Përfundon seanca e përbashkët, Konjufca “godet” Serbinë - Kosova kërkon ndihmë nga Shqipëria

Aktuale

Përfundon seanca e përbashkët, Konjufca “godet” Serbinë - Kosova kërkon ndihmë nga Shqipëria

Më: 27 nëntor 2022 Në ora: 08:33 Përditësuar në ora: 12:32 më 27.11.2022
Glauk Konjufca

Rama mbyll fjalimet në seancën e përbashkët: Sot marrëdhëniet më Kosovën me produktive se kurrë

Kryeministri Edi Rama mbylli fjalimet në mbledhjen e përbashkët të Kuvendeve Shqipëri-Kosovë.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovë tani janë më produktive se kurrë.

Ai gjithashtu foli edhe për njohjen e Kosovës dhe u shpreh se kjo do të vijë më herët sesa vonë.

“I takon institucioneve tona që të gjejnë një qasje të mirëmenduar për t’i hapur rrugë vendosjes aty ku duhet në libra e hapësira të përbashkëta, atyre 40 burrave pa të cilëve nuk dihet sesi do të vazhdonte bashkëjetesa jonë. Duke e kthyer fletën tek e sotmja më lejoni të ndaj me ju bindjen se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë me mirë në raport me të huajt, por edhe sot nuk mendoj se janë më mirë në raport me vetëveten. Le t’i kthehemi me syrin e mendjes jo vetëm pamjes së sotme të Kosovës të krahasuar me vite më parë. Besoj se njohja e saj përfundimtare do të vijë më herët sesa vonë. Nga ana tjetër, akoma më e prekshme është pamja në RMV. Shumë më vonë pas lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, Maqedonia e Veriut ishte vendi ku gjuha shqipe shihej si gjuha e një pale të padëshirueshme. Nuk besoj se kanë qenë të shumtë ata që e kanë paraparë që mund të vinte dita që Mali i Zi të kishte një kryeministër shqiptar siç e ka sot. Marrëdhëniet mes Shqipërisë e Kosovës sot nuk janë më të shkëlqyera sepse jemi vende të bashkuara me një zemër, por janë edhe produktive, më shumë se kurrë ndonjëherë tjetër. Këtë e tregojnë faktet e prodhuara nga vullneti dhe arritja e aftësisë për ta zbatuar në praktikë bashkëpunimin në interes reciprok.” u shpreh Rama.

Kurti ‘thumbon’ Ramën në 110-vjetorin e pavarësisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri thirrje nga Kuvendi i Shqipërisë për rritje të bashkëpunimit me Shqipërisë dhe Kosovës. Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve në Tiranë, Kurti tha se qeveritë e dy vendeve nuk duhet të takohen vetëm në festa, por duhet të punojnë më shpesh bashkë dhe t’i pranojnë kritikat njëri tjetrit.

Në fillim ai i ka uruar festën e flamurit të gjithë shqiptarëve.

“Gëzuar 28 nëntorin historik të Skënderbeut në Krujë, të Ismail Qemalit në Vlorë e të Adem Jasharit në Prekaz”, tha ai.

Më pas Kurti, citoi disa fjalë të Luigj Gurakuqit.

“Disa ditë para festës së flamurit, Gurakuqi që kërkonte bashkim kundër çdo copëtimi shkruante ‘e kremtja e 28 nëntorit duhet të jetë jo vetëm një ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën e mbledhim mendjen e të bëjmë shqyrtimin e vetëdijes sonë. Në këtë ditë duhet të vëmë të gjithë dorën në zemër e të pyesim vetën në e kemi bërë gjithëkund e gjithmonë detyrën që e kkishim për atdheut. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë hidhnimet e armiqësitë që na ndajnë, t’i japim vllaznisht dorën njëri-tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë që sot e mbrapa do të përpiqemi me të vërtetë për të mirën e atdheut, për lulëzimin e kombit, për nderin e flamurit tonë’. Mbaron citati”, tha ai.

Kurti fjalimin e vazhdoi me disa këshilla. Sipas tij Kosova e Shqipëria duhet të përfshihen në çështjen publike të njëra-tjetrës, mirëpo “jo për të penguar, por për të kontribuar”.

“Ndarjet krahinore, bajraktarizmat, ishin pengesë e prapambeturi atëherë, janë pengeesë e prapambeturi edhe sot. Prandaj duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar por për të kontribuar. Hapësira jonë publike, politika, kultura, ekonomia nuk janë qifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta kala ku e vëmë të gjithë nga një gur. Na duhet të jemi më shpesh bashkë, jo vetëm në kremte, jo vetëm ne politikanët. Na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjetrin, t’i pranojmë perspektivat e ndryshme, kritikat njëri-tjetrit. Të punojmë së bashku”, tha ai.

E thotë Rama: Njohja përfundimtare do të vijë, Kosova nuk do të presë kaq sa ka pritur

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se “njohja përfundimtare” e Kosovës “do të vijë”.

Në fjalën e tij para deputetëve të Kosovës dhe Shqipërisë në Tiranë, kryeministri shqiptar tha se Kosova nuk do të presë gjatë.

“Unë besoj se edhe njohja e saj përfundimtare do të vijë më herët sesa vonë.

Kosova nuk do të presë kaq sa ka pritur qysh se ka shpallur pavarësinë për t’u njohur përfundimisht, ndërkombëtarisht dhe për të qenë e pranishme në çdo instancë të gjithë organizimit të përgjithshëm të botës ku ne jetojmë”, tha Rama.

Rama, ka thënë se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, nuk janë vetëm vëllazërore por edhe produktive, më shumë se kurdoherë tjetër.

"Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë sot nuk janë vetëm të shkëlqyera, por janë produktive, më shumë se kanë qenë kurdoherë tjetër", tha ai.

“Mbase kjo ditë festive s’është e duhura për ta thënë”, Rama: Dua ta sjell në vëmendje këtë fakt

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij në mbledhjen e përbashkët të deputetëve të Kosovës dhe Shqipërisë tha se dëshironte të theksonte fatin tragjik të atyre që kishin nënshkruar deklaratën e pavarësisë më 28 Nëntor 1912.

Rama tha se “mbase kjo ditë festive nuk duket e duhura” por insistoi se kjo “nuk mund të lihet” pa u thënë.

“Do të doja të sillja në vëmendje një fakt që mua s’më ka rënë rasti ta them, por as s’kam pasur rastin ta dëgjojë të thuhet. Mbase kjo ditë festive nuk duket e duhura… Por sot, pikërisht sot, nuk mund të lihet pa kujtuar se historia jetësore e atyre 40 firmëtarëve të pavarësisë përshkruhet nga funde tragjike”, tha kryeministri shqiptar.

“Edhe trajtimi i tyre i mëvonshëm është sa i përcaktuar politikisht, aq edhe i kufizuar sporadikisht”, theksoi ai.

Kurti: S’dua të flas për halle në kremte, por ky është problemi më i mprehtë

Kryeministri Albin Kurti në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, ku po mbahet mbledhja e përbashkët e dy kuvendeve në prag të 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, tha se s’do të flasë në ditë feste për halle, por përmendi largimin e rinisë nga të dyja vendet si hallin më të madh.

“Vendet tona ballafaqohen me probleme nga të cilat më i mprehti është ai i largimit të rinisë tonë të mirë e punëtore. Sot është kremte, Dita e Flamurit, e nuk dëshiroj të flas gjatë për probleme e halle, por dua t’iu dërgoj një mesazh të gjithë atyre që kanë marrë udhën gjithmonë të dhimbshme të gurbertit. Kjo ditë është edhe e juaja dhe më së shumti e juaja”.

Ai këtu foli për rolin e mërgatës, derisa tha se Kosova e Shqipëria ende s’kanë bërë mjaftueshëm që t’ua japin atdheun si opsion për jetesë.

“Mërgimtarët janë mbështetja më e madhe ekonomike për vendet tona e familjet e tyre, por edhe burim demokratizimi e kulture që ata e marrin në shoqëritë e zhvilluara ku shkojnë të jetojnë e punojnë. E di që atje s’po shkoni për qejf, po prej brengës. E di që ende s’kemi bërë mjaftueshëm që t’ua kthejmë besimin në institucione, në drejtësi, shtet e politikë që ju ta mendoni rritjen e fëmijëve tuaj në atdheun tuaj si opsionin më të mirë. Por, ju garantoj se këtë betejë do ta bëjmë deri në fund e do ta fitojmë edhe me ndihmën tuaj. Shqipëria bëhet, Kosova bëhet. Trojet ku jetojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi e Luginë do të bëhen – edhe me ndihmën e Shqipërisë e të Kosovës. Puna është rruga jonë, nderi e besa janë cilësitë tona”.

Kurti me optimizëm tha se sikurse suksesi në muzikë, sport, shkencë e afarizëm nga shqiptarët nëpër botë “ashtu do të jemi në gjendje ne shqiptarët ta bëjmë edhe shtetin edhe demokracinë të suksesshme”.

Berisha flet jashtë parlamentit në një kohë me Ramën: Ai është armiku i Shqipërisë dhe Kosovës, ka futur thika pas shpine…

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur jashtë ambienteve të kuvendit, në një kohë kur kryeministri Edi Rama mbante fjalën në mbledhjen e parlamentit të Kosovës dhe Shqiperisë.

Berisha deklaroi se Rama është armiku më i madh i Shqiptarëve dhe Kosovës dhe i fut thika pas shpine Prishtinës në samite ndërkombëtare duke bërë avokatin e Rusisë së vogël të Ballkanit, Serbisë.

Ju uroj shqiptarëve sot gëzuar 28 vjetorin e pavarësisë që festohet nesër. Shpreh dhe përulem para Ismail Qemalit dhe burrave të kombit që bënë të pamundur që Shqipëria dhe Kosova të jenë sot dy vendeve të pavarura dhe parlamentit të mblidhen në këtë 110 vjetor për të nderuara ata që bënë të mundur që shqiptarët të jenë të lirë dhe pavarur.

Një nderim u përkeyt atyre që derdhën gjak dhe sakrifikuan lirinë dhe jetën që shqiptarët të jenë të pavarur. Asnjë komb nuk ka sakrifikuar më shumë se shqiptarët. Ndaj dhe njëherë uroj ditën e madhe të kombit dhe flamurit tonë. Por sot nuk mund të mos ndalem të theksoj se aktualishr në platformën e tij të parlamenti po flet një nga dy armiqtë kryesorë të qenies shqiptarë që nga pavarësia dhe deri sot. Njeri që është i njohur botërisht si avokati më i shpifur i padronit të tij, Vuçiç.

Në vend që të bëjë avokatinë e Kosovës kalon nga samiti në samit duke lobuar për Rusinë e Vogël, në zemër të Ballkanit, Serbinë. Edi Rama në mënyrë të përsëritur ka future thika pas shpine ndaj Kosovës. Ai u përpoq të zhbëjë arritjet e këtij vendi të pavarur, për të justifikuar vasalitetin e tij”, tha Berisha.

“Shqipëria bëhet edhe Kosova bëhet,” Kurti nga Kuvendi: Të bëhemi bashkë më shumë e jo vetëm për festa

Në seancën e përbashkët plenare mes ligjvënësve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë ka marrë fjalën edhe kryeministri Albin Kurti.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë së Kosovës ka bërë thirrje që shqiptarët të bëhen bashkë jo vetëm për festa, dhe jo vetëm në rang politikanësh.

Ndër të tjera, Kurti theksoi se kjo e sotmja nuk duhet të jetë vetëm një ditë feste, por edhe një ditë reflektimi.

​Balla: Komandantët e UÇK-së mbahen në Hagë mbi bazën e akuzave të paqena

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përmendur ish-krerët e UÇK-së që gjykohen në Hagë, në seancën solemne të kuvendeve të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.

Ai ka thënë se duhet mbrojtur vlerat e luftës çlirimtare të UÇK-së.

"Sot komandantët e UÇK-së mbahen të arrestuar, mbi bazën e disa akuzave të paqena", ka thënë Balla.

Balla tha se liria e Kosovës ka qenë ëndërr e madhe e shqiptarëve.

​Tahiri përmend ish-komandantët e UÇK-së në Tiranë: Po mbahen padrejtësisht larg nesh

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se janë tre 28 nëntor që i kanë dhënë vulë të drejtës historike të Shqiptarëve.

Në seancën solemne të kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës, Tahiri përmendi edhe ish-krerët e UK-së që janë më Hagë.

"28 nëntor i Skënderbeut i themel, 28 nëntorit i Ismail Qemalit si projekt, 28 nëntori i Adem Jasharit dhe UK-së, si akt përmbyllës janë tre 28 nëntor që i kanë dhënë vulë të drejtës sonë historike", tha ai.

"Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë heronj që po mbahen padrejtësisht larg nesh", shtoi Tahiri.

Derisa përsëriti se rruga e përbashkët e Kosovës dhe Serbisë është ajo euro-atlantike.

Gashi: Gjithçka na bashkon dhe askush nuk mund të na ndajë

Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi ka deklaruar se me flamurin kuq e zi kemi triumfuar gjithmonë sepse ishim në të drejtën dhe tokën tonë.

Ai tha se të parët tanë ishin të parët e kësaj toke dhe qiellit.

“Gjithçka na bashkon dhe askush nuk mund të na ndajë. Kemi figura të njëjta kombëtare, kemi Skënderbeun, Nënë Terezën, Ibrahim Rugovën e Adem Jasharin”, tha ai në mbledhjen e parë të përbashkët mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Në traditën tonë shqiptare mblidhemi dhe kujtojmë historitë. Sot jemi dy shtete, kemi dy qeveri e kuvende, kemi një rrugë e adresë dhe një drejtim; integrimin e plotë në rrugën evropiane. Kemi flamurin kuq e zi, i cili valëvitet përkrah kombeve të NATO-s aty ku ne si Kosovë aspirojmë”, shtoi Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat