“Jugosllavia, një planet i lirisë” / Edi Rama, tronditë shqiptarët me nënshtrimin ndaj Serbisë

Aktuale

“Jugosllavia, një planet i lirisë” / Edi Rama, tronditë shqiptarët me nënshtrimin ndaj Serbisë

Nga: Idriz Morina Më: 9 dhjetor 2022 Në ora: 16:28
Edi Rama,

Nostalgjinë e tij Edi Rama, për Jugosllavinë komuniste e ka zbuluar hapur në Bruksel, vetëm një ditë pasi, përfundoi Samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor në Tiranë, ku ai vet ishte nikoqir.

Ai nuk mund ta kuptonte në asnjë mënyrë, që në atë samit të mos merrte pjesë Aleksandër Vuçiqi, ndjekësi i politikave të Millosheviçit, kundër Kosovës.

Edhe Vuçiqi, për të marrë më shumë vëmendje shtirej se nuk donte të shkonte, ndërsa nuk i kurseu nga fyerjet më të rënda diplomatët europian dhe ata të Ballkanit Perëndimor, duke u dhënë konotacione shtazore, si ‘diplomat që baglojnë’, një shprehje fyese e padëgjuar kolektive ndaj perëndimorëve.

I nënshtruar ndaj serbëve

Ende pa u ftohur hidhërimi që kishte shkaktuar tek jo pak shqiptarë të Kosovës me përpjekjen e tij të vazhdueshme për mbrojtjen e Serbisë për shkak të mosvënies së sanksioneve, Edi Rama ka provokuar shqiptarët kudo, por edhe Bashkimin Europian, duke e quajtur një organizim më të dobët se sa që e kishte Jugosllavia komuniste, ku shqiptarët e Kosovës shtypeshin, vriteshin dhe dëboheshin.

Por, kësaj here ishte kujdesur, që të na veçonte, pra ta pranonte se ajo Federatë për ne ishte e padëshirueshme. Në fakt për ne, ajo ishte një ngrehinë tmerri. E tillë ishte kur u okupuan prej saj trojet etnike, përfshirë Kosovën, pasi përjetuam gjenocid, nga masakrat më masive, që kanë mundur të njihen, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, dhe për dy dekada pas saj. Mbi 20 mijë shqiptarë të vrarë e të masakruar, mbi 350 mijë të dëbuar për në Turqi, por edhe të ikur në vendet perëndimor.

Me pasuri të konfiskuara, dhe shumë prej tyre, iu dhanë kolonëve serbë. Po ashtu me të drejta elementare të mohuara në vazhdimësi.

Sidoqoftë Rama, e ka shpjeguar, jo vetëm se çfarë ka menduar ai, por edhe e majta politike totalitariste në Shqipëri përgjithësisht, se Jugosllavia i dukej si një “planet i lirisë”, pra një vlerësim, që nuk është dëgjuar kurrë me shumë gjasë në botën demokratike, përveç nëse dikush i ka dhënë komplimente të veçanta.

“Për ne, Jugosllavia, ku jetonin këta djemtë këtu, ishte një planet i lirisë, ishte Bashkimi Europian, më mirë se Bashkimi Europian në disa mënyra, ma ha mendja, përveç vëllezërve dhe motrave tona kosovare”, ka thënë ai në një forum në Bruksel, dy ditë më parë.

Por, krahasimi, duke e mbivendosur, si një “planet lirie”, karshi Bashkimit Europian, jo vetëm flet për mendjemadhësinë e Ramës, arrogancën e tij, por edhe për zhvlerësimin e europianëve karshi ish-Jugosllavisë.

Shkatërrimi përfundimtar

Se Jugosllavia nuk ishte “planet i lirisë”, e ka vërtetuar shkatërrimi përfundimtar i saj. Dhe mbi të gjitha, tri luftëra, të gjitha të karakterizuara nga gjenocidi serb, dhe po ashtu përfundimisht lufta në Kosovë, ku SHBA-ja dhe NATO-ja, ia dhanë leksionin e fundit, të cilin ende si duket se ka mësuar mirë.

Ajo, që sërish ai nuk harroi, ishte të flasë në mbrojtje të Serbisë, bërja e mburojës për serbët, për qëndrimin e saj ndaj Rusisë, për mosvënien e sanksioneve, për të cilën çështje tashmë ka shtete, si Holanda, ku dy parti politike atje po kërkojnë që BE-ja menjëherë të fillojë me sanksione ndaj Beogradit, të ndërpresë procesin e anëtarësimit në BE, t’ia vendosë vizat, t’ia ulë apo ndalojë financimet etj, që të mos lejohet më tej të sillet si deri më tash.

Por, Rama bëri krejtësisht të kundërtën e kësaj, që po përpiqen ta bëjnë holandezët.

“Edhe Serbia është e përfshirë deri tani, jo tërësisht kur vjen fjala për sanksionet, por kur vjen puna për të mbajtur të njëjtën linjë, në Kombet e Bashkuara, në dënimin e agresionit dhe të gjitha këto është mirëfilli pjesë”, ka thënë Rama në fjalën e tij.

Pra, ai nuk ndalet së foluri mirë për Serbinë, duke e bërë të padenjë BE-në ndaj saj. Madje në ligjërimin e tij të çuditshëm, ai duket sikur bën pikërisht çfarë e mëson apo e bind Vuçiqi, se Jugosllavia komuniste paska qenë një model, shumë më i mirë se BE-ja, madje, jo vetëm si një federatë, por duke e lartësuar, si një ‘planet’. Pra, si diçka të pashembullt për botën demokratike, dhe jo vetëm për Kosovën apo vendet e rajonit.

Asnjë fajësim për Serbinë

Fatkeqësisht në Shqipëri, këto deklarime po tërheqin fare pak vëmendjen e opinionit publike, me përjashtim të pak mediave, që reagojnë dhe shkruajnë kryesisht për shkak të një ndjesie pozitive për Kosovën, duke e ditur se si perceptohen qëndrimet e tija këtu. Në fakt, edhe në Kosovë deklarimet e tija nuk është se janë kritikuar masivisht nga mediat, por një numër i madh politikanësh, analistësh etj., kanë shprehur në vazhdimësi qëndrime kritike ndaj tij, dhe duke e kualifikuar në plotëkuptimin e qëndrimeve dhe të sjelljeve të tija.

Sidoqoftë, koha duket se nuk po ecën më në favor të Ramës, as sikurse nuk po ecën më as në favor të Vuçiqit, nëse vërtetë gjërat arrijnë tek rezultati përfundimtar i luftës okupuese të Rusisë në Ukrainë!

Ndërkohë, që pavarësisht se gjërat po shkonin drejt tensionimit, Edi Rama nuk ka reaguar as për rastin e targave dhe as për rastet e derisotshme, ku grupet kriminale serbe, sulmuan anëtarët e komisioneve komunale zgjedhore, dhe mbrëmë plagosën një polic shqiptarë, dhe po ashtu sulmuan edhe mediat. Sulmi më i rrezikshëm deri më tash ishte ai i mbrëmshmi, kur me breshëri zjarri u godit vetura e policisë së Kosovës.

Asnjë fajësim për Serbinë, pavarësisht skenarëve antiKosovë, përfshirjes së Rusisë dhe rrezikimit të jetës dhe ekzistencës së një pjesë të shqiptarëve dhe të një pjese të Kosovës.

Image
Ekrem Neziri, polici i cili u plagos dje nga bandat kriminale të Serbisë në veri
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat