Azemi: Qeveria po e trajton sektorin privat si organet e dhunshme në vitet e 90-ta

Aktuale

Azemi: Qeveria po e trajton sektorin privat si organet e dhunshme në vitet e 90-ta

Më: 26 janar 2023 Në ora: 20:09
Jusuf Azemi

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi duke e komentuar vendimin e Qeverisë për ndarjen e një shtese prej 50 euro për sektorin publik, ka thënë se ekzekutivi ka dhënë argumente se është duke i trajtuar punëtorët e sektorit privat ashtu siç janë trajtuar në vitet 90-99.

“Dje me këtë vendim që u morr na ka dhënë argumente të mjaftueshme se Qeveria e Kosovës është duke i trajtuar këta punëtorë ashtu qysh na kanë trajtuar organet e dhunshme që nga viti 1990 – 1999”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, punëtorët e sektorit privat nuk janë dënuar aq shumë për çështje monetare, sa janë dënuar moralisht.

“Punëtorët e sektorit privat të Kosovës tani e tutje nuk do të presin asgjë sepse të bëhet një diferencim i tillë ka ndodhur vetëm në komunizëm atëherë kur njerëzit i thyenin rregullat e partisë komuniste. Nuk presim asgjë, është e dëmshme, e dhimbshme, jo që jemi dënuar aq shumë për çështje monetare, aq sa jemi dënuar në aspektin moral, pasi që punëtorët e sektorit privat punojnë në kushte më të rënda se të sektorit publik. Vendim qesharak, jo njerëzor që të ndahen mjete atyre që i kanë pagat trefish më të mëdha”, përfundoi Azemi.

Me vendim të Qeverisë së Kosovës, nga 50 Euro shtesë në pagë do të vazhdojnë të ndahen për punëtorët e sektorit publik edhe në muajin janar. Kështu mori vendim dje Qeveria në mbledhjen e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat