Lajmërohet Adem Salihaj, paralajmëron rrezikun që i kanoset Kosovës me Asociacionin: Tri momente e dëmtuan shtetin

Aktuale

Lajmërohet Adem Salihaj, paralajmëron rrezikun që i kanoset Kosovës me Asociacionin: Tri momente e dëmtuan shtetin

Nga: A.Zh Më: 4 shkurt 2023 Në ora: 09:04
Adem Salihaj

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Adem Salihaj, ka thënë se shtetësia e Kosovës u dëmtua pa masë nga Marrëveshja e Demarkacionit, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe si dhe plani i ndarjes së Kosovës, që sipas tij, ishte përgatitur nga treshja Thaçi-Vuçiq-Rama.

Ish-deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka vlerësuar se gjasat që të realizohet Asociacioni janë shumë të mëdha, përcjell Bota sot.

Sipas tij, nëse formohet Asociacioni, do të ketë tensione të reja, pasi ai do të barrikadohej nga ndikimi i institucioneve të Kosovës dhe më vonë do të ndahej nga Kosova, gjë që do të shkaktonte copëtimin e shtetit.

Për sjelljen e shtetit në këtë pike të rrezikshme, Salihaj nuk ka fajësuar vetëm Hashim Thaçin, Mustafën e Ramush Haradinajn, por edhe deputetët që e votuan Demarkacionin dhe Asociacionin.

Reagimi i plotë i Salihajt, në Facebook:

Janë tri momente kyçe, të cilat e dëmtuan pa masë shtetin e Kosovës, duke e vënë në pyetje edhe vetë ekzistencën e tij:

1. Marrëveshja e Demarkacionit, me të cilën iu dhanë Malit të Zi 8230 hektarë të territorit të Kosovës

2.Asociacioni ose Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe, që në fakt është një republikë serbe brenda Kosovës

3. Plani famëkeq i ndarjes së Kosovës, i cili ishte përgatitur nga treshja Thaçi-Vuçiq-Rama, i cili nuk është realizuar, por as nuk është eliminuar.

Nga këto tri marrëveshje, demarkacioni u realizua plotësisht dhe Kosova i humbi 8230 hektarë të territorit të saj.

Asociacioni është në proces dhe janë shumë gjasa se ai mund të realizohet. Hapi i tretë është ndarja e Kosovës dhe përfundimisht, shkatërrimi i shtetit të posaformuar të Kosovës.

Demarkacioni qe presedani dhe mesazhi se territori i Kosovës mund të copëtohej.

Asociacioni është hapi i dytë - vendosja e kufijve të territorit, i cili konsiderohet territor serb brenda Kosovës. Ky territor fillimisht do të administrohej nga serbët dhe më vonë, duke krijuar tensione të reja, fillimisht do të barrikadohej nga ndikimi i institucioneve të Kosovës, ndërsa më vonë do të ndahej nga Kosova, duke realizuar opsionin e tretë, pra copëtimin e Kosovës.

Fajtorë për këto vendime tepër të rrezikshme dhe të dëmshme për Kosovën nuk janë vetëm Thaçi, Mustafa e Haradinaj, të cilët qenë figurat kryesore, që e sollën Kosovën në këtë situatë. Fajtorë, pashmangshëm janë edhe deputetët, që i votuan Demarkacionin dhe Asociacionin dhe e sollën shtetësinë e Kosovës në pikën më kritike të ekzistencës së tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat