“Komunizëm”, “distancohemi”: Si u përplas LDK-ja e Abdixhikut me Skënder Hysenin?

Aktuale

“Komunizëm”, “distancohemi”: Si u përplas LDK-ja e Abdixhikut me Skënder Hysenin?

Më: 26 nëntor 2022 Në ora: 13:49
Skender Hyseni

Lidhja Demokratike e Kosovës ka një strukturë të re udhëheqëse. I pari i saj, nënkryetarja, e shumë të tjerë janë të rinj edhe për nga mosha, por edhe për nga aktiviteti zyrtar politik. Të vjetrit, ata që themeluan e udhëheqën për më shumë se dy dekada LDK-në, ndihen të përjashtuar nga partia që vetë e krijuan. Një përplasje e tillë më së miri u reflektua në episodin e fundit mes Skënder Hysenit dhe LDK-së së Lumir Abdixhikut.

Hyseni, një veteran i LDK-së, paralajmëroi se “LDK e re” po rrëshqet kah komunizmi, duke theksuar se Abdixhiku nuk mund ta përjashtojë nga partia.

Në anën tjetër, LDK u distancua nga një deklaratë gjërësisht të kritikuar të Hysenit, i cili i krahasoi qëndrimet e Vjosa Osmanit, presidente e Kosovës, me ato të Sllobodan Millosheviqit, ish-president i Serbisë i njohur gjërësisht si “Kasapi i Ballkanit”.

Një deklaratë e Hysenit mbi qëndrimet e Osmanit e ka riaktualizuar përplasjen mes “gardës së vjetër dhe asaj të re të LDK-së”, e cila duket se nuk ka të mbaruar. Hyseni e cilësoi Osmanin, tash presidente e Kosovës, se po mban qëndrime të ngjashme me ato të Millosheviqit.

“Edhe Millosheviqi e quante krejt botën armiq të Serbisë atëherë kur bota neve na ndihmonte, edhe ata e quanin krejt botën, krejt bota janë armiq të Serbisë. Edhe Vjosa Osmani dje tha se krejt bota janë armiq të Kosovës dhe po ia mbajnë anën Serbisë. Po kjo nuk është e vërtetë fare”, u shpreh Hyseni.

“LDK jo vetëm që distancohet nga gjuha e tij, por LDK ka dy vite që është e distancuar nga mendësia e tillë politike. Është për habi, gjithsesi, se si figura pa fuqi politike e partiake sot, zënë hapësira mediale e kontaminojnë diskursin publik”, theksoi zonja Sibel Halimi.

Ky diferencim duket t’i ketë penguar shumë z. Hysenit, i cili në intervistën për Nacionale, e kritikoi ashpër LDK-në dhe Abdixhikun.

“Ajo që më bëri përshtypje dhe pak më shqetësoi, është rrëshqitja e LDK-së dhe e Lumir Abdixhikut kah një parti komuniste, e cila bën distancime e diferencime. Kaherë nuk kam parë një tekst më të shkurtër, që përmban shumë komunizëm ekstrem. Distancim, ftesë medieve që pse po merreni me Skënder Hysenin, përpjekja për t’ia mbyllur gojën dikujt, domethënë për ta ngulfatur lirinë e fjalës në një vend demokratik.”- ka thënë ai.

Ai u bë edhe më konkret, duke e përmendur me emër z. Abdixhikun.

“Pas demonstratave të vitit ‘81, komitetet partiake të Lidhjes së Komunistëve të ish-Jugosllavisë e të Kosovës bënin grupe për diferencimin e njerëzve, që nuk pajtoheshin me ta. Ato diferencime përfundonin me burg për këta të diferencuarit dhe të distancuarit. Prandaj ky Abdixhiku, para se të bënte fizkultura të tilla, duhet të mendojë shumëfish”- ka thënë Hyseni, duke shtuar se LDK-ja, pa e dëgjuar intervistën e tij, është rreshtuar krah Kurtit e Osmanit.

Kujtojmë që kjo nuk është hera e parë që “garda e vjetër” e LDK-së përplaset publikisht me liderët e rinj të LDK-së. Përveç Hysenit, kritika të ashpra ndaj Abdixhikut kishte edhe Isa Mustafa e Milahet Tërmkolli. Natyrisht, edhe Abdixhiku nuk ka qëndruar duarkryq, duke thënë se ish-udhëheqësit e LDK-së e sollën partinë e tij në rezultat të dobët elektoral.

Në një intervistë në RTV Dukagjini, z.Abdixhiku e quajti turp gjendjen e LDK-së, e cila mori vetëm 12% të votave.

“Partia jonë mburret me rugovizëm. Njerëzit vijnë e shkojnë dhe secili lë gjurmët e veta brenda kohës së shkurtër që ka. Mua më turpëron fakti që një parti si LDK-ja ka mbetur në 12% në Kuvendin e Kosovës. Unë po angazhohet që partinë e Ibrahim Rugovës ta kthej ku e ka vendin”, theksonte Abdixhiku.

Këto deklarata qenë përgjigje ndaj Isa Mustafës Mustafës, i cili theksoi kohë më parë se udhëheqësit e LDK-së turpërohen me të kaluarën e partisë së tyre.

“Vetëvendosje e ka mbjellë farën e tyre edhe te LDK-ja, edhe te njerëzit e LDK-së, të cilët sot, në një formë, turpërohen nga ajo që ka punuar LDK-ja në të kaluarën. Këtë shtet, për 20 vjet nuk e ka bërë VV-ja, ka punuar vetëm në shkatërrimin e tij, ka qenë edhe kundër shpalljes së pavarësisë, edhe kundër marrëveshjes së Vjenës.”, deklaronte Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat