është bërë pozicion i BE-së. Ndryshimi i kësaj merr kohë, dhe duhet të bëhet në kuadër të një plani më të madh, atij franko-gjerman. Propozimi ynë do të jetë një marrëveshje ndërkombëtare, ligjërisht e obligueshme dhe me njohjen reciproke në qendër”, tha Kurti.

“Serbia e ka pranuar për herë të parë që emërtimet e qyteteve të Kosovës janë pjesë e juridiksionit territorial të republikës së Kosovës. Një hap i tillë është fundamental që të shuhen organizatat kriminale në veri”.

Tutje Kurti tha se Qeveria nuk ia del dot pa Kuvendin.

“Qeveria ka nevojë dhe nuk ka si t’ia del dot pa Kuvendin, ne kemi nevojë për mbështetjen e juaj, ju keni nevojë për njoftimin tonë, por që të gjithë bashkë kemi nevojë për diskutim, dhe unë jam i gatshëm ta bëj këtë, edhe në seancë plenare, edhe në takime me liderët, për shkak se nuk dua të eci vetëm”, tha Kurti.

Kurti: 18 gushti është data më e rëndësishme sa i përket procesit të dialogut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se 18 gushti është data më e rëndësishme në këto dy vite sa i përket procesit të dialogut.

Gjatë fjalës së tij në kuvend, i pari i qeverisë tha se më 18 gusht, kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka bërë një kontribut të çmuar sepse e ka strukturuar dialogun me pikën e parë – korniza e përgjithshme e marrëveshjes.

“Me 18 gusht, Borrellka bërë një kontribut të çmuar sepse e ka strukturuar dialogun me pikën e parë – korniza e përgjithshme e marrëveshjes, mendoj që 18 gushti është data më e rëndësishme në këto dy vite sa i përket procesit të dialogut, pika e dytë – çështjet aktuale. S’mund ta evitojmë pikën e dytë, çështjet aktuale edhe pse nganjëherë duket se janë teknike, meqë lidhen me paqen dhe sigurinë.

Njëmend çështja e targave është teknike administrative, mirëpo në anën tjetër duhet ta pranoj që në shtatorin e vitit të kaluar e kemi filluar të mos e trajtojmë vetëm çështje teknike prej momentit kur ambasadori rus në Beograd erdhi në Jarinjë dhe Bërnjak që t’i inspektojë grumbullimin e trupave serbe dhe lart në ajër lëshoi një avion. Tash kjo përnjëmend për targa është, dhe targat janë teknike, mirëpo pasojat janë edhe më shumë politike, prandaj jam dakorduar që pika e dytë në dialog të jenë çështjet aktuale. Ndërkaqe para ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes, kjo është e rëndësishme”, tha kryeministri.

Deklarohet kryeministri Kurti: Marrëveshja e arritur dje në Bruksel, nuk është marrëveshje për targat

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se marrëveshja e arritur dje në Bruksel, nuk është marrëveshje për targat.

“Marrëveshja e mbrëmshme s’është marrëveshje për targat, ne u morëm vesh që t’i ndalojmë veprimet në mënyrë reciproke pra nuk do të bëjmë gjobitje për targat KM dhe do t’i japim hapësirë negocimit të propozimit evropian që më herët quhej franko-gjerman”.

Ai tutje tha se po e quan evropian pasi më 11 nëntor kur takoi Lajçakun dhe Borrellin në Paris, ky i fundit ka reaguar ashpër kur kryeministri e ka quajtur propozimin franko-gjerman.

“Po e quaj evropian se më 11 nëntor kur e kam takuar në Paris, Borrellin dhe Lajçakun, unë kur thash franko-gjerman ai reagoi bukur ashpër dhe tha është propozim evropian, unë thash në rregull, i kërkova falje. Mirëpo unë të hënën e pashë që është franko-gjerman, se po të ishte evropian ai s’do ta braktiste aq kollaj”, shtoi Kurti

Kurti: Ata që thonë se çka s’u pranua të hënën u pranua të mërkurën, s’po e dinë për çka po flasin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ata që thonë se ajo që nuk u pranua të hënën në Bruksel, u pranua të mërkurën (dje), nuk po e dinë për çka po flasin.

“Të hënën më është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët që ka pasur 95 fjalë dhe fjalët e Francës dhe Gjermanisë nuk kanë qenë askund dhe nuk i referohej propozimit franko-gjerman, përveç çështjet së targave të çështja e këtij propozimi, nuk duhet propozimi, por do të zgjidhet çështja e targave sipas atij propozimi pa thënë franko-gjerman.

Ndërkaq, dokumenti i djeshëm ka pasur 194 fjalë, krejt i ndryshëm.

Ata që thonë se ajo që nuk u pranua të hënën u pranua të mërkurën, nuk po e dinë për çka po flasin. Ishte tekst më i madh ky i mbrëmshmi dhe nuk është marrëveshje, por dakordim”.

“Është deklarata e Borrellit ajo që u bë mbrëmë, u ndryshua deklarata e Borrellit, ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borrelli ka ndryshuar deklaratë”, tha Kurti.

​Krasniqi-Kurtit: Ke mundur ta bësh vet këtë që e bërë dje në Bruksel

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka deklaruar se veprimet e kryeministrit Albin Kurti kanë shprehur pafuqinë e Kosovës. Sipas tij, gjatë këtyre javëve është ndjellë frikë, panik dhe është shkaktuar krizë e panevojshme në veri. Gjatë seancës plenare, Krasniqi ka theksuar se drafti franko-gjerman nuk i adreson aspiratat e Kosovës.

Gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës, Krasniqi tha se në katër javët e fundit janë shkaktuar drama të panevojshme. Sipas tij, është koha të veprohet në drejtim të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Krasniqi: Ke mundur ta bësh vet këtë që e bërë dje në Bruksel

“Ne mirëpresim dakordimin që ka ndodhur dje në Bruksel, marrëveshjen e cila shmang përshkallëzimin dhe eskalimin potencial të situatës në veriun e vendit. Por, vërtetë u bë shumë zhurmë, por jo shumë zhurmë për asgjë. Sepse, nuk është që ndodhi asgjë, në fakt ndodhi shumë sepse një çështje të cilën e cila ishte kompetencë ekskluzive e qeverisë dhe kryeministrit, arritët që ta shndërroni në temë të diskutimit e të negocimit duke bërë palë Serbinë dhe Aleksandër Vuçiqin për një çështje e cila ishte krejtësisht kompetencë vendimmarrëse e qeverisë dhe kryeministrit. Ke mundur ta bësh vet këtë që e bërë dje në Bruksel, duke u dakorduar me ShBA-të dhe duke marrë për bazë këshillin që e kishe që më shumë se katër javë në tavolinë e në telefonata, takime nga Escobar dhe sekretari i shtetit, Blinken”, ka deklaruar Krasniqi.

Duke mos bërë një gjë të tillë, Krasniqi shtoi se është shprehur pafuqia e Kosovës.

Krasniqi: Mua më vjen keq që ke shprehur një pafuqi të Kosovës

“Mua më vjen keq që ke shprehur një pafuqi të Kosovës, duke mos qenë e mundshme që ta zbatoni vendimin për tabelat dhe po ashtu duke krijuar edhe shpenzime për mbajtjen e zgjedhjeve që kanë mundur të evitohen, por duke ndjellur edhe frikë, panikë dhe krizë të panevojshme jo vetëm në veri, por sidomos në veri. Po ashtu, ka një paqartësi të madhe për të cilën nuk jeni deklaruar as ju e as kryenegociatori i juaj, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi se a do të kthehen serbët në institucionet e Kosovës. Cfarë do të bëni për këtë? Askush prej jush nuk po tregon se a do të ketë normalitet në veriun e vendit, siç ka pasur. Sepse normalitet si para katër javëve nuk mund të bëni, sepse tash zgjedhjet do të mbahen, nuk mund t’i ktheni eprorët e policisë që janë dorëhequr”, ka theksuar ai.

Ai nga Kurti e Bislimi ka kërkuar përgjigje edhe për zyrtarët e tjerë të dorëhequr në institucione publike. Krasniqi ka folur edhe për planin franko-gjerman, ku ka renditur edhe pesë shtyllat për marrëveshjen në Bruksel.

Krasniqi: Si draft aktual nuk i adreson aspiratat shtetërore të Kosovës

“Si draft aktual nuk i adreson aspiratat shtetërore të Kosovës. Për angazhimin në negocimin dhe përmirësimin e tij, është i nevojshëm dhe unë ju kam inkurajuar që ta bëni një gjë të tillë. Dëshiroj të theksoj këtu qëllimet kryesore që duhet dhe mundet të arrihen në fund të procesit, që janë qëllime jo vetëm të PDK-së, por unë besoj nga të gjitha këto vite deklarime e qëndrime, të gjithë spektrit politik edhe të gjithë qytetarët. Duke të inkurajuar kryeministër për vendosshmëri dhe fokus në arritjen e marrëveshjes finale ju ftoj që këto pesë shtylla kryesore të marrëveshjes të jenë: 1. ruajtja e karakterit unitar të shtetit tonë sipas rregullimit aktual kushtetues, 2. Njohja formale nga pesë shtetet mos-njohëse të BE-së, 3. Nisjen e procesit të anëtarësimit në NATO përmes pjesëmarrjes në partneritetin për paqe si hap i parë, 4. Marrjen e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe 5. Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, ka përfunduar ai.

Krasniqi tha se në rast se shefi i ekzekutivit do të vepronte përgjegjshëm, duke mos vendosur në pyetje edhe aleancat më të rëndësishme, atëherë këto katër javë do të ishin të fokusuar në situatën aktuale në Kosovë. 

​Muja: Marrëveshja e arritur dje manifeston ndryshim thelbësor në pozitën e Kosovës karshi procesit të normalizimit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka ftuar partitë opozitare për konsensus nacional në këtë periudhë që ai e ka quajtur jetike për vendin. Ai ka thënë se opozita duhet të mbështesë qeverinë drejt avancimit të interesave të vendit.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Muja ka thënë se Kosova dhe Serbia në ditët në vijim fillojnë diskutimet në lidhje me hapat e ardhshëm të propozimit të BE-së për normalizim të plotë.

Muja shtoi se sipas përfaqësuesit të BE-së, rezultatet e propozimit duhet të paraqitën para marsit 2023.

Muja: Ashtu siç ka insistuar Kurti palët në ditët në vijim do fillojë diskutimet për normalizim të plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

“Ashtu siç ka insistuar kryeministri Kurti palët në ditët në vijim do të fillojnë diskutimet në lidhej me hapat e ardhshëm të propozimit për normalizim të plotë të marrëdhënieve të prezantuar këtë shtator nga BE-ja dhe të mbështetur nga Franca, gjermania dhe shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas përfaqësuesit të BE-së rezultatet e propozimit duhet të paraqitën para datën mars 2023”, ka thënë Muja.

Ai ka thënë se ngjarjet e fundit dhe marrëveshja e arritur dje për targat manifestojnë një ndryshim thelbësor në pozitë ne Kosovës karshi proceseve rajonale, dhe atij të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Muja: Ngjarjet e fundit manifestojnë ndryshim thelbësor në pozitën e Kosovës karshi proceseve rajonale

“Ngjarjet e vitit të fundit por edhe marrëveshja e arritur dje manifestojnë një ndryshim thelbësor në pozitën e Kosovës karshi proceseve rajonale dhe atij të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Fillimisht ndryshimi diskursiv, respekti për juridiksionin e Kosovës, afatet e precizuara dhe mekanizmat e zbatimit janë gjëra të reja krahasuar me marrëveshjet e kaluara. Propozimi i fundit i BE-së nuk duket të jetë vetëm një propozim apo nonpaper por duket se është i inkorporuar si kornizë zyrtare e BE-së në procesin e anëtarësimit, prandaj është e rëndësishme të nxjerrim rezultatin me të mirë përmes përgatitjeve, konsensusit dhe aleancave”, ka thënë Muja.

Muja ka thënë se Serbia është akter i paparashikueshëm dhe i pandershëm në raport me Kosovën.

Muja: Ftoj opozitën të kontribuojnë në arritjen e konsensusit nacional në një periudhë jetike për vendin

“Serbia është akter i paparashikueshëm dhe i pandershëm në raportet me Kosovën, për këtë arsye kërkohet mbështetje. Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur çdo përpjekje të vendosjes së autoritetit të Kosovës dhe zbatimit të rendit dhe ligjit, kërkojmë nga opozita që recirpokojë këtë parim të rëndësishëm për avancim të interesave të vendit. Qeveria duhet të kritikohet dhe gjykohet në rast se heq dorë nga zbatimi i ligjshmërisë apo shkel kushtetutën, pro detyra për të mbështetur Kosovën, për shtirje të sovranitetit nuk është fakultative as për pozitën as për opozitën. Dëshiroj të ftoj të gjitha forcat opozitare të kontribuojnë aktivisht në arritjen e konsensusit nacional në një periudhë jetike për vendin”, ka thënë deputeti i Vetëvendosjes.

Haradinaj: Me marrëveshjen e djeshme kemi evituar rrezikun që të kemi viktima

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë sot në kuvend se me marrëveshjen e djeshme për targat, u evitua rreziku i parë që të ketë viktima, siç tha ai, qofshin policë apo qytetarë serbë të veriut.

Megjithatë, ai tha se me marrëveshjen e djeshme nuk është zgjidh situata në veri.

“Sfida që na pret është rikthimi në institucione i atyre që kanë lëshuar vendet e punës, apo plotësimi i gjithë atyre vendeve vakante në rend dhe ligj.

E kam ditë që do të vijmë tek kjo marrëveshje e tillë për faktin se e kam dëgjuar në vizitën e parë Escobarin dhe Lajçak që kanë thënë integriteti territorial nuk është i negociueshëm, sovraniteti nuk është i negociueshëm, mos të eksperimentojmë askush prej nesh me ide se ndonjë rregullim tjetër na shpëton nga asociacioni.

Nëse dojmë me shpëtu nga asociacioni urdhëroni të bisedojmë bashkë, por jo duke rrezikuar tërësinë territoriale”, tha Haradinaj, njofton Klankosova.tv.

Konjufca tregon arsyen pse seanca nuk nis me kohë

Seanca e sotme plenare e paraparë për orën 10:00, nuk ka filluar ende.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka treguar arsyen para deputetëve që janë mbledhur në sallë.

Ai tha se janë në pritje të një mbledhjeje të komisionit për mbrojtje dhe siguri në të cilën po shqyrtohet një projektligj i rëndësishëm.

“Ju kërkoj ndjesë, jemi duke pritur një mbledhje të grupit të komitetit, të komisionit për mbrojtje dhe siguri, ata po e shqyrtojnë një projektligj të rëndësishëm i cili pritet të hyjë në rend të ditës përmes plotësimit të ndryshimit të rendit të ditës. Pa e trajtuar komisioni këtë projektligj nuk mund ta përfshijmë në seancën e sotme, kjo është arsyeja pse po presim”, tha Konjufca.

Kuvendi i Kosovës sot mban dy seanca plenare

E para pritet të fillojë nga ora 10:00, ku në rend të ditës do të jetë edhe propozimi i dy kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërkaq, seanca e dytë do të fillojë në orën 14:00 dhe është i senacës së mbetur për gjysmë, me pikat e papërfunduara nga seanca e  10 nëntorit.

Rendi i ditës

Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

Deklarimet jashtë rendit të ditës,

Pyetjet parlamentare,

Propozimi i dy (2) kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese,

Rendi i ditës

Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, më 10 nëntor 2022:

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-168 për Prokurorinë Speciale,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-187 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 06/L-074 Penal i Republikës së Kosovës,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-184 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje,

Shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për caktimin e taksave vjetore për vitin 2023,

Shqyrtimi i Raportit vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2021,

Shqyrtimi i Raportit vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2021,

Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2021,

Shqyrtimi i Propozim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr.09/99 datë 30 shtator 2022, për zgjedhjen e Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave,

Shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Telekomit të Kosovës për vitin 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat