Serbia po kërcënon me një kryengritje në veri! / Pse heshtin “komandantët”

Aktuale

Serbia po kërcënon me një kryengritje në veri! / Pse heshtin “komandantët”

Nga: Idriz Morina Më: 2 dhjetor 2022 Në ora: 21:02
KFOR-i, NATO-ja janë aty!

Serbia po i fton serbët për një kryengritje. Nuk u mjaftua me problemin që e shkaktoi me bllokimet e rruëgve, vrasjen terroriste të policëve të EULEX-it, sulmit ndaj ushtarëve gjermanë, vrasjen e policëve të Kosovës, vrasjen e mbi civilëve shqiptarë dhe dëbimin e rreth 15 mijë të tjerëve nga veriu, së fundi edhe me targat ilegale, por tani po provokon dhunë të re, madje, të pakufizuar në kohë.

Kjo tashmë po bëhet gjithnjë e më qartë se ajo po aludon në një plan ruso-serb, dhe që ka për qëllim, pushtimin e Kosovës deri në Ibër, atë që e thoshte ditë më parë, Aleksandër Vulin, pak javë para se të zgjidhej në krye të BIA-s, shërbimit inteligjent serb, që është kryesori në kryerjen e krimeve masive ndaj shqiptarëve.

“Serbët në jug të Ibrit janë afër vendimit që të largohen nga të gjitha institucionet dhe serbët e veriut të Kosovës të mos lejojnë askënd të shkojë në veri. Situata është nxehur dhe njerëzit nuk do ta vuajnë më terrorin e Kurtit”, tha Vuçiq.

Për ta realizuar këtë plan-projekt e ka zgjedhur njeriun e duhur në krye të BIA-s, një agjent rus si Vulini.

Image
Vuçiqi dhe Vulini po llogarisin në aleancën me Rusinë

A mund të ndërhyjë Serbia në këtë mënyrë në Kosovë?

A është vërtetë aq e lehtë, që të ndërhyjë Serbia në këtë mënyrë në Kosovë, sa të organizojë nja dy mijë e shumta tre mijë serbë, dhe ata të vendosin se ku mund të kalojnë dhe ku nuk mund të kalojnë shqiptarët?!

Këtë parashtrim të pengimit të lëvizjes së shqiptarëve ia pata bërë para më se një dekade komandantit të asaj kohe të KFOR-it, gjermanit Markus Bentler, në fillim të vitit 2010, se pse meqë KFOR-i e garanton lirinë e lëvizjes nuk ua mundëson shqiptarëve të lëvizin lirshëm edhe në veri, ndërsa serbët këtë mund ta bëjnë gjithandej Kosovës?

Në pamundësi të përgjigjes, dhe revoltës e ndërroi gabimisht temën!

Por, sot, atë përgjigje që e shmangi ai komandant i KFOR-it 12 vite më parë, duhej ta jepte sot, përveç kryeministrit Kurti, presidentes Osmani, edhe komandanti aktual i KFOR-it, e mbase edhe Brukseli, BE-ja dhe NATO-ja!

Nuk po kërcënon dhe nuk po flet presidenti i Serbisë, vetëm për shkeljen e integritetit të Kosovës, sovranitetit të shtetit tonë, por edhe për misionin e NATO-s dhe të BE-së në Kosovë, veçmas pasi kjo e fundit po ndërmjetëson në bisedime.

Një retorikë e tillë, përplot kërcënime, urrejtje, gjuhë kriminale, duhej të goditej, madje ashpër. Sigurisht se ne nuk e kemi këtë mundësi vetë ta bëjmë, përnjëherë, por ngadalë besojmë se do ta bëjmë, pavarësisht se kush do të jetë në pushtet, nëse jo në një të ardhme të afërt, atëherë sigurisht se po, në një kohë jo më të largët se afërsisht dhjetë vjet!

As Vuçiqi dhe asnjë entitet, nuk mund t’ju jap të drejtë serbëve të krijojnë një shtet brenda shtetit. Nëse duan ta bëjnë shqiptarët një kompromis të tillë, jemi të gatshëm ta bëjmë në një territor tjetër, nga Medvegja deri në Nish, apo nga Leposaviçi deri në Treg të ri (Novi Pazar).

Një popullatë autoktone, që ka nderuar dhe nderoi Perëndimin me lindjen, zhvillimin, përhapjen dhe civilizimeve më të fuqishme nga prehistoria, në antikitet dhe në Mesjetë, nuk mund të zhbëhet nëpërmjet vendimeve në tryeza!

Por, është e habitshme, se si edhe pas këtyre deklaratave tepër të rënda, të rrezikshme dhe kërcënuese nga Serbia, hesht pushteti, hesht opozita.

Asnjë fjalë të vetme se thanë “komandantët” që shumë shpesh nga krijimi i Qeverisë së re kanë ditur ta kërcënojnë atë, me të gjitha mënyrat dhe mjetet.

Teksa protestat më në fund i kanë ndalur, ata duket se janë të kënaqur ta shohin një avancim të Serbisë ndaj Kosovës. Mbase këtë e shohin si shans për revansh, për rikthim në pushtet të disa klaneve kriminale.

Por, cila është situata aktuale e bisedimeve?

Nëse deri para pak kohësh ka pasur mundësi të parashtrimit të disa ideve dhe zgjidhjeve, duket se sipas disa diplomatëve perëndimorë nuk ka më shumë kohë, për të biseduar Kosova me Serbinë. Më decidivi është ambasadori i Amerikës në Serbia, Kristofer Hill. Madje sipas tij, nuk mund të pretendohet zgjidhja e asnjë çështje tjetër në bisedime, pa e zgjidhur çështjen e asociacionit apo atë që po e konsiderojnë çështje të pakicës serbe në Kosovë.

“Jini të sigurt se nuk do të ketë marrëveshje të mëtejshme derisa ta zgjidhim këtë çështje”, ka thënë Hill.

Më i butë, por jo shumë, ka qenë Gabriel Eskobar ndërmjetësi amerikan për bisedime. Edhe ai po këmbëngulë, që të krijohet asociacioni ose të ketë zgjidhje sipas modeleve që i ofrojnë disa shtete brenda Bashkimit Europian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat