Kurti: S’dua të flas për halle në kremte, por ky është problemi më i mprehtë

Aktuale

Kurti: S’dua të flas për halle në kremte, por ky është problemi më i mprehtë

Më: 27 nëntor 2022 Në ora: 12:04
Albin Kurti në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë

Kryeministri Albin Kurti në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, ku po mbahet mbledhja e përbashkët e dy kuvendeve në prag të 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, tha se s’do të flasë në ditë feste për halle, por përmendi largimin e rinisë nga të dyja vendet si hallin më të madh.

“Vendet tona ballafaqohen me probleme nga të cilat më i mprehti është ai i largimit të rinisë tonë të mirë e punëtore. Sot është kremte, Dita e Flamurit, e nuk dëshiroj të flas gjatë për probleme e halle, por dua t’iu dërgoj një mesazh të gjithë atyre që kanë marrë udhën gjithmonë të dhimbshme të gurbertit. Kjo ditë është edhe e juaja dhe më së shumti e juaja”.

Ai këtu foli për rolin e mërgatës, derisa tha se Kosova e Shqipëria ende s’kanë bërë mjaftueshëm që t’ua japin atdheun si opsion për jetesë.

“Mërgimtarët janë mbështetja më e madhe ekonomike për vendet tona e familjet e tyre, por edhe burim demokratizimi e kulture që ata e marrin në shoqëritë e zhvilluara ku shkojnë të jetojnë e punojnë. E di që atje s’po shkoni për qejf, po prej brengës. E di që ende s’kemi bërë mjaftueshëm që t’ua kthejmë besimin në institucione, në drejtësi, shtet e politikë që ju ta mendoni rritjen e fëmijëve tuaj në atdheun tuaj si opsionin më të mirë. Por, ju garantoj se këtë betejë do ta bëjmë deri në fund e do ta fitojmë edhe me ndihmën tuaj. Shqipëria bëhet, Kosova bëhet. Trojet ku jetojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi e Luginë do të bëhen – edhe me ndihmën e Shqipërisë e të Kosovës. Puna është rruga jonë, nderi e besa janë cilësitë tona”.

Kurti me optimizëm tha se sikurse suksesi në muzikë, sport, shkencë e afarizëm nga shqiptarët nëpër botë “ashtu do të jemi në gjendje ne shqiptarët ta bëjmë edhe shtetin edhe demokracinë të suksesshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat