Erdhën nga Kamenica për ta vizituar veriun e Mitrovicës, sulmohen katër shqiptarë – Prokuroria dhe spitali japin detaje

Aktuale

Erdhën nga Kamenica për ta vizituar veriun e Mitrovicës, sulmohen katër shqiptarë – Prokuroria dhe spitali japin detaje

Më: 29 nëntor 2022 Në ora: 12:17
Foto ilustrim

Katër shqiptarë janë sulmuar fizikisht të hënën rreth orës 16:40 në sheshin “Car Llazar” në veri të Mitrovicës, ku dy prej tyre janë trajtuar në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës.

Drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, Luljeta Zhubi në një prononcim tregoi se dy nga të lënduarit pas trajtimit mjekësor janë lëshuar për në shtëpi.

“Në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, ndihmë kanë kërkuar vetëm dy persona me lëndime nga rrahja. Lëndimet janë trajtuar nga ekipi kujdestar dhe janë lëshuar për në shtëpi”, ka thënë Zhubi.

Ndërsa, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në veri të Mitrovicës, Valon Preteni tha se janë duke u ndërmarr të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin rastit.

Sipas tij, në këtë rast dyshohet se të dëmtuarit, njëri ka pësuar lëndime të rënda trupore (thyerje e ashtit të hundës), kurse tjetri ka pësuar lëndime të lehta trupore.

“Lidhur me rastin nga policia është njoftuar Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, i cili ka udhëzuar policinë që rasti të hetohet, dhe të ndërmerren të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e këtij rasti, rasti është duke u hetuar nga policia në koordinim me PTH në Mitrovicë. Në këtë rast dyshohet se të dëmtuarit, njëri ka pësuar lëndime të rënda trupore (thyerje e ashtit të hundës), kurse tjetri ka pësuar lëndime të lehta trupore”, ka thënë Preteni.

Po ashtu ai theksoi se të dyshuarit që kanë sulmuar dhe u kanë shkaktuar lëndime të dëmtuarve (viktimave) ende nuk janë identifikuar.

Ndërsa, media mëson se katër shqiptarët e sulmuar janë nga Kamenica dhe në veri të Mitrovicës kanë shkuar për ta vizituar atë pjesë të Kosovës.

“Djemtë kanë thënë se kanë ardhur në Mitrovicë nga Kamenica, pa ndonjë qëllim. Vetëm se me shëtit”, i ka thënë një burim telegrafit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat