Plani franko-gjerman - A do ta njoh Serbia shtetin e Kosovës?

Aktuale

Plani franko-gjerman - A do ta njoh Serbia shtetin e Kosovës?

Nga: Nehat Shaqiri Më: 29 nëntor 2022 Në ora: 17:09
Olaf Scholz, Albin Kurti, Emmanuel Macron dhe Aleksander Vuçiq

Kosova dhe Serbia pas arritjës së marrëveshjes për targa në Bruksel, tashmë do të bisedojnë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila duhet të jetë me njohje reciproke.

Tashmë në skenë ka dalë një plan i quajtur franko-gjerman.

Disa thonë se ky plan është evropian por i mbështetur nga Amerikanët.

Megjithatë, deri tani akoma nuk ka njohuri shumë rreth këtij plani.

Në anën tjetër, SHBA dhe BE kanë kërkuar që Asociacioni të krijohet shpejt, duke respektuar marrëveshjen e vitit 2013 për normalizim dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Kurse, kryeministri Kurti tha në Kuvendin e Kosovës se qëndrimi i tij është i njohur

“Një çështje për të cilën jam përgjigjur panumërt herë, nuk kam përgjigje të re, sepse pyetja është e vjetër. Marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe, natyrisht që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese, e cila praktikisht e ka shpallur atë jo kushtetues”, tha ai.

Megjithatë, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij, por Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se disa pika të marrëveshjes nuk janë në harmoni me Kushtetutën.

Ndërsa Kurti gjatë interviste ka shtjelluar më tej se çfarë do të thotë normalizimi sipas këtij plani franko-gjerman dhe çfarë pritet, megjithëse nuk ka detaje zyrtare rreth tij.

“Unë më duhet ta pranoj që marrëdhëniet tona nuk janë normale. Unë mendoj se Kosova ëshë një shtet normal, unë mendoj se Serbia nuk është shtet normal por kjo është çështje e popullit serb. Por në anën tjetër as marrëdhëniet mes nesh nuk janë normale e këtu angazhohem unë dhe normalizimi i marrëdhënieve do të thotë që në fund do të kemi një marrëveshje, pajtim që do të jetë ligjërisht i obligueshëm ndërkombëtar në të cilin në qendër është  njohja e ndërsjellë. Ju e dini që Kosova nuk e njeh Serbinë, Serbia nuk e njeh Kosovën, dhe ne duhet të kemi njohjen e ndërsjellë si fokus e epiqendër të marrëveshjes së ardhshme që sot më duhet ta them ka një afat dhe datë e që është diku pranvera e vitit të ardhshëm”, potencoi Kurti.

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, sot gjatë qëndrimit në Maqedoninë e Veriut tha se rajoni mbetet në agjendën evropiane sikur edhe në pritjet për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës.

“Sa i përket raporteve mes Serbisë dhe Kosovës, mund t’ju them se i gjithë Bashkimi Evropian është i interesuar që sa më shpejt të vijë deri te normalizimi i raporteve mes tyre. Për këtë janë bërë edhe propozime. Gëzohem se propozimi gjermano-francez tani ka arritur sukses dhe ai po pranohet. Kjo mund t’i inkurajojë palët që të vazhdojnë të bashkëpunojnë në këtë sferë”, deklaroi presidenti gjerman.

Plani franko-gjerman, që ka mbështetjen e Parisit dhe Berlinit, thuhet se ka për qëllim normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Së fundmi, Bashkimi Evropian ka nisur t’i referohet këtij plani si “propozim i Brukselit”.

Ekzistenca e një plani të tillë është konfirmuar nga liderët e Kosovës dhe Serbisë dhe në opinion jozyrtarisht ka qarkulluar një dokument për të.

Kosova e ka parë këtë plan si “bazë të mirë” për diskutime të mëtejme në dialogun që zhvillon me Serbinë, me ndërmjetësimin e BE-së, ndërkaq Serbia ka thënë se ky plan nuk është në favor të saj.

Më herët, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar se plani konsiston në atë që Serbia të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përfshirë në Kombet e Bashkuara, në këmbim të përshpejtimit të anëtarësimit të Beogradit në BE.

Në lidhje me këtë çështje, analisti politik, Gani Qarri pohon se, sa i takon dokumentit të ashtuquajtur franko-gjerman që kohët e fundit, nga Borell & Co, ka fillu të citohet si plan evropian, përkundër faktit se me muaj, është përmendur qindra herë, ai për ne ende mbetet "terra incognita" pasi që edhe sot e kësaj dite nuk është bërë transparent edhe zyrtarisht për opinion.

“Madje të ballafaquar me rezultatin e marrëveshjes për targat, më të cilën jo vetëm që nuk u ndaluan, por praktikisht edhe u legalizuan tabelat ilegale KM, duke rifitu serbët e veriut, të "drejtën" edhe për përsëritjen e regjistrimit të automjeteve të tyre me to, përderisa në planin franko-gjerman parashihet formimi i asociacioni kundër kushtetues një etnik serb, por me njohurit e deritanishme, që kemi mbi këtë plan, nuk figuron askund, edhe njohja e pavarësisë së shtetit të Kosovës nga Serbia, jam shumë pesimist dhe nuk shoh asnjë zgjidhje të kënaqshme, që do të përfundonte eventualisht, me njohje reciproke”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, Kosova nuk ka negociator të njëmend e cilësor i cili di dhe është në gjendje, që në ballafaqim me Serbinë okupatore, të kurorëzojë marrëveshje të suksesshme, për vendin tonë.

“Me nxjerrjen e serbëve nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës dhe legalizimin e targave “KM” nga Bislimi, Vuçiqi është forcuar aq shumë në pozicionin e tij parapërgatitës, për fitoren e radhës, sa që edhe në bisedimet që pritet të fillojnë për shqyrtimin e planit franko-gjerman, jo vetëm që nuk pres njohje reciproke, por unë nuk besojë më fare, as në mundësinë e arritjes së një marrëveshje kaq të shpejtë”, shton ai.

Qarri thotë se opozita në Kosovë ka kohë që është vënë publikisht në krah të Vuçiqit.

“Pra, edhe mbështetja e ndërmjetësuesve të BE-së, veçanërisht Lajçakut, që nga fillimi i misionit, ka kërkuar edhe ndryshimin e Kushtetutës së shtetit tonë, Vuçiqi përveç tendencës gjithnjë e më agresive për imponimin edhe të “zajednicës” kundërkushtetuese serbe, si hap paraprijës, për bosnjëzimin, ndarjen e mundësisht edhe shuarjen e tërësishme të shtetësisë së Kosovës, as që do të pranojë një akt të tillë, siç po quhet marrëveshje "gjithëpërfshirëse" me Kosovën, që edhe ashtu, pa njohjen e pavarësisë së shtetit tonë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, nuk ka ndonjë peshë edhe aq të madhe, siç do të donim ne, megjithëqë, nga një elitë e tillë politike që ka vendi, do të krijohen teori, për të na e shitur si e arritur e madhe e ideale dhe marrëveshje e përkryer "për Kosovën"!”, përfundon Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat