​Prishtinës i shtohet fotografia e heronjve Gërvalla dhe Zeka, kërkohet edhe shtatorja

Aktuale

​Prishtinës i shtohet fotografia e heronjve Gërvalla dhe Zeka, kërkohet edhe shtatorja

Më: 26 nëntor 2022 Në ora: 15:18
Fotografia e heronjve Gërvalla dhe Zeka

Në prag të Festës së 28 nëntorit, sheshit të Prishtinës i është shtuar fotografia e heronjve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës. Derisa u kërkua nga institucionet që në të ardhmen të vendoset edhe një përmendore e përbashkët e heronjve në njërin nga sheshet e kryeqytetit.

Shoqata Lëvizja sot në Prishtinë ka vendosur fotografinë e tre heronjve të Lëvizjes Popullore të Kosovës, për të cilët u tha se qëndrojnë bashkë me mesazhin e përhershëm të lirisë kombëtare të përparimit shoqëror, të atdhedashurisë, të bashkimit e unitetit kombëtar. 

Emrush Xhemaijli, ish-kryetar Lëvizjes Popullore të Kosovës foli për luftën çlirimtare të Kosovës dhe veçanërisht për kontributin e heronjve Gërvalla dhe Zeka. 

Derisa shprehu mirënjohje ndaj institucioneve për vendosjen e kësaj fotografie në kryeqytet, ai apeloi ato edhe për shtatoren e heronjve. 

Xhemajli: Është detyrë institucionale që heronjve Gërvalla dhe Zeka t’iu ngrihet përmendore në kryeqytet

“Tri vjet pas çlirimit te vendit, para 20 vjetëve, në vitin 2002, eshtrat e Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit u kthyen dhe prehen në tokën për të cilin ranë. 20 vite të tjera nga atëherë dhe 40 vjet pas rënies se tyre, ja, sot, në qendër të kryeqytetit, ata qëndrojnë bashkë me mesazhin e përhershëm të lirisë kombëtare të përparimit shoqëror, të atdhedashurisë, të bashkimit e unitetit kombëtar. Ata bashkë ishin, bashkë janë e bashkë do të jenë, në mendjet e zemrat tona. Ata sot e mbas sodit e përgjithmonë do të jenë bashkë edhe vizualisht në kryeqytetin e shtetit tonë, Republikës se Kosovës... Është nder për kombin tonë dhe detyrë institucionale së Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi të kenë një përmendore të përbashkët në një shesh të kryeqytetit të Kosovës”, tha ai.

Organizatori i demonstratave të viteve të 90-ta, njëherësh bashkëveprimtar i heronjve, Hydajet Hyseni tha se sot po shpaloset një pano që flet vetë. 

Ai theksoi se uniteti politik është i nebojshëm në çështjet kombëtare, dhe se vetëm ashtu mund të nderohen heronjtë. 

Hyseni: Vendosja e fotografisë, një nderim i vogël për një borxh të madh 

“(Vendosja e fotografisë) Një kujtim dhe nderim i vogël për një borxh të madh... Jusufi, Kadriu, Bardhoshi dhe shokët e tyre e dinin se ishin në shënjestrën e armës vrastare shoviniste, e dinin se mund t’i vrisin, por ata mbi jetën e tyre kishin vënë lirinë dhe bashkimin. Dhe, vërtet, sic u pa dhe po e dëshmojnë burimet serbe, u vranë sepse po bashkoni lëvizjet çlirimtare, siç vranë edhe Metush Krasniqin, Enver Hadrin, Avdi Ibrahimin, Zijah Shemsiun, Rexhep Malen e Nuhi Berishën, Ali Ajetin dhe Afrim Zhitinë e vëllezërit Falziu, dhe shumë të tjerë... Heronjtë e bahskimit i nderojmë më së miri duke ruajtur dhe fuqizuar edhe tani në udhëkryqin premtues dhe sfidues, çelësin mrekullibërës dhe shpëtimtar të bashkimit të gjerë dhe u mor vesh përpara kah obligimi, amaneti dhe shokët e tyre”, tha Hyseni. 

Edhe veprimtari Fazli Veliu tha se Serbia vrau djemtë më të zgjedhur të Kosovës. 

Veliu: Serbia vrau djemtë më të zgjedhur 

“Sot këtu ju që jeni dhe që keni përjetuar të gjithë këtë gjë dhe të gjithë këtë terror i cili gjente në atë kohë sikur i ngjante familjes Jashari... Të vritej atëherë një veprimtar sikur ishte Jusufi do të thoshte të vritej Lidhja Shqiptare e Prizrenit, të vritej Kadri Zeka do të thoshte të vritej Shqipëria, të vritej Bardhosh Gërvalla do të thoshte diplomacia, djalë që dinte gjashtë gjuhë. Por më e rënda është se pse u vranë djemtë më të zgjedhur të Kosovës për të cilën rënkon edhe sot Kosova dhe gjithë shqiptaria dhe mundohet të gjithë të bëjmë sa të mund të bëjnë diçka për këta djem që lamë pas dhe dijen që lanë pas...Janë më të dhimbshme rastet që ata nuk lanë pas edhe të tjerë, por ju jeni ata që e vazhduat dhe shpëtuat Kosovës dhe viset shqiptare”, tha ai. 

Kujtojmë se, më 17 janar 1982 janë vrarë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Atentati mbi vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane ishte lajmëruar se vrasës të panjohur kishin vrarë tre jugosllavë dhe se ky kishte qenë kulminacion i ri në luftën e fshehtë, në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit kishin luftuar mes tyre.

Ndryshe, shoqata Lëvizja sot ka zbuluar edhe shtatoren pllakës përkujtimore në shtëpinë ku ka qëndruar dhe vepruar gjatë viteve 1991-97, heroi Xhavit Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat