Fjalimi i Kurtit në Spanjë: Serbia shtet autoritar, i afërt me Kremlinin, sulmon vazhdimisht Kosovën

Aktuale

Fjalimi i Kurtit në Spanjë: Serbia shtet autoritar, i afërt me Kremlinin, sulmon vazhdimisht Kosovën

Më: 26 nëntor 2022 Në ora: 19:17
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në Kongresin e Internacionales Socialiste

Gjatë qëndrimit të tij në Spanjë, kryeministri Albin Kurti ka mbajtur një fjalim përpara pjesëmarrësve në Kongresin e Internacionales Socialiste, ku ndër të tjera ka folur edhe për paqen në Ballkanin Perëndimor, pretendimet e Serbisë për ta minimizuar autoritetin e Republikës së Kosovës si dhe disa fjalë për ekonominë vendore.

Në fjalimin e tij, kryeministri Kurti tha se Serbia, përmes lidhjeve të afërta me Rusinë, po kërcënon paqen në Ballkanin Perëndimor.

“Përbërësi që mungon për paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor është një Serbi demokratike. Fatkeqësisht, fqinji ynë në veri, dhe ai me të cilin Republika e Kosovës ndan kufirin më të gjatë, është ende një vend autoritar me aspirata territoriale ndaj nesh dhe me lidhje të gjera dhe të afërta me Kremlinin.”

Tutje, Kryeministri ka hedhur vëmendjen kah sulmet e Serbisë ndaj Kosovës, ku tha se serbët kanë kërcënuar vazhdimisht Kosovën qysh prej ’99-tës, pas mbarimit të luftës.

E nuk la pa përmendur edhe përpjekjet e shtetit serb për destabilizim të situatës në Veri, pas ndodhive të fundit me targat.

“Që nga mbarimi i luftës në vitin 1999, ata na kanë kërcënuar vazhdimisht me sjellje luftarake. Deri më sot, ata i mbajnë 48 instalime ushtarake dhe xhandarmërie në të gjithë kufirin e saj me Kosovën. Për më tepër, që nga shpallja e pavarësisë sonë në vitin 2008, ajo është angazhuar vazhdimisht në fushata që synojnë të minojnë shtetësinë tonë. Edhe pse në vitin 2010 Serbia kërkoi mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë sonë, ajo ka zgjedhur të mos respektojë gjetjet e gjykatës. Kohët e fundit, ajo është përpjekur të përdorë ndikimin e saj në pjesën veriore të vendit tonë për të minuar sundimin e ligjit në atë regjion”.

Kryeministri Kurti ka gjetur hapësirën edhe për t’i prezantuar pretendimet për zhvillim ekonomik, nën qeverisjen e tij.

“Qeveria ime po fokusohet në zhvillimin e ekonomisë sonë, reformimin e sistemit tonë të drejtësisë dhe forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse. Për shembull, vitin e kaluar kemi pasur një rritje dyshifrore prej 10.7% të BPV-së. Vitin e kaluar kemi pasur një rritje prej 22 për qind të investimeve të huaja direkte, këtë vit deri më tani janë 47 për qind, ndërsa eksportet në vitin 2021 janë rritur për 83 për qind, ndërsa këtë vit për 29 për qind”, tha ndër të tjera Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat