Kurti: Vuçiq shkeli marrëveshjen, dërgoi letra kundër anëtarësimit të Kosovës në BE

Aktuale

Kurti: Vuçiq shkeli marrëveshjen, dërgoi letra kundër anëtarësimit të Kosovës në BE

Më: 26 janar 2023 Në ora: 16:30
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka shkelur edhe marrëveshjen e vitit 2013 për Asociacionin e komunave serbe, pasi vazhdon të pengojë rrugën evropiane të Kosovës.

Kurti ka përmendur letrën që Vuçiq i dërgoi pesë vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, duke kundërshtuar aplikimin e vendit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kurti pas formimit ekonomik Kosovë-Kroaci, është pyetur nga mediat serbe lidhur me asociacioni, ku ka rikujtuar se marrëveshja është nënshkruar më 19 prill 2013 nga ish-kryeministri, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, por se ajo marrëveshje është shkelur nga vetë presidenti i Serbisë, Vuçiq më 10 dhjetor të vitit të kaluar.

“Ju e dini se janë 27 shtete në Bashkimin evropian, por pesë prej tyre nuk e njohin Kosovën, dhe presidenti i Serbisë ka nënshkruar një letër kundër aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin evropian, që është shkelje. Ai e ka shkelë marrëveshjen e tij të preferuar sepse në pikën e katërmbëdhjetë të asaj marrëveshjeje thuhet se Kosova dhe Serbia nuk do t’i krijojnë asnjë pengesë njëra-tjetrës në rrugën e integrimeve evropiane, domethënë ajo marrëveshje, në të cilën thirret Beogradi zyrtar, ajo marrëveshje është shkelur një muaj e gjysmë më parë nga presidenti serb”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk mund të themi se një marrëveshje është më e rëndësishme se të tjerat, pasi të gjitha 33 marrëveshjet janë të barabarta dhe do të trajtohen në negociatat që do të zhvillohen në Bruksel, të cilat në thelb kanë propozimin e fundit të komunitetit evropian, i cili mori mbështetje veçanërisht nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat