​Shqipëria dhe Kosova kremtojnë së bashku 110-vjetorin e Pavarësisë në Kopenhagen

Aktuale

​Shqipëria dhe Kosova kremtojnë së bashku 110-vjetorin e Pavarësisë në Kopenhagen

Më: 28 nëntor 2022 Në ora: 18:09

Ambasada e Shqipërisë dhe Konsullata e Kosovës në Kopenhage, kremtuan së bashku 110-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, Ditën e Flamurit Kombëtar.

Në këtë aktivitetin e organizuar në ambientet e ambasadës shqiptare ku merrnin pjesë bashkatdhetarë dhe miq danezë u hap edhe një ekspozitë me fotografi artistike me pamje të natyrës shqiptare të fotografit e gazetarit të mirënjohur, Arian Mavriqi.

Në fjalën e saj, Ambasadorja Elida Petoshati evokoi episodin historik të 28 Nëntorit, rrugën e mundimshme drejt Pavarësisë, si edhe arritjet e rëndësishme të botës shqiptare në këtë 110 Vjetor.

“Nuk ishte i lehtë rrugëtimi i Ismail Qemalit, as i 40 firmëtarëve të Pavarësisë. Nuk ishte aspak i lehtë as rrugëtimi i Isa Boletinit. Nuk ishte i lehtë as rrugëtimi i qindra e mijërave shqiptarëve të ndritur nëpër botë që e shtruan me luftë, gjak e përpjekje të panumërta Aktin e Madh të Pavarësisë. Shqiptarët e Bukureshtit, ata të Misirit, Stambollit, Amerikës e gjetkë renditen në altarin e nderit të kombit shqiptar sepse përgatitën me patriotizëm të pashoq të ardhmen e Shqipërisë e të kombit tonë. Ata sfiduan robërinë dhe ndërtuan një atdhe shpirtëror larg trojeve kombëtare, atdheun e gërmave shqipe, atë të gjuhës sonë të mrekullueshme, të shkollave, të shtyshkronjave, revistave e botimeve, të farkëtimit të ndërgjegjes kombëtare që ndezën për së largu pishtarin e rezistencës dhe të ngadhënjimit mbi errësirën. Askush prej këtyre heronjve nuk e pati rrugëtimin të lehtë, por pavarësisht pengesave, sakrifica e tyre titanike e drejtoi timonin e Historisë sonë drejt ballkonit të Pavarësisë, në Vlorën e 28 Nëntorit të vitit 1912”, u shpreh ndër të tjera, ambasadorja Petoshati.

Ajo e vlerësoi çeljen e ekspozitës si një simbolikë kuptimplotë për të kremtuar një ditë kaq të veçantë për mbarë kombin shqiptar, ndërsa këto ditë e deri më 30 nëntor në Tiranë e në qytete të ndryshme të vendit po mbahet Java e kulturës Shqipëri-Kosovë.

Referuar ekspozitës, Ambasadorja nënvizoi se “natyra jonë e magjishme nuk është thjesht relievi ynë gjeografik. Natyra shqiptare është relievi ynë historik, relievi shpirtëror e kulturor ku kemi ndërtuar vlerat e lirisë, kemi formësuar dinjitetin e trashëgiminë tonë të pasur, kemi përkundur ëndrrat e aspiratat për të ardhmen, aty ku kemi të gjalla simbolet tona kombëtare. Na takon të gjithëve së bashku ta ruajmë e pasurojmë, në mënyrë të qëndrueshme, për t`ia trashëguar brezave.”

Në përshëndetjen e tij, Drejtuesi i Konsullatës së Republikës së Kosovës, Valdrin Grainca, theksoi rëndësinë e ngjarjes historike të Ditës së Flamurit Kombëtar. Ai u ndal në mënyrë të posaçme në vlerat e ekspozitës së fotografit Arian Mavriqi.

Duke theksuar lidhjen e ngushtë të këtij fotografi me natyrën, nënvizoi si vlerë të shtuar ndjeshmërinë dhe rëndësinë që të gjithë së bashku duhet t`i kushtojmë njohjes dhe ruajtjes së natyrës, mjedisit e zhvillimit të qëndrueshëm të këtij potenciali në të dyja vendet tona.

Fotografi Arian Mavriqi prezantoi punën e tij ndër vite dhe evidentoi elementë të saj, sa profesionale aq edhe patriotike.

Ai bëri me dije se aktualisht është i angazhuar jo vetëm për ngritjen dhe pasurimin e arkivit fotografik, por edhe për shoqërimin e tij me një bazë të dhënash të detajuar mbi emërtime dhe fakte shkencore. Këtë punë, ai po e vijon në bashkëpunim të ngushtë me profesionistët shqiptarë të secilës fushë, për të cilët përcolli vlerësim dhe mirënjohje të thellë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat