Kurti: Nuk kemi bërë mjaftueshëm që të kthejmë besimin në institucione

Aktuale

Kurti: Nuk kemi bërë mjaftueshëm që të kthejmë besimin në institucione

Më: 27 nëntor 2022 Në ora: 12:44
Albin Kurti

Në mbledhjen e dy kuvendeve shqiptare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se të dy shtetet duhet të jenë bashkë më shpesh dhe jo vetëm në organizime festash.

Para deputetëve, ai përmendi të kaluarën e lavdishme të UÇK-së, të cilën tha se duhet nderuar derisa punohet për të ardhmen.

Kurti: Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë bashkë më shpesh, jo vetëm në kremte

“Ndarjet krahinore, bajraktarizmat ishin pengesë e prapambeturi atëherë, janë pengesë e prapambeturi edhe sot. Prandaj duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njërit-tjetrit jo për të penguar por për të kontribuar...Na duhet të jemi më shpesh bashkë, e jo vetëm në kremte, e jo vetëm ne politikanët, na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri tjetrin, t’i pranojmë perspektivat e ndryshme e kritikat njeri tjetrit pra të punojmë së bashku... Nesër do të shënojmë 110 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, ndërkaq sot shënojmë 25 vjetorin e shpalljes publike të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë kur në varrimin e mësuesit Halit Geci të vrarë nga forcat serbe, Rexhep Selimi që po lexonte deklaratën, në dy krahët e tij kishte heroin Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinajn. Ne bëjmë tani edhe për të ardhmen por nderojmë të kaluarën që na përbën sot dhe ecim bashkë”, tha ai.

Shefi i ekzekutivit tha se të dy vendet përballen me probleme nga të cilat më i mprehti sipas tij është ai i largimit të rinisë.

Kurti: Nuk kemi bërë mjaftueshëm që të kthejmë besimin në institucione

“Kjo ditë është edhe e juaja e më së shumti e juaja, mërgimtarët janë mbështetja më e madhe ekonomike për vendet tona e për familjet e tyre, por edhe burim demokratizimi i e kulturës që ata e marrin në shoqëritë e zhvilluara ku shkojnë të jetojnë e punojnë. E di se atje nuk po shkoni për qejf por prej brengës, e di që ende nuk kemi bërë mjaftueshëm që të ua kthejmë besimin e në institucione, në drejtësi, në shtet, në politikë, që ju ta mendoni rritjen e fëmijëve tuaj në atdheun tuaj si opsioni më të mirë. Por ju garantoj se këtë betejë do ta bëjmë deri në fund e do ta fitojmë edhe me ndihmën tuaj. Shqipëria bëhet, Kosova bëhet, trojet ku jetojnë shqiptarët në Maqedoni të Veriut, Mal të Zi e Luginë do të bëhen, edhe me ndihmën e Shqipërisë dhe të Kosovës”, tha Kurti.

Kjo është mbledhja e parë e dy kuvendeve dhe po zhvillohet në tiranë në prag të shënimit të përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat