Hoti: Veprimet e dhunshme në veri, të orkestruara nga Serbia- Institucionet e sigurisë të përgjigjen me kujdes

Aktuale

Hoti: Veprimet e dhunshme në veri, të orkestruara nga Serbia- Institucionet e sigurisë të përgjigjen me kujdes

Nga: M.L. Më: 6 dhjetor 2022 Në ora: 17:01
Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në veri.

Në një postim në Facebook, Hoti ka shkruar se veprimet e dhunshme në veri janë të orkestruara nga Serbia.

“Fatkeqësisht, shumë qytetarë të Kosovës të komunitetit serb vazhdojnë të keqpërdoren nga Serbia për të krijuar tensione në atë pjesë të Kosovës kurdo që i nevojitet Serbisë. Jam i sigurt se ata qytetarët nuk dëshirojnë të jetojnë e t’i rrisin fëmijët në një ambient ku tensionet mund të ngritën kurdo sipas direktivave politike”, ka thënë Hoti.

Ai ka potencuar se institucionet e sigurisë të Kosovës duhet të përgjigjen me kujdes dhe vendosmëri ndaj veprimeve të dhunshme, gjithmonë në koordinim me aleatët që janë të përfshirë në çështjet e sigurisë në Kosovës.

“Dhuna nuk duhet toleruar, as në veri dhe askund tjetër. Por, institucionet e sigurisë të Kosovës duhet të përgjigjen me kujdes dhe vendosmëri ndaj veprimeve të dhunshme, gjithmonë në koordinim me aleatët që janë të përfshirë në çështjet e sigurisë në Kosovës.

Me veprime të koordinuara duhet të parandalohet tensionimi i gjendjes në atë pjesë të vendit, sepse nuk i konvenon shtetit të Kosovës dhe as komunitetit serb në ato komuna. Një gjendje e tensionuar atje i konvenon vetëm Serbisë”, përfundoi ai.

Dy shpërthime u dëgjuan pasditen e së martës në Zubin Potok, ndërsa tri të tjera në Mitrovicë të Veriut - që të dyja komuna të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

Sipas raportimeve të disa mediave serbe, shpërthimet në Zubin Potok ndodhën në kohën kur anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor, nën përcjelljen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, hynë në hapësirat e objektit komunal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat