Helikopterët serbë lëvizin mbi fshatin Smolicë, pushteti serb nuk i lë të qetë shqiptarët e Luginës

Aktuale

Helikopterët serbë lëvizin mbi fshatin Smolicë, pushteti serb nuk i lë të qetë shqiptarët e Luginës

Nga: M.L. Më: 3 shkurt 2023 Në ora: 13:48
Foto nga vendngjarja

Shqiptarët e Luginës së Preshevës po vazhdojnë të mos gjejnë qetësi për ta zhvilluar jetën normalisht, nëpër vendet ku jetojnë.

Pushteti serb atje po përdor mjete të ndryshme për t`i frikësuar.

Kjo situatë po rëndohet edhe më tepër aktualisht, kur po paraqiten propozime të reja për arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi.

Rexhep Xhemaili, banor i fshatit Smolicë të Komunës së Bujanocit, i ka dërguar në adresë të gazetës “Bota sot” dy video, ku shihen helikopterë ushtarakë serbë që lëvizin mbi shtëpitë e tyre.

Nëpërmjet këtyre videove ai thotë se ka dashur t`iu dërgojë mesazh institucioneve të Kosovës për t`iu treguar se ndihen të pasigurt.

Këto zhvillime po ndodhin vetëm një ditë pasi kryeministri Albin Kurti i vendosi 6 kushtet e Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Mes tjerash, Kurti tha se të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

Kushtet e prezantuara nga Kurti, për pranimin e Asociacionit janë:

Asociacioni i komunave i dalë në parim nga marrëveshja e Brukselit Thaçi-Daçiq e 19 prillit 2013, si një mekanizëm i tillë, mund të konsiderohet nga Republika e Kosovës, me këto kushte:

1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit per vetëqeverisje lokale (kreu 5).

3. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, në ndërlidhje me këtë të fundit, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

5. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat