​Mosmbajtja e seancave po dëmton efikasitetin e gjyqësorit dhe qytetarët që po presin drejtësi

Aktuale

​Mosmbajtja e seancave po dëmton efikasitetin e gjyqësorit dhe qytetarët që po presin drejtësi

Më: 26 nëntor 2022 Në ora: 11:43
Pallati i Drejtësisë

Reduktimet e punës përveç atyre që janë esenciale nga ana e gjykatave dhe prokurorive për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës po konsiderohen si veprime që do të ndikojnë negativisht në efikasitetin e gjyqësorit, dhe në dëm të qytetarëve që janë në pritje të drejtësisë.

Efektet e këtyre masave tashmë kanë filluar të ndjehen pasi që numri i seancave gjyqësore që nuk po mbahen është i lartë, duke bërë që shumë qytetarëve t’iu mohohet e drejta për drejtësi.

Në anën tjetër Këshilli Gjyqësor i Kosovës por edhe ai Prokurorial i kanë dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës që deri më 8 dhjetor ta anulojnë vendimin për ulje të pagave, në të kundërtën kanë paralajmëruar se do t’i ashpërsojnë veprimet protestuese karshi këtij vendimi.

Thirrjes për anulim të këtij vendimi i bashkohen edhe njohësit e sistemit të drejtësisë.

Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala thotë se KGJK dhe KPK i janë ekspozuar një vendimi arbitrar dhe kundërkushtetues të Qeverisë së Kosovës, ku për pasojë po dëmtohen më së shumti qytetarët.

Shala: Nga kjo situatë po pësojnë qytetarët që presin drejtësi

“Fatkeqësisht në këtë situatë defintivisht pësojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët kërkojnë dhe presin për shërbimet gjyqësore. Vetëm dje në bazë të monitorimit i bie se vetëm në Prishtinë janë shtyrë 150 seanca gjyqësore që i bie në këto raste ka pasur një numër të konsiderueshëm të qytetarëve të cilët ndoshta me vite kanë pritur që rasti i tyre të caktohet dhe që në rastin konkretin seanca e tyre është shtyrë përsëri. Këto veprime të cilat e kufizojnë kohën se kur gjyqësori punon definitivisht që ndikojnë edhe në efikasitetin e përgjithshëm të sistemit të drejtësisë në drejtim të uljes së numrit të lëndëve të zgjidhura dhe kështu defitivisht dëmi më i madh u bëhet qytetarëve të Kosovës të cilët nuk kanë shërbime adekuate nga ana e gjyqësorit... Për këtë arsye defintivisht se Qeveria e Kosovës duhet të tërhiqet nga ana e këtij vendimi jo vetëm për shkak të veprimeve të KGJK, KPK por mbi të gjitha se ky vendim është në kundërshtim me Kushtetutën dhe standardet e mira ndërkombëtare”, thotë Shala.

Shala po ashtu thotë se nëse vazhdon mosmbajtja e seancave gjyqësore do të rëndohet lista e lëndëve që janë në pritje, por siç thotë ai, edhe shumë seanca rrezikojnë të kthehen në pikën zero.

Shala: Këto veprime do të ndikojnë në efikasitetin e gjyqësorit

“Kjo situatë ku Qeveria në njërën anë nuk lëshon pe dhe në anën tjetër KGJK dhe KPK reduktojnë punën e tyre definitivisht që në fund të fundit shkon në dëm të interesave të qytetarëve që presin drejtësi nga ana e sistemit gjyqësor... Në degë të caktuara funksionojnë në limitet e lëndëve të pranuara që i bie se pothuajse mezi zgjidhin lëndë aq sa edhe kanë pranuar në këtë situatë vetëm një pjesë e kësaj periudhe kohore që ndërmerret definitivisht se gjendja do të rëndohet. Në anën tjetër ndoshta kemi raste penale ky shqyrtimi gjyqësor nuk i ka kaluar ende 3 muaj por gjatë kësaj periudhe kohore do t’i kaloj 3 muaj në këto raste momenti kur kalohet 3 muaj të gjitha shqyrtimet gjyqësore kthehen në pikën zero dhe më pastaj pothuajse është një dublifikim i punës sepse edhe seancat që janë mbajtur në të kaluarën duhet të mbahen në të ardhmen dhe të gjitha këto konsekuenca në punën e gjyqësorit defintivisht që do të ndikojnë konsiderueshëm në punën e efikasitetit të sistemit të drejtësisë dhe që në një periudhë të ardhshme do të vërehet pasojat e mos punës të sistemit të drejtësisë“, theksoi hulumtuesi Shala.

Se veprimet protestuese të të dy Këshillave po e prekin interesin publik, thotë edhe hulumtuesi në GLPS, Liridon Salihi.

Ai shton se mos mbajtja e seancave do të ndikojnë negativisht edhe në vetë performancën e gjyqësorit, derisa do të ketë bartje të madhe të lëndëve në vitin e ardhshëm.

Salihi: Veprimet e KGJK-së dhe KPK-së prekin interesin publik

“Një gjë e tillë padyshim që prek interesin publik për shkak se i bie se një pjesë e lëndëve të cilat janë nëpër gjykata të mos trajtohen, përkatësisht i bie që të trajtohen vetëm lëndët të cilat janë të natyrës urgjente... Tashmë nga 1 tetori e tutje në gjykatat e Kosovës i kemi mbi 150 mijë lëndë gjyqësore të cilat presin verdikt nga ana e gjykatave. Prandaj, në një situatë të tillë me reduktimin e aktiviteteve e gjykatave dhe prokurorive i bie që këtu përveçse do të ndikojnë negativisht në interesin e qytetarëve në anën tjetër do të ndikojnë negativisht edhe në vetë performancën e gjyqësorit duke qenë se do të kemi një numër tejet të madh të lëndëve që do të barten të lëndëve pasuese”, thotë ai.

Edhe ky njohës i sistemit të drejtësisë bënë thirrje që Qeveria e Kosovës ta anulojë vendimin për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, pasi konsideron se me këtë vendim është prekur pavarësia e sistemit gjyqësor.

Salihi:Qeveria ta anulojë vendimin për uljen e pagave, prek pavarësinë funksionale të gjyqësorit

“Një situatë e tillë nuk i bënë dobi asnjërës palë e më së paku vetë qytetarëve të Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta anuloj një vendim të tillë për arsye se i njëjti prek pavarësinë funksionale të vetë sistemit gjyqësor në vend... Qëllimi i Këshillit Prokurorial dhe Gjyqësor për reduktimin e veprimtarive të tyre ka qenë në njëfarë forme një lloj shenje e rezistencës ndaj veprimeve që ka marr Qeveria e Kosovës dhe shihet që këto vendimet do të zgjasin vetëm deri më 8 dhjetor, pas 8 dhjetorit parashihet që të marrin masa edhe më rigoroze... Këto vendime do të ndikojnë negativisht në përgjithësi në aspektin e menaxhimit dhe në aspektin e efikasitetit dhe trajtimit të lëndëve gjyqësore në sistemin tonë gjyqësor në Kosovë“, deklaron Salihi.

Të mërkurën Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës, duke shfuqizuar kështu vendimin e ish-qeverisë Haradinaj, sipas të cilit në vitin 2017 iu ishin rritur pagat këtyre punonjësve të drejtësisë.

Vendimi për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët ngjalli reagim të dy këshillave, atij Gjyqësor dhe Prokurorial, të cilët po atë ditë kur u mor vendimi mbajtën mbledhje të jashtëzakonshme dhe vendosën të reduktohet puna e gjykatave dhe prokurorive dhe të vazhdohet të mbahen vetëm seanca për shërbime esenciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat