Rrëfimi i qytetarit nga veriu pasi lëshoi banesën e tij pas shpërthimeve

Aktuale

Rrëfimi i qytetarit nga veriu pasi lëshoi banesën e tij pas shpërthimeve

Më: 7 dhjetor 2022 Në ora: 18:46
Blerim Zhubi

Dje në veri të vendit ka pasur disa shpërthime ndonëse edhe situata e sigurisë kishte eskaluar. Nga situata e pasigurt atje, Blerim Zhubi, qytetar i cili jeton në pjesën veriore të Mitrovicës, është larguar nga banesa e tij.

Ai tregoi më shumë detaje për ndodhinë e djeshme, teksa tha se në momentin e shpërthimeve ai ndodhej në vendin e punës.

“Jemi larguar dje në mesditë, unë punoj në Telekom dhe dje na dhanë disa detyra për të evituar pengesa në Bërnjak, pasi kemi përfunduar një pjesë të punës, Policisë i ka ardhur një lajm që ne duhet të tërhiqemi. Ne në ato momente nuk e kemi ditur se çfarë po ndodhë, por e kemi parë që pati një ndryshim të gjendjes. Përmes rrugës kryesore kemi dalë në rrugë alternative. Mirëpo, nuk na kanë treguar se ka diçka derisa jemi evituar nga rreziku”, deklaroi Zhubi.

Tutje, Zhubi tha se familja e tij ishin të detyruar të largohen nga banesa e tyre pas shpërthimeve në Zubin Potok, teksa ka shtuar se Policia e Kosovës nuk u ka ofruar asnjë ndihmë.

“Brenda një kohe të shkurtë më ka telefonuar bashkëshortja e cila më tha se po dëgjon disa betonime afër banesës dhe më ka pyetur se çfarë të bëjë. Unë i thash bëhu gati të dalësh nga banesa, mirëpo në qoftë se un nuk arrij të vij në kohë, ju vazhdoni të dilni. Ne kemi qenë larg, por deri sa kemi mbërritur në Mitrovicë, bashkëshortja me fëmijë e me nënën kanë dalë nga aty. Para banesës kishte qenë një turmë e madhe me serb. Ka qenë tepër situatë dramatike. Pastaj, kur kanë arritur të dalin mbi Urën e Ibrit, aty kanë qenë disa pjesëtarë të policisë së Kosovës, të cilët i kanë pyetur në qoftë se i ka ngacmuar ndokush, duke mos u ofruar asnjë ndihmë më të vogël”, tregoi ai tutje.

Njëkohësisht, Zhubi potencoi se madje në javët e fundit ka pasur probleme për të shkuar në pronën e tij, e kjo për shkak se Policia e Kosovës e ka ndaluar atë tek Ura e Ibrit.

“Në javët e fundit po kam probleme me shku në pronën time, sepse Policia e Kosovës në mes të Urës së Ibrit më ka ndaluar, ata më kanë thënë se kanë marrë urdhër të mos e lejojnë askënd të kalojnë andej. Ndërsa, një natë i pyeta pse po ndodhë kjo, ata më thanë se një grup i serbëve më herët e kanë sulmuar një shqiptar. I pyeta përsëri se kush janë ata persona, më thanë se nuk i njohin për shkak se bartin maska”, tha Zhubi.

Kujtojmë se dy shpërthime u dëgjuan pasditen e së martës në Zubin Potok – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat