Çka dëshmon fitorja e shqiptarëve ndaj Serbisë? Flet Milazim Krasniqi, tregon mesazhet nga ndeshja e Zvicrës

Aktuale

Çka dëshmon fitorja e shqiptarëve ndaj Serbisë? Flet Milazim Krasniqi, tregon mesazhet nga ndeshja e Zvicrës

Nga: A.Zh Më: 3 dhjetor 2022 Në ora: 12:59
Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka

Edhe profesori universitar Milazim Krasniqi, ka reaguar për ndeshjen e mbrëmshme, ku Zvicra eliminoi Serbinë nga Kupa e Botës.

Ai ka thënë se Serbia nuk do të mundet kurrë ta zgjidhë me armiqësi problemin me shqiptarët e Kosovës.

Krasniqi ka kërkuar nga Serbia që të pranojë krimet që ka bërë ndaj nesh dhe pastaj mund të fillojë një kapitull i ri marrëdhënieve fqinjësore e miqësore me Kosovën.

Reagimi i Krasniqit në Facebook:

Mesazhet për Serbinë/ Serbia nuk ka mujtë dhe nuk mundet kurrë me e zgjidhë me armiqësi problemin me ne shqiptarët e Kosovës. Mundet me na dëmtue, siç na ka dëmtue, por ne ia kthejmë nga nuk e pret. Ja një ilustrim i vogël: Serbia nisi dëbimin e shqiptarëve nga Kosova në vitet 80 e 90, me synim për serbizimin e saj. Ata shqiptarë që u dëbuan o që shkuan nga halli, në mërgata formuan organizime me të cilat e financuan jetën në Kosovë, gjatë atyre viteve të okupimit klasik (1990-1999), ndërsa pas çlirimit e rindërtuan. Në mërgatë, nga shqiptarë të përndjekur nga Serbia, u formua edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Prej mërgatave erdhën me mijëra luftëtarë. Sot ka ardhë puna deri aty sa djemtë shqiptarë të familjeve mërgimtare shqiptare, siç janë disa nga futbollistët e Zvicrës, po ia nxijnë jetën futbollit serb.

Çka dëshmon kjo? Kjo dëshmon se Serbia duhet ta kuptojë që me armiqësi nuk e qet me ne në krye. Nuk ka pasë sukses as në të kaluarën e largët, kur ne kemi qenë të vetmuar e pa përkrahje. Aq më pak mundet tash, kur njërin shtet e kemi anëtar të NATO-s (Shqipërinë) e tjetrin (Kosovën) e mbron NATO. Pra, Serbia duhet ta pranojë fajin - krimet që ka bërë ndaj nesh, duhet ta pranojë që ka humbur në Kosovë në vitin 1999 më rëndë se sa në vitin 1389 dhe pastaj mund të fillojë një kapitull i ri marrëdhënieve fqinjësore e miqësore me ne. Nëse nuk e bën, do të mbetet peng i shovenizmit të vet dhe fatalizmit të vet. Humbëse, siç ishte edhe mbrëmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat