Jahjaga e habitur me ftesën për Daçiqin në konferencën për dhunën seksuale

Aktuale

Jahjaga e habitur me ftesën për Daçiqin në konferencën për dhunën seksuale

Më: 29 nëntor 2022 Në ora: 17:07
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka reaguar lidhur me prezencën e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq në Konferencën Ndërkombëtare për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, në Londër.Jahjaga është shprehur e habitur se si ministri serb Daçiq ka siguruar ftesë në këtë konferencë.

“E habitur që Konferenca Ndërkombëtare për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt (Preventing Sexual Violence in Conflict) i ka bërë ftesë dhe i ka dhënë platformë Ivica Daçiqit, zëdhënësit dhe bashkëpunëtorit të Slobodan Millosheviqit, përderisa viktimat e politikave të tij ishin të ulura në audiencë. A ishte ai atje për të pranuar krimet që Serbia i ka kryer në Ballkan dhe për të kërkuar falje për to, apo ishte prezent në cilësinë e ekspertit? Ivica Daçiq ishte pjesë e një regjimi politikë e të cilit ishte përdhunimi i grave kosovare.

Kjo ftesë është në kundërshtim me punën e zellshme përgjatë një dekade që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e ka bërë për të ndihmuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që të tejkalojnë traumat e tyre dhe t’i japin fund këtij krimi të tmerrshëm. Gjatë vizitës së tij në Kosovë në vitin 2016, Lartmadhëria e Tij Mbreti Charles III, takoi të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Mbretëria e Bashkuar është lider global në përpjekjet për ta parandaluar #DhunënSeksualenëKonflikt, dhe Kosova ka gjetur një shtet mik krahas të cilit kërkon drejtësi për të mbijetuarit. Viktimat e dhunës seksuale në konflikt shpresojnë që një ditë do të ballafaqohen me dhunuesit e tyre para një gjykatësi për të vënë drejtësi e jo në konferenca për të diskutuar parandalimin e përdhunimit në konflikt”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat