​Lajçak: Javën tjetër takime me Kurtin dhe Vuçiqin

Aktuale

​Lajçak: Javën tjetër takime me Kurtin dhe Vuçiqin

Më: 1 dhjetor 2022 Në ora: 21:54
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të qëndrojë për vizitë në Kosovë dhe Serbi.

Lajçak ka thënë se ai do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq për t’u siguruar që të dyja vendet po respektojnë marrëveshjen për targa.

Gjatë këtyre takimeve, sipas Lajçak, temë diskutimi do të jetë edhe hapat e ardhshëm për normalizim të marrëdhënieve sipas planit franko-gjerman.

“Pra, për momentin jemi pozitiv dhe mendojmë se realisht nuk duhet të përballemi me një krizë tjetër në terren por duhet të fokusohemi në normalizim të marrëdhënieve. Për t’u siguruar që po e shfrytëzojmë këtë momentum, po planifikoj që javën tjetër të vizitoj Prishtinën dhe Beogradin, për të takuar kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq për të diskutuar hapat e ardhshëm të normalizimit bazuar në dokumentin që unë e kam paraqitur në muajin shtator, si dhe në komentet që kemi marrë nga Prishtina dhe Beogradi javëve të fundit .Dhe tani po planifikoj të vij javën tjetër për të vazhduar diskutimin tonë bazuar në këtë propozim mbi këto komente dhe për të folur për hapat e ardhshëm dhe më pas të përgatitet takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq i cili do t’i kushtohet plotësisht këtij propozimi dhe procesit të normalizimit. Dhe ne po diskutojmë edhe datat e mundshme të takimit të ardhshëm.”, ka thënë emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajçak ka thënë se ata iu besojnë partnerëve për zbatimin e marrëveshjes për targat por BE-ja po vazhdon ta monitorojë zbatimin e saj.

I dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se me marrëveshjen e fundit të 23 nëntorit, nuk do të ketë më afate kohore por, që palët e përfshira do të fokusohen në planin më të gjerë.

Lajçak në një intervistë në Politiko, u shpreh se me tensionet e krijuara së fundmi, ishte pamundur që palët të fokusoheshin në normalizim të marrëdhënive.

“E para, pesë muajt e fundit kemi punuar me afate, gjithmonë përballemi me një afat i cili rrezikon të ketë pasoja të rënda për stabilitetin dhe sigurinë në terren. Njëherë kishim afat 1 gushtin, më pas 1 shtatorin, 1 nëntorin dhe 21 nëntorin. Kështu që harxhuam shumë kohë dhe energji për t’u siguruar që të ruajmë qetësinë në terren, veçanërisht në Veri të Kosovës. Dhe sigurisht, ishte e pamundur të fokusoheshim në çështje të tjera, veçanërisht në çështjen më të rëndësishme e që është normalizimi i marrëdhënieve”, tha Lajçak.

Sipas të dërguarit të BE-së, marrëveshja e fundit eviton edhe përshkallëzimin e mëtejm të tensioneve.

Ai tha se propozimi franko-gjerman, do të jetë fokusi kryesor në takimet e ardhshme në Bruksel.

“Urgjentisht do të fokusohemi në normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit që ia kam paraqitur kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në shtator me mbështetjen e fuqishme të përfaqësuesve të Gjermanisë dhe Francës. Prandaj kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme”, ka shtuar Lajçak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat