Kurti kërkon bisedime për planin evropian dhe Asociacionin

Aktuale

Kurti kërkon bisedime për planin evropian dhe Asociacionin

Më: 3 shkurt 2023 Në ora: 17:01
Albin Kurti

Duke shpërndarë gjashtë kushtet e Kryeminsitrit Albin Kurti, për ta pranuar formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, këshilltari i tij, Jeton Zulfaj, ka përmbledhur katër pikat e Kurtit rreth Asociacionit dhe propozimit evropian.

Zulfaj ka shkruar se Kurti konsideron se propozimi evropian, i njohur si plani franko-gjerman është “bazë e mirë për diskutimet e mëtutjeshme”. Se Kurti është i gatshëm që të angazhohet intensivisht për një finalizim.

Këshilltari i Kryeministrit thekson thirrjet e Kurtit ndaj ndërmjetësit të dialogut, emisarit evropian Miroslav Lajcak, për organizimin e takimeve të rregullta.

Dhe se, “njohja në qendër” nuk ka lëvizur si kërkesë e Qeverisë për t’i përfshirë në një marrëveshje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Zulfaj, në postimin e njëjtë, i ka bashkëngjitur gjashtë kushtet e Kryeministrit Kurti, të cilat, ai i zbuloi dje në Kuvendin e Kosovës.

Kushti i parë i Kryeministrit është që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

Kushti i dytë i Kurtit është që Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale.

I treti është që “Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit  ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”.

Kushti numër katër i Kryeministrit është që “Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.

I pesti; Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës. Dhe kushti i fundit është që “Presidenti i Serbisë t’i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat