Deminohet një granatë dore në Mitrovicë, detajet e fundit pas shpërthimeve të njëpasnjëshme

Aktuale

Deminohet një granatë dore në Mitrovicë, detajet e fundit pas shpërthimeve të njëpasnjëshme

Nga: Bota sot Më: 6 dhjetor 2022 Në ora: 15:29 Përditësuar në ora: 23:05 më 06.12.2022
Pamje nga sulmi në veri të Kosovës

Deminohet një granatë dore në veriun e Mitrovicës

Në Mitrovicën e Veriut është gjetur një granatë dore, e cila pak minuta më parë është deminuar, në objektin e Komisionit Komunal Zgjedhor.

Prezent kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, pasi po monitorojnë situatën në veriun e vendit.

Brenda vendit ku është gjetur granata dore është futur një ushtar i KFOR-it, i cili ka kryer me sukses deminimin e saj.

Aktualisht, gazetarët për shkaqe siguria kanë qenë të detyruar të largohen nga vendngjarja e granatës.

Megjithatë, Policia e Kosovës mbrëmjen e sotme njoftoi se ka pasur shpërthime, demulim dhe shkrepje të armëve në Zubin Potok dhe Mitrovicën e Veriut.

Fatmirësisht, nuk ka pasur ndonjë të lënduar nga këto incidente.

Mbyllet rruga për qarkullim në Mitrovicën e Veriut, ekipet e deminimit në vend të ngjarjes

Sërish ka pasur shpërthime në Mitrovicën e Veriut.

Gazetarja Laura Çelaj e cila ka disa orë që po qëndron në vendin e ngjarjes tha se shpërthimi ka ndodhur shumë afër gazetarëve të cilat po e përcjellin ngjarjen.

Ajo tregoi se tashmë është mbyllur rruga për qarkullim e cila të çon drejt KKZ’së.

Po ashtu, ekipet e deminimit janë në vend të ngjarjes.

Sërish shpërthim në Mitrovicë të Veriut

Sërish ka pasur shpërthime në Mitrovicën e Veriut.

Gazetarja Laura Çelaj e cila ka disa orë që po qëndron në vendin e ngjarjes tha se shpërthimi ka ndodhur shumë afër gazetarëve të cilat po e përcjellin ngjarjen.

Deklarohet sërish Policia, tregon dyshimet për personat që kryen sulmin në veri dhe granatat që përdoren

Nga: A.ZH

Policia e Kosovës i ka reaguar të ashtuquajturës “Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë”, duke thënë se raportimet e tyre për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, janë të pavërteta dhe tendencioze.

Përmes një komunikate për media, Policia ka njoftuar se njësitet policore kanë asistuar zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veriore, me qëllim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore.

Policia ka treguar se dëmtimet në zyret e Komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë Veri janë bërë nga persona (apo grupe të dyshuara), të maskuar, të dhunshëm të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav, përcjell Bota sot.

Njoftimi i plotë i PK-së:

Policia e Kosovës me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik lidhur me zhvillimet e fundit në komunat e veriut të vendit njofton se publikimet e shkrimeve të cilat i referohen deklarimeve nga përfaqësues të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë janë të pavërteta dhe tendencioze, si dhe sqaron për opinionin publik dhe mediat me sa vijon:

Këto deklarime nga zyra serbe kanë për qëllim dëmtimin dhe krijimin e narrativave përmes të cilave atakohet profesionalizmi, legjitimiteti dhe misioni kushtetues i PK-së për rend dhe ligj në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Grupet kriminale duke kryer veprime të kundërligjshme përmes të cilave cenojnë lirinë dhe sigurinë e qytetarëve tentojnë t’ia atribuojnë këto veprime njësive të rregullta të PK-së të cilat janë duke kryer detyrat e tyre me shumë përgjegjësi.

Njësitë policore të rendit publik kanë asistuar zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore.

Të gjitha veprimet policore janë kryer në pajtim me ligjin në ofrimin e asistencës së kërkuar ndaj autoriteteve shtetërore të KQZ-së.

Referuar gjendjes në teren ju njoftojmë se dëmtime të zyrave të komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë Veri janë bërë nga persona/grupe të dyshuar/a të maskuar, të dhunshëm të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav.

Policia e Kosovës dhe KFOR-i (njësitet kompetente për deminim-EOD) janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes, për pastrimin e zonës, përderisa PK-ja është duke punuar me intensitet të lartë për identifikimin e këtyre personave të dyshuar dhe zhvillimin e hetimeve profesionale për sjelljen e kryerësve të këtyre veprave penale para organeve të drejtësisë.

Andaj, sigurojmë të gjithë qytetarët se situata e sigurisë në vend përfshirë edhe komunat në veri të vendit është stabile dhe ftojmë të gjithë qytetarët të jenë të qetë, të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, si dhe mos të bien pre e dezinformimit dhe deklarimeve tendencioze dhe të pavërteta.

Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve të vendit, komuniteteve pa dallim dhe ofrimin e sigurisë së përgjithshme në gjithë territorin e vendit.

Dyshime për bombë brenda objektit të KKZ-së në Mitrovicën e Veriut

Pas EULEX-it, në Mitrovicë të Veriut ka shkuar edhe Policia e Kosovës.

Gazetarja e T7 po qëndron atje dhe raporton se ekipet e policisë janë duke u marrë me një bombë dore që është brenda zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor.

Raportohet Që tashmë objekti i KKZ-së në Mitrovicë të Veriut është rrethuar me shirita.

Sot në veri të Kosovës janë dëgjuar disa shpërthime, çka ka tensionuar situatën atje.

Kujtojmë se serbët në veri nuk kanë lejuar sot që zyrtarët komunal të zgjedhjeve të kryejnë detyrën e tyre lidhur me zgjedhjet lokale që do të mbahen me 18 dhjetor.

Lidhur me situatën në Veri, sot Policia e Kosovës e ka lëshuar një komunikatë.

“Në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor”, thuhej në komunikatë.

Ngjarjet e dhunshme në veri, Policia e Kosovës e EULEX-i bëjnë lëvizjen urgjente

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it kanë shkuar para zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut, pas sulmit që iu bë zyrtarëve dhe objektit në këtë pjesë të vendit.

Zyrtarët policorë tashmë janë duke e vendosur shiritin për skenë krimi.

Atje më herët u gjet një granatë dore e pashpërthyer.

Gjatë ditës, në veri të vendit janë dëgjuar edhe shpërthime e të shtëna me armë, ku dyshohet se këto vijnë pasi zyrtarët e KKZ-së ishin duke i bërë përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen atje.

Alarmon Kusari: Gazetarët në veri janë braktisur nga Policia

Juristja e të të drejtës së mediave, Flutura Kusari, ka deklaruar se është jashtëzakonisht shqetësuese që Policia e Kosovës nuk e ka organizuar një ekip të policëve që të qëndrojë afër gazetarëve të cilët po janë duke raportuar Mitrovica e Veriut.

Ajo tha se gazetarët aktualisht janë pa mbrojtje policore atje.

“Jam ne kontakt me disa gazetare atje, te cilet po e rrezikojne jeten e tyre per te na mbajtur te informuar. Ata jane pa mbrojtje policore, jane te braktisur! Ne situata te tilla, me tensione te ngritura, me shperthime, gazetaret lehtesisht mund te behen target i sulmeve fizike. Keshtu ndodhi para nje kohe ne veri, kur gazetaret u sulmuan gjate raportimit nga atje, sepse policia kishte deshtuar t’i siguronte”, shkroi ajo në Facebook.

Policia mban pergjegjesi per sigurine e gazetareve dhe urgjentisht duhet t’u siguroje nje ekip qe i percjelle ata. Urgjentisht. A ka nevoje ende me e permende faktin qe shteti ka obligim me ofru mbrojtje speciale per gazetaret per shkak te profesionit te tyre?”, përfundoi Kusari.

Ngjarjet në veri, reagon Presidenca e Kosovës

Presidenca ka reaguar pas dyshimeve për shpërthime dhe shkrepje të armëve të zjarrit në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok.

Blerim Vela, shef i stafit të presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia ka nxitur strukturat e saj ilegale për të sulmuar Zyrën Komunale në Mitrovicën e Veriut.

Vela theksoi se ky sulm është fushatë agresive frikësuese kundër serbëve që janë regjistruar për të kandiduar në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 18 dhjetorit.

“Serbia ka nxitur strukturat e saj ilegale për të sulmuar Zyrën Komunale të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut. Ky është një sulm ndaj procesit demokratik dhe sundimit të ligjit, çifteve me fushatë agresive frikësuese kundër serbëve të Kosovës që janë regjistruar për të kandiduar në zgjedhjet në veri të Kosovës”.

Radoniqi: Nuk mund të rrezikojmë zyrtarët zgjedhorë

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se incidentet në veri më 6 dhjetor, dëshmuan se qasja e KQZ-së është e kufizuar në këtë pjesë të vendit.

Ai tha se pret të shohë raportin e sigurisë për procesin zgjedhor të Policisë së Kosovës, duke shtuar se “me zor nuk mbahen zgjedhjet, në këtë formë”.

“Sot kishim planifikuar të shikojmë të vizitojmë zyrat tona, për të parë se a kemi qasje. Çfarë është evidente nga raporti dhe nga çka u pa në media është se është pak problematike të kemi qasje në zyrat tona”, tha ai.

Radoniqi shtoi se më pas raporti i policisë do t’i dërgohet edhe zyrës së presidentes, së bashku me kërkesat e KQZ-së për të ofruar siguri për zyrtarët zgjedhorë, pasi siç tha, nuk mund të rrezikojë jetën e zyrtarëve zgjedhorë.

Megjithatë, ai nuk u pajtua me anëtarët e komisionit, që kërkuan prezencë më të madhe të policisë, duke theksuar se “nëse duam të shkojmë me tërë aparatin policorë, të armatosur deri në dhëmbë, atëherë çfarë zgjedhje duam të organizojmë”.

Disa nga anëtarët e KQZ-së kërkuan që Bashkimi Evropian t'i dërgojnë vërejtje Serbisë, për siç thanë, të "tërheqë grupet" që janë veri.

Ata thanë se zgjedhjet duhet të mbahen ashtu siç janë paraparë, më 18 dhjetor, por zyrtarëve zgjedhorë duhet t'u ofrohet siguri, nga Policia e Kosovës dhe nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Qeveria e Kosovës në lidhje me këto zhvillime, por, deri më tash, nuk mori përgjigje.

Sërish shpërthim në Mitrovicën e Veriut

Sërish ka patur shpërthime në Mitrovicën e Veriut.

Gazetarja, Laura Çelaj në një lidhje direkte në Frontal të T7, tha se ka njerëz që po afrohen në vendin ku ndodhi shpërthimi.

Copa xhamash të thyer u panë në rrugë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat