​BE pret që të adresohen rekomandimet për reformën zgjedhore

Aktuale

​BE pret që të adresohen rekomandimet për reformën zgjedhore

Më: 2 dhjetor 2022 Në ora: 15:48
Lukas Mandl

Bashkimi Evropian pret që të adresohen gjitha rekomandimet ndër vite të tyre për reformën zgjedhore në Kosovë, megjithëse deri tash nuk ka pasur përparim në adresimin e tyre nga institucionet përgjegjëse.

Shefi i misionit përcjellës të zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, Lukas Mandl, tha se prej vitit 2013 kur kanë nisur vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, rekomandimet e BE-së për proceset zgjedhore nuk janë zbatuar, për shkak të paqëndrueshmërisë së koalicioneve qeveritare.

“Prej vitit 2013 kemi vëzhguar gjitha zgjedhjet në Kosovë, deri tani nuk ka ndonjë përparim drejt zbatimit të rekomandimeve, kjo për faktin e paqëndrueshmërisë së koalicioneve qeveritare. Në vitin 2022 kemi misionin e parë pasues në Kosovë duket se është moment i duhur që Kosova të merr parasysh rekomandimet e BE-së. Kjo na jep një optimizëm për proceset e ardhshme, duke pasur parasysh se shumica e rekomandimeve ende mbesin jo të adresuara”, tha ai.

Megjithatë,eurodeputeti Mandl, në konferencë për medie të premten, tha se tani është momenti i duhur që Kosova të bëjë hapa përpara.

Ai përmendi disa nga rekomandimet e BE-së për reformën zgjedhore, mes tyre edhe regjistrimi i votuesve nga jashtë vendimit, pastrimi i listave votuese dhe transparenca më e madhe në financimin e partive politike.

“Misioni ka propozuar 23 rekomandime, duke përfshirë gjashtë prioritete. Ato janë të ngjashme me rekomandimet e mëparshme. Ne vazhdojmë t’i kontribuojmë proceseve demokratike në Kosovë, duke ndihmuar në kornizën e përmirësimit të zgjedhjeve. Rekomandimet fokusohen në regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës. Mbikëqyrje efektive të financimit të partive, reklamimet në platformat online. Caktimi i anëtarëve të komisioneve dhe anëtarëve të komisionit të apelit, po ashtu ridizajnimit apo pastrimi i listës së votuese”, shtoi Mandl.

Në anën tjetër, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë. Tomas Szunyog, tha se mirëpresim vullnetin e komisionit at-hoc të formuar në Kuvend për reformën zgjedhore.

“Ne jemi shumë të kënaqur të shohim fillimin e punës dhe përmirësimin e procesit zgjedhor. Dëshirojmë të shohim edhe një reformë si rezultat i këtyre rekomandimeve”, tha ai.

Ai foli edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të vendit, ku tha për shkak të afateve të shkurta kohore nuk janë në gjendje të angazhojnë një mision të plotë të vëzhgimit.

“Ne po diskutojmë dhe monitorojmë ngushtë përgatitjet e këtyre zgjedhjeve. Për shkak të kohës së shkurt të datës së caktuar të zgjedhjeve ne nuk do të jemi në gjendje të angazhojmë një mision të plotë të vëzhgimit për ato zgjedhje. Por sërish, ende jemi në konsultime me KQZ-në dhe autoritete të tjera dhe Brukselin se çfarë do të bëjmë”, theksoi ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat