Befason ministrja Haxhiu: Herën e parë u zgjodha deputete sepse e kam emrin me shkronjën “A”

Aktuale

Befason ministrja Haxhiu: Herën e parë u zgjodha deputete sepse e kam emrin me shkronjën “A”

Më: 4 shkurt 2023 Në ora: 07:57
Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u bë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2010, ku u zgjodh menjëherë deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Haxhiu ishte e ftuar të premten në emisionin “LIBERO” dhe diskutoi shumëçka për sa i takon aktivitetit të saj politik.

Meqenëse ajo mori besimin dhe mbështetjen e qytetarëve disa herë për t’u bërë deputete, në pyetjen se çfarë konsideron si armën më të fortë dhe pse mendon se e votuan qytetarët, ajo befasoi me përgjigjen.

“…Hera e parë që kam qenë në listën e Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë në 2010… Nuk mund të them se në mandatin e parë më kanë votuar sepse më kanë njohur dhe besuar, sepse nuk është e vërtetë… Ka pasur disa që më kanë njohur, por që unë mendoj se arsyeja kryesore është sepse Vetëvendosje e ka bërë listën në mënyrë alfabetike dhe A-ja ishte në fillim…”, deklaroi Haxhiu.

Më pas, ajo shtoi se është angazhuar shumë për ta ruajtur besimin dhe mbështetjen e qytetarëve.

“…E kam marrë shumë seriozisht, sepse ka pasur edhe deputetë tjerë të cilët kanë qenë në mandatet e tyre njëherë, por nuk kanë arritur të zgjedhen… Ky është vendimi i popullit… Jam përpjekur maksimalisht që ta përmbushë mandatin tim, të jem aktive dhe t’i përfaqësojë dinjitetshëm interesat e qytetarëve, pastaj konsideroj se në mandatet tjera më kanë besuar, më kanë njohur, prandaj edhe më kanë votuar…”, theksoi ajo.

Kujtojmë se me formimin e Qeverisë Kurti në shkurt të vitit 2020, Haxhiu është emëruar si ministre në Ministrinë e Drejtësisë, të cilën e ka udhëhequr deri në qershor të po atij viti.

Pas një viti, kur Lëvizja Vetëvendosje u rikthye në pushtet, Haxhiu mori sërish në drejtim pozitën e ministres së Drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat