Haxhiu për rastet e dhunës në familje: Së shpejti parashihen dënime plotësuese për dhunuesit

Aktuale

Haxhiu për rastet e dhunës në familje: Së shpejti parashihen dënime plotësuese për dhunuesit

Më: 4 shkurt 2023 Në ora: 08:46
Albulena Haxhiu

Rastet e dhunës në familje, konkretisht ndaj grave në Kosovë, viteve të fundit kanë shënuar rritje.

Në periudhën janar – nëntor të vitit 2022, sipas statistikave të Policisë së Kosovës janë raportuar 2471 raste të dhunës në familje.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu të premten ishte e ftuar në emisionin “LIBERO”, dhe diskutoi sa i përket veprimeve konkrete të qeverisë lidhur me parandalimin e dhunës në familje.

“…Është hera e parë që një qeveri e ka vendosur si prioritet adresimin e dhunës në familje… Të kthehemi pas dhe të kujtojmë se a ka pasur ndonjë ministër që ka folur më shumë për dhunën në familje, madje unë mendoj se asnjëherë nuk kanë folur, sepse kishte një përpjekje që të mos flitet për këtë, për shkak të mentalitetit patriarkal, sepse e kanë konsideruar dhunën në familje si çështje private që ndodhë në mes të bashkëshortëve…”, deklaroi Haxhiu.

Për ta ndryshuar këtë mentalitet, ajo konsideron se duhet një bashkëpunim shumë i madh institucional dhe shoqëror dhe bashkim forcash për të fituar betejën me femicidin.

Haxhiu konsideron se nuk mund ta zhdukim dhunën, por qëllimi i saj (gjatë mandatit) është që ta minimizojë këtë dukuri, dhe theksoi se janë duke punuar që të ketë dënime plotësuese për dhunuesit.

“…Çdo ditë e imja në mandatin e ministres do të jetë në shërbim të adresimit të këtij fenomeni dhe në shërbim të drejtësisë po ashtu, sepse ne hartojmë shumë politika që kanë të bëjnë me adresimin e dhunës në familje, madje së fundi kemi dërguar në Kuvendin e Kosovës disa ndryshime edhe në Kodin Penal, ku parashihen dënime plotësuese për ata që ushtrojnë dhunë fizike edhe seksuale…”, theksoi ajo.

Kujtojmë se Kosova ka Ligjin për mbikëqyrjen elektronike të personave të dyshuar apo të akuzuar për vepra penale i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2015.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se deri në fund të vitit 2023 do të nisë aplikimin e mbikëqyrjes elektronike të të dyshuarve ose të akuzuarve për vepra penale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat