Prezantohet Buxheti për vitin 2023 para qytetarëve të Komunës së Pejës

Aktuale

Prezantohet Buxheti për vitin 2023 para qytetarëve të Komunës së Pejës

Më: 3 dhjetor 2022 Në ora: 18:46
Foto nga vendi i ngjarjes

Komuna e Pejës ishte qendra e radhës në të cilën Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi prezantuan para qytetarëve buxhetin për vitin e ardhshëm.

Para qytetarëve të pranishëm, kryeministri Kurti u shpreh se me buxhetin e vitit 2023, dhe në përputhje me Programin Qeverisës 2021-2025, do të vazhdojmë mbështetjen për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë e sigurinë. Ai tha se në kuadër të tij parashihet shtimi i vlerave për investime kapitale, mallra dhe shërbime, që arrijnë vlerën 1.3 miliard euro dhe se kjo do të kontribuojë edhe në shtimin e aktivitetit biznesor dhe rritjen e zhvillimit ekonomik.

Buxheti që u dedikohet komunave për vitin 2023 parashihet të jetë rreth 100 milionë euro më shumë se sa sivjet, ndërkaq buxheti për Komunën e Pejës mbi 33 milionë euro.

Përveç 6.6 milionë eurove që janë planifikuar për projekte infrastrukturore në komunën e Pejës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka planifikuar 1.55 milion euro për projekte në këtë komunë, që do t’i shërbejnë sportit dhe rinisë. Gjithashtu janë planifikuar edhe mjetet për finalizimin e Qendrës Nacionale të Xhudos, sport ky që ka qenë kryefjala e sportit vendor tash e 15 vjet dhe në të cilin janë shënuar suksese historike.

Pas fjalës së prezantimit fillestar, kryeministri Kurti së bashku me ministrin Murati dhe ministrin Krasniqi bashkëbiseduan me qytetarët duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre dhe duke dhënë detaje shtesë mbi ndarjet buxhetore dhe projektet për vitin tjetër. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat