Raportohet për sulm ndaj një ekipi të gazetarëve – kjo është situata aktuale në veri të Kosovës

Aktuale

Raportohet për sulm ndaj një ekipi të gazetarëve – kjo është situata aktuale në veri të Kosovës

Më: 9 dhjetor 2022 Në ora: 09:16 Përditësuar në ora: 10:45 më 09.12.2022
Pjesëtar i Policisë së Kosovës.

BE shprehet e shqetësuar për situatën “shumë serioze” në veri të Kosovës

Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar për tensionet që janë krijuar ditëve të fundit në pjesën veriore të Kosovës, dhe ka thënë se i konsideron këto tensione si rezultat të veprimeve nga të dyja anët.

Kjo është natyrisht shumë serioze dhe është pikërisht rezultat i përshkallëzimit, të cilin po e shohim javëve të fundit. Është po ashtu vërejtje se si veprimet e të dyja anëve çojnë deri te kjo situatë” ka thënë një zyrtar i BE-së në kushte anonimiteti.

“(Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit) EULEX tashmë është duke ndihmuar Policinë e Kosovës, pas dorëheqjeve masive. Italia, për shembull, ka dërguar përforcime para disa javësh. Kemi thënë në prononcimet tona se EULEX-i është reaguesi i dytë i sigurisë që ndihmon Policinë e Kosovës, por ky mision nuk mund të kompensojë 100 për qind hapësirën e zbrazët që është krijuar me largimin e policëve me përkatësi etnike serbe”.

Sipas këtij burimi, EULEX-i është duke bashkëpunuar në terren edhe me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje vazhdimisht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, dhe në përmbushjen e obligimeve të tyre që dalin nga marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësim të BE-së në Bruksel.

Blloku evropian ka thënë po ashtu se palët duhet të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat që çojnë deri te tensionet në Kosovë dhe që të gjitha mospajtimet t’i adresojnë përmes dialogut.

Vuçiq takohet me ministrin e Mbrojtjes dhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi mëngjesin e së premtes se është takuar me ministrin e tij të Brendshëm dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe.

Ai nuk dha ndonjë detaj se për çfarë u diskutua.

Gjatë natës dhe mëngjesit me ministrin e Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Millan Mojsilloviq... Nuk ka dorëzim”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.

Paraprakisht, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia "do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë" në Kosovë.

Në pjesën veriore të Kosovës - e banuar me shumicë serbe - ka pasur disa incidente ditëve të fundit.

Nuk është e qartë nëse në takimin për të cilin njoftoi Vuçiq, u diskutua për zhvillimet në veri të Kosovës.

Ambasadori gjerman: Nuk është situatë e favorshme për zgjedhje

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se situata aktuale në veri të Kosovës “nuk është e favorshme” për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Ai tha se pajtohet me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili, ditë më parë, tha se “nuk ka kushte” për mbajtjen e zgjedhjeve.

Raportohet për situatë të qetë në veri të Kosovës

Një zyrtar i Policisë së Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë në kushte anonimiteti se situata në veri të Kosovës është aktualisht e qetë dhe “nuk ka persona të maskuar në rrugë, të cilët janë parë në orët e mëngjesit”.

Personat e maskuar kanë qenë aty gjatë orëve të natës dhe në mëngjes, por tani janë larguar”, ka thënë ky zyrtar policor.

Aktualisht nuk ka patrulla të policisë në rrugët e Mitrovicës së Veriut, por vetëm në lagjen multi-etnike, Mëhalla e Boshnjakëve.

Polici i plagosur në veri nuk është në rrezik për jetë

Drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, Luljeta Zhubi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se polici i plagosur më 8 dhjetor në veri të Mitrovicës, nuk është në rrezik për jetë.

Ajo ka thënë se zyrtari policor është plagosur në shpatull, dhe tani do të transferohet në Prishtinë për t’iu nënshtruar një intervenimi kirurgjik.

Sipas Policisë së Kosovës, sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit.

Ky institucion ka thënë se njësitë që kanë qenë në detyrë “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM”.

AGK dënon sulmin ndaj një ekipi të gazetarëve në veri

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar të premten sulmin ndaj një ekipi të gazetarëve të mediumit Kallxo.com në veri të Mitrovicës.

Sipas komunikatës për media, ekipi i këtij mediumi është sulmuar nga një grup i maskuar i serbëve, “në afërsi të Shkollës Teknike”.

Kallxo.com ka thënë se dy gazetarët kanë arritur të shpëtojnë pa lëndime fizike dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të zonave tjera të Mitrovicës.

Sipas saj, “sulmuesi ka goditur me grushte makinën ndërsa mjete të forta janë hedhur edhe nga pjesëtarët e grupit”.

AGK ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të kujdeset për të ofruar kushtet e duhura të sigurisë për raportimin e gazetarëve nga kjo pjesë e vendit.

Persona të maskuar sulmojnë dy gazetarë në veri

Ditëve të fundit janë shtuar incidentet në veri të Kosovës, por pa pasoja në njerëz.

Në orët e vona të 8 dhjetorit, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një pjesëtar i saj është lënduar lehtë gjatë një sulmi të armatosur në veri.

Sulmi ka ndodhur pak orë pasi Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e saj në atë pjesë të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se vendimi i policisë për të shtuar praninë e saj në veri, ka për qëllim sigurimin e qytetarëve.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se "Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri dhe se Serbia "do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë" në Kosovë.

Në katër komunat në veri - Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok - pritet të mbahen zgjedhjet lokale më 18 dhjetor. Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kundërshton mbajtjen e tyre.

Përfaqësuesit e saj kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.

Për shkak të incidenteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat