Sot në Prishtinë vendoset fotografia e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës

Aktuale

Sot në Prishtinë vendoset fotografia e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës

Më: 26 nëntor 2022 Në ora: 09:39
Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka

Shoqata Lëvizja sot në Prishtinë do të vendosë fotografinë e tre heronjve të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

Vendosja e fotografisë së heronjve do të bëhet në orën 12:00, afër Teatrit Kombëtar.

Ndryshe, më 17 janari 1982 janë vrarë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Atentati mbi vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane ishte lajmëruar se vrasës të panjohur kishin vrarë tre jugosllavë dhe se ky kishte qenë kulminacion i ri në luftën e fshehtë, në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit kishin luftuar mes tyre.

Pas kroatëve në ekzil, Qeveria e Beogradit u kishte shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve që vijnë nga Kosova. Atentati kishte ndodhur, përderisa drejtuesi i veturës (BMW 316, targa: HN CY 353) kishte nxjerrur veturën nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit. Në mot me borë, diku në 40 metrat e para vetura kishte ndaluar pasi që nga një vend ndërtim në anë të djathtë, një person nga një distancë prej tre metrave kishte shtënë. Krahas kësaj, një person tjetër kishte gjuajtur dhe iu kishte afruar asaj për të vërtetuar se ia kishin arritur qëllimit.

Fqinjët, të frikësuar nga krismat, i kishin parë dy persona të gjinisë mashkullore duke ikur. Vetura kishte mbetur e ndezur, pasi që Bardhoshit i kishte mbetur këmba në pedalin e gazit. Si pasojë e kësaj, vetura kishte vazhduar më tutje të ecte derisa ishte përplasur me një garazhë.

Gjatë asaj kohe, drejtuesi kishte vdekur, ndërsa pas përplasjes ishte fikur motori. Në vendin e ngjarjes policia kishte gjetur të vdekur drejtuesin e makinës, Bardhosh Gërvallën, 31 vjeç, i goditur nga gjashtë plumba, Kadri Zekën i vrarë nga dy goditje me plumba në trup dhe Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga dy goditje me plumba.

Der Spiegel (25 janar 1982) për motivin e krimit kishte shkruar se identifikimi i shpejtë i viktimave e kishte sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: "Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit".

Edhe për autorët e vrasjes kishte pasur shënime. Në vendin e ngjarjes, Jusuf Gërvalla, i cili më vonë kishte vdekur i kishte pëshpëritur policisë "Ka qenë UDB-ja". 12 herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoletat e kalibri 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes kishte thënë: "E tëra dukej si pas një ekzekutimi". Kishte qenë metodë që ishte përdorur nga shërbimi sekret, siç kishte thënë snajperisti dhe instruktori i policisë nga Stuttgart-i, Siegfried Hubner: duhet qëlluar me katër plumba, "tre për ta mbërthyer viktimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërt e domosdoshme dhe vdekjeprurëse".

Koha dhe atentati kishte qenë kulminacion i grindjeve të shërbimit sekret jugosllav me kundërshtarët e regjimit në botën e jashtme në ato vite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat