Marketi pa asnjë produkt serb, fitoi betejën edhe me “Coca Cola”-n

Aktuale

Marketi pa asnjë produkt serb, fitoi betejën edhe me “Coca Cola”-n

Më: 3 dhjetor 2022 Në ora: 13:36
Foto ilustrim

“Plus Market” në Ferizaj është nga të rralla markete në vend ku nuk mund të gjeni asnjë produkt “Made in Serbia”. Ky vendim i pronarit Sylejman Neziri i pengoi gjigantit të pijeve Coca Cola me të cilën pati edhe një betejë ligjore.

Kompania “Coca Cola” kishte kërkuar që pijete saj për territorin e Kosovës të importoheshin nga Serbia. Mirëpo, Neziri kishte refuzuar një gjë të tillë. 

Më pas “Coca Cola” iu drejtua gjykatës duke kërkuar caktim të masës së sigurisë ndaj maketit “Plus Market” , për të detyruar Doganën e Kosovës të sekuestrojë dhe shkatërrojë produktet e saj si “Coca Cola”, “Fanta” dhe “Sprite”, që gjenden në tregun e Kosovës me pretendimin se nuk kanë autorizim zyrtar për tregtim.

Vendimi i Coca-Cola-s nuk e stepi Sylejman Nezirin që thotë se sa të jetë gjallë nuk do të tregtojë produkte serbe.

Neziri: Që nga paslufta nuk kam mbajt produkte serbe

VIDEO

“Që nga paslufta nuk kam mbajt produkte serbe... Me qëllimin që çfarëdo që vjen prej armikut nuk kemi çfarë të presim mirë kurrë. Me një fjalë popullore, reciprociteti si të ‘Plus Marketi’, sikur ta kishin bërë të gjitha maketet dhe Qeveritë si e Kosovës dhe Shqipërisë kishte qenë për ne shumë më mirë... Unë kam afër 70 vjet dhe derisa të jem gjallë nuk do të mbaj produkte serbe”, tha Neziri.

Mirëpo, Coca-Cola vendosi që betejën me “Plus Market” të vazhdojë përmes rrugëve ligjore. 

Mirëpo, një ndryshim i ligjit për markat tregtare, i cili ndodhi gjatë muajit korrik të këtij viti, ka mundësuar fitore për Nezirin.

Me ligjin e vjetër para 10 vjetëve, kompanitë nuk kishin opsion tjetër të importit të këtij produkti përveç Serbisë, por tashmë me ligjin e ri, mund të importohen edhe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor me të cilat Kosova ka marrëveshje për tregti të lirë.

Në ligjin e ri është bazuar edhe Gjykata Komerciale, kur ka marrë aktvendim, që të refuzohet si e pabazuar propozimi për masë të sigurisë nga “The Cocacola Company”.

Në lidhje me këtë vendim, avokati i “Plus Market”, Asdren Bytyqi në një intervistë për KosovaPress tha se ky vendim është jashtëzakonisht i rëndësishëm pasi ka krijuar precedent edhe për rastet e tjera. 

Bytyqi: Ky ligj i ri është një vendim i rëndësishëm si precedent për të ardhmen 

“Ky është një vendim i rëndësishëm si precedent për të ardhmen në zbatimin e ligjit të ri të markave tregtare përmes ndryshimeve të cilat janë bërë dhe kanë hyrë në fuqi me datën 17 korrik te vitit 2022, është ndaluar kufizimi i të drejtës së përdorimit apo importit të mallrave edhe nga vendet e tjera në qoftë se ato vende Kosova ka marrëveshje, janë vendet e Ballkanit Perëndimor, ka marrëveshje të tregtisë së lirë apo marrëveshje për lehtësira tregtare apo janë vende të BE-së...  Në rastin tonë çështja ka qenë shumë e rëndësishme për arsyeje se kemi të bëjmë me një konflikt ligjor në mes të kompanisë Coca Cola, dhe përmes këtij ligji dhe këtij vendimi i cili është precedent jo vetëm për këtë produkt por edhe për produkte të tjera të natyrave të ndryshme tashmë nuk mund t’i kufizohet askujt, asnjë kompanie të interesuar që të furnizohet edhe me mallra të njëjta të cilat janë origjinale, mirëpo të cilat janë të plasuara në tregje të vendeve tjera nga i njëjti pronar i markës tregtare”, tha Bytyqi.

Bytyqi tha se përmes kësaj praktike do të dobësohet pozita ekonomike dhe politike e Serbisë.

Bytyqi: Përmes kësaj praktike do të dobësohet pozita ekonomike dhe politike e Serbisë

“Ajo çka është e rëndësishme në këtë rast përveç karakterit të përgjithshëm si precedent orientues për të ardhmen, për rastet e kësaj natyre, sepse ky vendim ende nuk është i formës së prerë, mirëpo është vendim fillestar dhe precendent i rëndësishëm orientimor edhe për raste të tjera është se përmes kësaj praktike do të dobësohet pozita ekonomike dhe politike e Serbisë, sepse tashmë nuk është kusht që patjetër ato produkte të cilat kanë përdorim shumë të madh të popull, sikur në këtë rast pijet e Coca Coles, ndoshta një prej importeve më të mëdha të cilat i kemi nga Serbia, që të merren vetëm nga Serbia, mirëpo kompani të caktuara mund të marrin edhe nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor me të cilat Kosova ka marrëveshje... Kështu, ky është një rast shumë i rëndësishëm dhe një fitore e rëndësishme e ndryshimit politik, përmes ndryshimit të legjislacionit nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës... Përmes këtij ndryshimi do të zgjerohen mundësitë dhe hapësirat që këto produkte të sigurohen nga vende të ndryshme dhe kësisoj të bëhet një lloj baraspeshimi edhe ndërmjet importeve të shteteve të caktuara”, shtoi Bytyqi.

KosovaPress ka tentuar të kontatojë edhe avokatin e kompanisë “Coca Cola”, por i njëjti tha se refuzon të komentojë vendimin gjyqësor, mirëpo shtoi se kanë dorëzuar ankesë në Dhomën e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale te Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat