Seanca e parë e Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë – Murati jep një propozim

Aktuale

Seanca e parë e Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë – Murati jep një propozim

Më: 26 nëntor 2022 Në ora: 22:54
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se seanca e parë e përbashkët e dy kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës për Ditën e Flamurit do të duhej të konkretizohej me krijimin e një Asambleje Parlamentare të përbashkët.

Sipas tij, krijimi i kësaj asambleje do të ishte një hap drejt krijimit të mekanizmave të përbashkët integrues.

“Seanca e parë e përbashkët e dy kuvendeve tona për Ditën e Flamurit do të duhej të konkretizohej me krijimin e një Asambleje Parlamentare të përbashkët si një hap drejt krijimit të mekanizmave të përbashkët integrues”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, Murati është shprehur se vetëm krijimi i këtyre mekanizmave të përbashkët integrimin e bën realitet, në shërbim të qytetarëve dhe bashkimin e ardhshëm më të lehtë e më të natyrshëm.

Një propozim lidhur me këtë seancë e ka bërë edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu. Ai ka kërkuar që nesër në mbledhjen e përbashkët të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës të votohet për bashkimin e të dyja vendeve në Konfederatën e Shtetit Shqiptar.

“Pasi që Kosova ka shënuar 14 vite shtet sovran dhe i pavarur, është koha që në këtë 110 vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, NE të zgjedhurit e popullit të Kosovës dhe Shqipërisë te votojmë për bashkim në Konfederatën e Shteteve Shqiptare, të Shqipërisë dhe Kosovës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat