Dyshime për mashtrim me sasinë, ndalohet shitja e vajit “Iskon” nga Serbia

Aktuale

Dyshime për mashtrim me sasinë, ndalohet shitja e vajit “Iskon” nga Serbia

Më: 4 shkurt 2023 Në ora: 14:00
Vaji serb

Inspektorati i Tregut në vazhdën e inspektimeve të intensifikuara ka kryer edhe inspektime lidhur me verifikimin e sasisë dhe peshës së produkteve nëpër operatorët ekonomik në Republikën e Kosovës.

Sipas një njoftimi bëhet e ditur se për të hequr çdo dyshim lidhur me peshën dhe sasinë e produkteve mostrat janë dërguar në laborator për analiza përkatëse, pas të cilave ka rezultuar se një lloj i vajit ushqimor në treg nuk i plotëson kriteret.

Siç merr vesh media nga burimet e saj, bëhet fjalë për vajin “Iskon” që vjen nga Serbia.

“Raporti i verifikimit nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, gjegjësisht laboratori i parapaketimeve ka konstatuar se një vaj ushqimor, i prodhuar në Serbi, nuk e plotëson kriterin e mesatares për sasi siç e parasheh rregullorja 03/2020 për produktet e parapaketuara. Si rrjedhojë Inspektorati i Tregut, si në çdo rast tjetër ka ndërmarrë masa në përputhje me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, respektivisht operatorit ekonomik, importues i këtij vaji, i është ndaluar shitja e këtij produkti dhe tërheqja nga tregu në afat prej 15 ditësh”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim thuhet se Inspektorati i Tregut i Republikës së Kosovës, në vazhdimësi kryen verifikime dhe inspektime në terren me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit e po ashtu do të vazhdojë ta bëjë të njëjtën gjë edhe gjatë ditëve në vazhdim.

“Me këtë rast ftojmë qytetarët-konsumatorë që të jenë të vëmendshëm gjatë blerjeve, dhe për çdo shkelje të të drejtave të konsumatorit, të vazhdojnë të adresojnë ankesat/njoftimet në Inspektoratin e Tregut, përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”, thuhet ndër të tjera në njoftim të Inspektoratit të  Tregut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat