Shansi për spastrimin e institucioneve nga agjentët e Beogradit / Nga Kuvendi u largua një agjent i BIA-s!

Aktuale

Shansi për spastrimin e institucioneve nga agjentët e Beogradit / Nga Kuvendi u largua një agjent i BIA-s!

Nga: Idriz Morina Më: 28 nëntor 2022 Në ora: 18:44
Branisllav Nikoliq, i shkarkuar nga Thaçi si pjesëtar i BIA-s serbe, ish-deputet

Nuk është sukses i vogël nëse agjentët e shërbimeve të sigurimit serb reduktohen në çdo institucion.

Braktisja e institucioneve nga serbët e shton nevojën, që të këtë politika shumë më rigoroze, për sa i përket angazhimit të serbëve, por edhe të të tjerëve në institucione të rëndësishme.

Braktisja grupore, pa e shqyrtuar rastin individualisht çdo njëri prej tyre, pra pa menduar se ata mund të kishin pasoja ligjore, por vetëm duke iu bindur një autoriteti të jashtëm, është provë e pakontestueshme, se përtej interesit kolektiv, vendimi është marrë nën ndikimin e hapur të së paku një qendre të vendosjes jashtë Kosovës.

Image
Njësia speciale gjatë operacionit "Brezovica"

Serbia vazhdon me tensionim

Largimi i afër 600 policëve serbë, dëshmon për pabesueshmërinë e tyre ndaj sistemit të sigurisë së ndërtuar në Kosovë.

Një ngjarje e tillë është tepër e rëndë për sistemin, kur ndodhë në një prej shtyllave kryesore të sigurisë, veçmas kur kihet parasysh se policia në Kosovë, deri vonë ishte i vetmi institucion që mbronte ligjin dhe rendin nga institucionet vendore, pasi FSK-ja më parë, dhe TMK-ja gjatë gjithë ekzistencës së saj, kishin misione krejtësisht të kufizuara, kryesisht në emergjencë.

Pra, kjo dëshmon se në institucionin e ndjeshëm kanë hyrë njerëz, që jo vetëm për nga bindja nuk i ndiejnë detyrat institucionale dhe nuk e respektojnë shtetin ligjor, por janë nën urdhrat e drejtpërdrejta të një force të jashtme, pavarësisht që mund të thonë disa se ajo ishte latente.

Në institucione kaq të ndjeshme, në polici, FSK, AKI nuk mund dhe nuk duhet të lejohet të punojnë njerëz me pandjeshmëri shtetërore apo të tillë, që në ballafaqimin e parë, në situatën më të thjeshtë i braktisin, pra ikin nga detyrimet shtetërore.

Në këtë aspekt, pra, shteti, Qeveria dhe Kuvendi, mbase duhet ta përshpejtojnë nxjerrjen e një ligji të ri, që determinon sjelljen, dhe mundësinë, që në institucione të veçanta, nuk mund të pranohen njerëz që mund ta rrezikojnë sigurinë e vendit.

Kjo pa dyshim që ka ndodhur në veri, dhe pavarësisht numrit jo të madh të banorëve, 30-50 mijë, varësisht se kush i jep shifrat, situata atje është fragjile, dhe situata nuk mund të konsiderohet nën kontroll të plotë, ani se në ndihmë kanë ardhur përforcime nga EULEX-i dhe gjithashtu KFOR-i ka rritur vigjilencën.

Pavarësisht që është arritur një lloj marrëveshje për targat ilegale serbe, javën që shkoi, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka vazhduar me akuzat e njëjta ndaj Kosovës, se kinse pushteti këtu po i ‘torturon e persekuton serbët’. Madje ai këto dhe akuzat se KUINT-i po e trajton Kosovën si një krijesë të tij, i ka bërë në Norvegji, në njërin prej vendeve me demokracitë më të konsoliduara.

Pavarësisht që ne e dimë, se ankesat e tilla të bazuara në propagandë, gënjeshtra dhe mashtrime, nuk kanë gjithmonë sukses, ato përveç se duan të krijojnë opinion fshehin edhe vullnetin institucional dhe politik serb për destruktivitet, e shprehur më qartazi me sintagmën “atje po vlon”.

Në fakt, në Kosovë nuk ‘po vlon’ asgjë, përveç mendjeve të Vuçiqit dhe ca serbëve, që janë duke shpresuar në dhunë dhe përgjakje për të shmangur drejtësinë. Por, gjithashtu, duke e pasur mundësinë e kontrollit të tyre, Vuçiqi po dëshmon, se Serbia mund të shkaktojë dhunë, pavarësisht që po hiqet se serbët janë viktima dhe Serbia është e pafuqishme në çdo variant.

Por, megjithatë në këtë situatë ndodhi një spastrim i vogël sado aksidental, nga i cili mund të mësojmë shumë.

Kush ishte Branisllav Nikoliç

Branisllav Nikoliqi ishte deputet deri në vendimin e Listës serbe për braktisjen e Kuvendit dhe institucioneve. Por, tanimë ai dhe të tjerët u zëvendësuan nga 9 nëntë deputetë të Listës serbe dhe një nga një Nismë qytetare.

Nga të gjithë ata të larguar, për Branisllavin ishte e qartë se është agjent i BIA-s në Kuvend, dhe nuk kemi shkruar e kërkuar, që atij duhej t’i merrej mandati.

Branisllavi ka qenë këshilltar i Hashim Thaçit sa ishte president, dhe ky vendosi ta largonte vetëm pasi mediat shkruan se ai ishte një agjent i shërbimit të sigurisë serbe. Më pas sipas detyrës zyrtare, Thaçi e kishte hapur një hetim-verifikimi, dhe e kishte shkarkuar atë.

Por, Branisllavi nuk ishte i panjohur për Presidencën. Ai qe akuzuar nga institucionet e ndjekjes së Kosovës se ka qenë një katër serbët që kërkoheshin se po përpiqeshin të krijonin prova false se kinse në Kosovë ka pasur trafikim të organeve gjatë luftës, një pretendim i hedhur poshtë nga hetimet e prokurorëve amerikan, si Villiamson.

Nikoliq, i kishte shpëtuar arrestimit në vitin 2009, kur mediat i nxorën para kamerave tre agjentë të tjerë, që thuhej se ishin të BIA-s, Milutin Radanoviç (1957) nga Beogradi, Predrag Zheljkoviç (1976) nga Novi-Sadi, dhe Igor Juçinac pjesëtar i Policisë së Kosovës nën dyshimin se u kishin ofruar familjarëve të serbëve të zhdukur nga 20 mijë deri në njëqind mijë euro për të bërë dëshmi të rrejshme kundër UÇK-së.

Image
I arrestuari në rastin “Brezovica”, Bratisllav Nikoliqi me Aleksandër Vuçiqin

Po ashtu Branisllavi, është vëlla me ish-kryetarin e Shtërpcës, Bratisllav Nikoliçin, anëtar i kryesisë së Listës serbe, i arrestuar në rastin “Brezovica”, për shkak të ushtrimit të korrupsionit në shkallë të lartë.

Ndërsa, vendi më lehtë mbase po spastrohet nga agjentët serb të shërbimeve inteligjente të Serbisë, po bëhet gjithnjë e më e pasigurt lufta apo spastrimi i agjentëve shqiptarë të Serbisë, nëpër institucionet e Kosovës.

Nuk ka asnjë dinamikë spastrimi, dhe nuk duket në horizont as një politikë veprimi për spastrim.Ishin vetë krerë agjentësh serb, por edhe agjent të tjerë shqiptarë, që dikur kanë punuara për shërbimet e Beogradit, si dhe shqiptarë që merren me çështje të sigurisë, që e thonë hapur se ka jo pak të infiltruar nga Serbia.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat