Mohimi i Rugovës, i motivuar edhe me vrasjet politike!

Aktuale

Mohimi i Rugovës, i motivuar edhe me vrasjet politike!

Nga: Idriz Morina Më: 29 nëntor 2022 Në ora: 18:32
Liderët e shtetit nuk e përmendën Rugovën në ceremoninë e dy kuvendeve shqiptare në 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Debati euforik i përqendruar në refuzimin e personalitetit të jashtëzakonshëm të Ibrahim Rugovës, nuk është i lidhur thjesht me refuzimin e dalldisë për të qenë të parët. Pra, nuk është thjesht motivi i madhështisë, për të qenë i pari, apo për të larguar nga ‘shtegu’ të gjithë të parët që nuk ju pëlqejnë.

Natyrisht që edhe motivet personale nuk mohohen, sepse bashkëveprojnë drejt një qëllimi në raste të tilla.

Meqenëse si kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, por edhe të tjerë në këtë parti, që vijnë me idol e me ideal tjetër, nuk e kanë problem që t’i kthehen atyre pikëpamjeve, që po për motive të ngjashme, krijuan përplasje aq të mëdha dhe si pasojë, krijuan dhunë politike edhe viktima, pra vrasje. Prandaj, nuk duhet lejuar një rrëshqitje të tillë të vrazhdë e të qëllimshme në komunikimin ndërshqiptarë.

Image
Ibrahim Rugova dhe ish-sekretarja e shtetit Medlin Ollbrajt

Papërgjegjësi institucionale

Ibrahim Rugova, nuk pati fat asnjëherë të kishte pushtet faktik. Por, duke qenë thuajse i pambarimtë në pasjen e pushtetit moral tek shqiptarët, ishte kthyer në pengesë të pakapërcyeshme për ata që planifikonin apo kishin ëndërruar të bëheshin lider. Ndërsa, një grup të tjerësh edhe më keq, nuk kursyen asnjë metodë, përfshirë vrasjet politike, për të arritur qëllimin e vet.

Shumë prej tyre, i thurin rrëfimet e veta, përfshirë ato në media, sikur ne të tjerët të mos kishim ekzistuar në ato kohë, dhe sikur të tjerët, nuk kanë qenë duke jetuar, as duke artikuluar.

Përveç se përgjegjësi institucionale, pra që përfaqësuesit nuk mund të tregojnë histori dhe ngjarje për shtetin, sipas pikëpamjes së tyre, por sipas një artikulimi zyrtar, atëherë ata nuk duhet të shmangin këtë lloj protokolli, aq sa të fshijnë nga vlerësimet themeluesit e shtetit, qoftë edhe duke e shprehur vlerësimin për ta me një fjalor të reduktuar.

Këto dy lloj shtytjesh, kanë pasur edhe një korrelacion të fuqishëm ndërmjet vete, pasi kryesisht gjëllonin nga i njëjti brumë ideologjik e pragmatizëm.

Me heronjtë nën gji të të diktaturës komuniste, por edhe me ata botërorë, duke i shtypur ato ndjesi i bëjnë të godasin kryeheronjtë, figurat më tipike të shqiptarisë, pavarësisht që vet Rugova për të gjallë të tij, u mundua të mos lejonte vënien në pah të asnjë dallimi, ideologjik apo çfarëdo ndërmjet shqiptarëve, dhe të mos i injoronte asnjëherë kundërshtarët, madje edhe kur sulmohej pamëshirshëm.

Por, pavarësisht të gjithave ai ia doli që në zgjedhjet e para të pas luftës t’i fitonte 56% të votave duke mbetur një rekord i patejkalueshëm, veçmas duke pasur parasysh sistemin tonë zgjedhor.

Strategjia e mbrojtjes së njerëzve të krimit politik, ka ndryshuar.

Duket apo tingëllon si një përpjekje e përbashkët, që duke diskredituar apo duke e zhvlerësuar figurën e Rugovës, të synohet të arrihet për diskreditimin e viktimave të dhunës politike, që ishin mbështetës të Rugovës, apo veprimtarë e zyrtarë të LDK-së.

A nuk janë anashkaluar gjithnjë e më shumë, viktimat e vrasjeve politike, familjarët e tyre apo kush po e shtron çështjen e tyre, sa herë që shtrohet mbrojtja e të akuzuarve nga gjykata speciale?

Nuk janë familjet e viktimave ato që mund të ushtrojnë trysni për padrejtësi. Ato nuk mund t’i blejnë prokurorët, gjykatësit apo t’i komprometojnë ata në ndonjë mënyrë!

Nëse nuk është një përpjekje për t'i arsyetuar edhe vrasjet politike, atëherë çfarë është kjo?

Image
Disa nga viktimat e vrasjeve politike

‘Operacioni’ i ri i krimit

Një nga objektivat e këtij ‘operacioni’ të ri është goditja edhe e atyre pak forcave të mbetura të rugovizmit, mbështetës të kauzës për drejtësi për viktimat e dhunës politike, e cila në epiqendër kishte likuidimin politik dhe fizik të Rugovës.

Sulmet diskrete janë shtuar, dhe ato po veprojnë në mënyrë sistematike.

Pjesë e kësaj përpjekje-kurthi ka rënë edhe ndonjë politikan i Listës Guxo, që në opinion u mbështetën në zgjedhje si fraksion i rugovistëve.

Këto deklarime të tyre janë bërë publike, nga lënia nën hije e Rugovës në raport me presidenten Osmani, deri tek mveshja e akuzave për dështime të presidentit Rugova, madje edhe atëherë kur sipas Kornizës Kushtetuese, nuk e kishte asnjë kompetencë të vetme, përveç ndarjes së një dekorate.

Por, kjo përpjekje për një lloj lufte kundër Rugovës, dhe vetë rugovizmit është shkatërrimtare për vetë idenë e ndërtimit të sovranitetit dhe pavarësisë, ruajtjes së identitetit të paasimiluar ne mesin edhe të kulturave të mëdha!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat