Nuk donim t’i kishim dy ushtri, dy kuvende, dy qeveri, dy presidentë...

Aktuale

Nuk donim t’i kishim dy ushtri, dy kuvende, dy qeveri, dy presidentë...

Nga: Idriz Morina Më: 28 nëntor 2022 Në ora: 14:16

Një festë gati 600 vjeçare nga 28 Nëntori 1443 i Skënderbeut, por një flamur që shkon për në shekullin e shtatë të ekzistencës së tij dhe valimit, si simbol i Derës së Kastriotëve, dhe ribërja e Mbretërisë së Arbërisë, së themeluar në shekullin e 12-të, nëntë shekuj më parë.

Po ashtu shqiponja dykrenore një simbol ilir apo edhe pellazg, i dokumentuar në Iliri që nga shekulli i 6-të para erës sonë, që e bën padiskutueshëm simbolin më të lashtë që e ka një shtet apo një komb në Europë, pra së paku 26 shekullor, gati një mijë vjet para perandorisë Romake të Lindjes (e mbiquajtur më vonë nga studiuesit si Bizanti).

Rifillimi luftërave kundër osmanëve, sllavëve dhe grekëve

Me këtë flamur shqiptarët i rifilluan luftërat për çlirim me organizimin e Rilindjes Kombëtare – Lidhjes së Prizrenit, nga Perandoria osmane dhe njëkohësisht për mbrojtjen e tokave nga pushtuesit e rinjë sllavë dhe grekë.

Image
Shtatorja e kryeheroit Skenderbeu

Me këtë Flamur shqiptarët arritën ta rithemelojnë një shtet shqiptar të pavarur pas 469 vitesh!

Por, shteti shqiptar nuk u shpallë në kufijtë e Shqipërisë së sotme, gjë që duhet të thuhet sa herë. Prandaj, si festa e Flamurit 1443, që është trashëgimi e përbashkët shqiptare, edhe e 28 Nëntorit 1912 është po e përbashkët, sepse shteti i pavarur u shpallë thuaja në kufijtë e plotë etnik.

Pra, me gjithë mungesën e një harte, bazuar në pohimet e shumicës së studiuesve, thuajse është e pakontestueshme se Shqipëria e shpallur në Vlorë, kishte brenda saj Kosovën e sotme me Kosovën Lindore, pjesë shqiptare nën Malin e Zi sot, dhe padyshim Shkupin dhe gjithë Maqedoninë Perëndimore përfshirë Strumicën, si dhe një pjesë shqiptare të Greqisë.

Por, vendimet e fuqive të mëdha të kohës, vendosën që të mbetej Shqipëria në kufijtë zyrtar të sotëm.

Vetëm në mbyllje të njërit prej shekujve më tragjik për shqiptarët, atij të 20-të, ne ia dolëm që të ringrihemi, dhe me ndihmën kësaj here të fuqive kryesore të kohës, të udhëhequra nga SHBA-të, u çlirua Kosova dhe u bë shteti i dytë shqiptar realitet.

Ky shtet i dytë shqiptar nuk mund të përmendet pa ia dhënë meritat e pakontestueshme arkitektit të këtij shteti presidentit Rugova, dhe po ashtu rëndësisë së organizimit ushtarak, dhe figurave jo të pakta të saj, që u dalluan nga ministri Mbrojtjes Ahmet Krasniqi, Sali Çekaj, Adem Jashari, Agim Ramadani dhe heronj të tjerë të flijuar për liri, por edhe ata mijëra të tjerë që luftuan e mbijetuan, me plagë të rënda e të lehta dhe që shpëtuan pa asnjë.

Image
Presidenti historik Ibrahim Rugova

“Flamurin tonë, duhet ta mbrojmë së bashku”

Sot, shqiptarët me dëshirë nuk do të donin të kishin dy ushtri, dy kuvende, dy qeveri, dy presidentë, dy dogana, pra nuk do ta donin asgjë të ndarë në dysh.

Për dallim nga vitet tjera kur flitej për bashkim hapur, si në 100 Vjetorin e Pavarësisë, nga drejtues shteti të Shqipërisë, si presidenti, i ndjerë tanimë, Nishani, kryeministri Sali Berisha, Albin Kurti sa ishte i Vetëvendosjes vetëm, por edhe ish diplomat, historian e politikanë të tjerë, kësaj here kjo retorikë mungon dhe shprehet në një mënyrë krejt tjetër.

Kosova ndodhet para vendimeve të rëndësishme, procesit të vështirë të bisedimeve me Serbinë me ndërmjetësim të BE-së, dhe

Si kemi thënë jo rrallë edhe më parë, e tashmja mbetet të bëhet po aq e ndritur sikurse lavdia në të shkuarën, si në kohën e Akilit heroik në Trojë, paraardhësi i largët i Pirros së madh, që pushtoi dhe theu ushtritë romake, e kohës së artë të Aleksandrit të Madh, që krijoi perandorinë nga më të mëdhatë, nga më të fuqishmet dhe më me ndikim duke e shtrirë në tri kontinente.

Por, akoma edhe më në thellësi të kohës, ne jemi njëri nga popujt trashëgimtarë më unik, të atij populli që mori pjesë në krijimin e madhërishëm të kulturës megalitike, e njohur apo e mbiquajtur shpesh si pellasgjike, mbi themelet e së cilës u krijuan më vonë dy qytetërime madhështore, ai helenistik dhe ai romak.

E në mesjetë ringjallëm madhështinë, të cilën na e nderon edhe sot Evropa, me mbretin Gjergj Kastrioti – Skënderbeun, i cili mundi perandorinë e jashtëzakonshme osmane.

“Flamurin tonë, duhet ta mbrojmë së bashku”, është thirrja thuajse mitike, në çdo kohë dhe në çdo sfidë shqiptare, kudo ndodhen ata. Por, për të ndodhur kjo duhet që të gjithë të luftojmë për të krijuar rrethanat që të jemi një shtet, sikurse duan edhe sot të gjithë shqiptarët në këtë ditë përndritjeje shqiptare!

Shqiptarët duan thjesht një shtet të vetëm dhe njëkohësisht të integruar dhe anëtarësuar në Evropë dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat