​Në mbledhjen e dy kuvendeve kërkohet që Shqipëria të ndihmojë Kosovën në rrugën e saj evropiane

Aktuale

​Në mbledhjen e dy kuvendeve kërkohet që Shqipëria të ndihmojë Kosovën në rrugën e saj evropiane

Më: 27 nëntor 2022 Në ora: 12:47
Kuvendi i përbashkët Shqipëri-Kosovë

Në mbledhjen e dy kuvendeve që po mbahet në Tiranë, përfaqësuesit e dy shteteve theksuan rëndësinë e bashkëpunimit në mes të dy shteteve, si dhe nevojën që Shqipëria të ndihmojë Kosovën në rrugën e saj evropiane. Aty u përmendën edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë dhe u theksua se lufta e UÇK-së është faqe lavdie në historinë e kombit shqiptar.

Ministrja e shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin e Shqipërisë, Elisa Spiropali tha se Shqipëria insiston që Kosova të fitohet menjëherë në mekanizmat e Partneritetit të Paqes që pararend anëtarësimit të plotë në NATO.

Spiropali: Dialogu Kosovë-Serbi është e vetmja rrugë që do t’i jepte shansë paqes jetëgjatë

“Dialogu Kosovë-Serbi është e vetmja rrugë që do t’i jepte shansë paqes jetë gjatë në këtë skaj të Evropës. Shqipëria është me ju, është në krahun tuaj dhe ka qenë gjithmonë. Dua të përmend një fakt domethënës, marrëveshjet, memorandumet e mirëkuptimit dhe protokollet zbatuese në mes Shqipërisë dhe Kosovës po i afrohen numrit 200, ato përfshijnë të gjithë fushat e veprimtarisë shtetërore, nga arsimi tek tregtia, nga fusha e rendit dhe sigurisë mbrojtjes të drejtësia, politika e jashtme, madje edhe në parlament intensifikimi i këtyre marrëdhënieve është i dukshëm”, tha ajo.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla tha se tani është koha më shumë se kurrë që hapat e dy shteteve të jenë një, duke përmendur marrëveshjet e nënshkruara për të cilat tha se kanë filluar të prodhojnë efektet e tyre.

Sveçla: Jemi të qartë mbi rëndësinë e Shqipërisë në proceset e forcimit të shtetit të Kosovës

“Jemi duke vijuar punën në forcimin e shtetit të Kosovës, por të gjithë jemi të qartë mbi rëndësinë e Republikës së Shqipërisë në të gjithë proceset e forcimit të Republikës së Kosovës. Mes besh dhe jashtë nesh, bashkë me Shqipërinë jemi të pakapërcyeshëm gjepolitikisht, ekonomikisht dhe shoqërisht. Ne mbështesim këtë besim në faktin që ne jemi dy pjesë të së njëjtit projekt rilindas, që u zhvillua progresisisvisht në Prizren dhe në Vlorë. Tani ne e kemi detyrën që na takon prej kohës sipas hapave që prodhohen në arenën gjeopolitike botërore” tha ai.

Deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Mesila Doda përmendi ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët janë në paraburgim në Hagë.

Doda: Sot mungojnë ish-krerët e UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë

“Kjo sallë ka mungesa të mëdha sot, janë komandantët e luftës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e të tjerë të cilët janë të akuzuar në Hagë, por sot duhet të përsërisim se lufta e UÇK-së është faqe lavdie në historinë e kombit dhe njerëzit që i dalin zot atdheut të tyre janë heronj dhe jo kriminelë lufte. Ne sot pushojmë së qeni politikanë të krahëve të njëjtë a të kundër politik dhe bashkërisht mbrojmë luftën dhe heronjtë tanë nga çdo sulm dhe përbaltje. Nuk mund të humbim në paqe atë që fituam në luftë dhe Kosova dhe beteja e saj për liri janë fitore tona të jashtëzakonshme në mijëvjeçarin e ri”, tha ajo.

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë në rrugën e saj evropiane.

Tahiri: Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë në të gjitha aspektet

“Përderisa shteti shqiptar e feston 110 vjetorin Kosovës i kam betë edhe një copë rrugë që duhet ta shtyjë përpara. Në këtë copë rrugë që nuk është e lehtë sepse e kemi një armik të vështirë, një armik që ka pretendime kundër vendit tonë, e kemi nevojën për mbështetjen e këtij kuvendit dhe kësaj qeverie në të gjitha aspektet, duke nisur nga aspirata jonë për të qenë vend anëtar në NATO, aty ku na takon, kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian, anëtar në Këshillin e Evropës, që po na ndihmoni shumë delegacioni i Shqipërisë, e mbi të gjitha me qenë si vllau me vlla në kohë të vështira”, tha Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat