Deklarohet Lajçak pas takimit me Kurtin – jep detajet e fundit

Aktuale

Deklarohet Lajçak pas takimit me Kurtin – jep detajet e fundit

Më: 6 shkurt 2023 Në ora: 06:58 Përditësuar në ora: 15:32 më 06.02.2023
Lajçak

Lajçak për Asociacionin: Gjithçka që është nënshkruar, duhet të zbatohet

I dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se gjithçka që është nënshkruar, duhet të zbatohet, duke iu referuar çështjes së Asociacionit.

Ai, para gazetarëve, tregoi se janë përmendur edhe gjashtë kushtet e parashtruara nga shefi i ekzekutivit.

Lajçak tutje tha se arsyeja e vizitës në Kosovë dhe ajo e takimit me kryeministrin Albin Kurti është çështja e planit evropian.

I pyetur për çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ai tha se tashmë është e ditur se gjithçka që është nënshkruar, duhet të zbatohet.

Janë përmendur edhe kushtet e Kurtit, për ne e rëndësishme është që të bëhen marrëveshje për normalizim të raporteve”, tha Lajçak.

Ai shtoi se sonte vizitën e tij do ta vazhdojë edhe në Beograd.

Kjo është vizita e 10-të që nga shtatori në Kosovë.

​Kurti njofton ambasadorët e akredituar lidhur me 6 pikat për Asociacionin

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi ka pritur sot në ndërtesën e Qeverisë ambasadorët dhe diplomatët e akredituar të misioneve diplomatike në Kosovë.

Sipas komunikatës së Qeverisë, temë qendrore e diskutimit ishte procesi i dialogut, propozimi evropian dhe rruga përpara.

Kryeministri Kurti i njoftoi ata me qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës përfshirë këtu edhe gjashtë pikat e prezantuara në Seancën e Kuvendit, javën e kaluar në lidhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.

Ndër të tjerash, ai tha se Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për dialog përmes qasjes konstruktive dhe propozimeve kreative.

Ai po ashtu shprehu gatishmërinë e tij për takime të radhës në Bruksel të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit të dialogut për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër.

Përfundon takimi mes Kurtit dhe Lajçakut

Ka përfunduar dreka e punës mes kryeministrit Albin Kurti dhe emisarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Drekës iu bashkua edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ndërsa më herët Kurti ka zhvilluar një takim me ambasadorët e shumicës së shteteve prezente në Kosovë.

“Ajo se çka do të diskutohet, do t’ju tregojmë në fund të takimit”, tha Kurti, pas ngjarjes së lansimit të Programit të Punësimit të të Rinjve, gjatë ditës së sotme, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Media raporton se Lajçak ende është brenda në takim me ambasadorin Hovenier. Veturat janë në pritje të tij.

Takimi Kurti – Lajcak, përfshihet edhe Ambasadori amerikan

Në takimin e Kryeministrit Kurti me Emisarin evropian, Miroslav Lajcak, ka shkuar edhe Ambasadori amerikan në Prishtinë.  

Para rreth një ore ka nisur takimi mes Kryeministrit Kurti, që shoqërohet nga zvendësi i tij, Besnik Bislimi dhe Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak.

Në këtë takim, si drekë pune, po merr pjesë edhe diplomati amerikan në në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Ky është një nga takimet e shpeshtuara së fundmi mes Kurtit dhe diplomatëve perëndimorë. Ai po mbahet në një nga restorantet e kryeqytetit.

Zyrtarët e lartë evropianë dhe amerikanë janë angazhuar për ta bindur Kryeministrin Kurti ta pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Përveç Asociacionit, takimet e javëve dhe muajve të fundit kanë pasur temë kryesore propozimin evropian, që në masë njihet si plani franko-gjerman, për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. 

​Nis takimi Kurti-Lajçak

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur takimin me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në takimin që po zhvillohet në periferi të Prishtinës, Kurti do të drekojë me Lajçak, pas kushteve të paraqitura të tij për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Paraprakisht, kreu qeveritar të hënën, priti në takim të gjithë ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

​Kurti takon ambasadorët e akredituar në Prishtinë, niset për takimin me Lajçak

Kryeministri Albin Kurti ka takuar ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe më pas do të ketë edhe një drekë pune me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Kurti është pyetur nëse me këtë të fundit do të diskutojë për Asociacionin e dialogun me Serbinë.

Kryeministri Kurti pas prezantimit të platformës për punësim të të rinjve, theksoi se më pas do të tregojë për atë se çfarë u diskutua.

Kurti: E kemi një drekë punë me emisarin e veçantë, Lajçak

“E kemi një takim tash me gjithë ambasadorët të cilët janë të akredituar këtu në Prishtinë, në Republikën e Kosovës. Por edhe me diplomatë të tjerë të vendeve mike, e kemi një takim në orën 11:00. E më pastaj e kemi edhe një drekë pune me emisarin e veçantë të Bashkimit Evropian për Ballkanin dhe për dialogun Kosovë-Serbi, Lajçak. E më pastaj do të mund të flasim për këto gjëra, pasdite. Do t’iu tregojmë se çfarë temash do të diskutojmë, por gjëja më e mirë që filloi sot është projekti ‘Super puna’, ka thënë Kurti.

Shefi i ekzekutivit është pyetur se a do të prezantojë gjashtë kushtet e tij për Asociacionin, ndërkohë që ai ka përmendur platformën “Super Puna” dhe punësimin e të rinjve.

Kurti: Ata që dalin prej temës së rinisë, mund të flasim edhe për asociacionin e për dialogun

“Ata që dalin prej temës së rinisë, ata që nuk janë bash të rinj, mund të flasim edhe për Asociacionin e për dialogun, e për zotëri Lajçak edhe për zëvendësin tim Bislimi. Por, pasi të kryejmë takimin dhe drekën e punës” , ka shtuar ai.

Nis takimi Kurtit me ambasadorë

Ka nisur takimi i madh dhe i papritur në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe ambasadorëve të shumë shteteve prezente në Kosovë.

Në mesin e ambasadorëve të pranishëm në takim janë ata të Quintit (ShBA, Britani, Francë, Gjermani, Itali), por edhe disa amabasadorë të tjera.

Ky takim po zhvillohet para një dreke pune që pritet ta zhvillojnë shefi i ekzekutivit, Albin Kurti dhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

​Kurti takon ambasadorët e QUINT-it dhe Lajçakun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do të takojë sot ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në një deklaratë për media pas prezantimit të platformës për punësim të të rinjve, Kurti theksoi se do të tregojnë se për çfarë temash do të flasin.

"E kemi tash një takim me gjithë ambasadorët që janë të akredituar këtu në Prishtinë, por edhe me diplomatët e tjerë, e kemi një takim në orën 11:00. E pastaj e kemi edhe një drekë pune me emisarin e veçantë të BE-së për Ballkanin Perëndimor, z. Lajçak e pastaj mund të flasim për këto gjëra. Do të tregojmë se çfarë temash do të diskutojmë", ka thënë shkurt Kurti..

Lajçak sot viziton Kosovën

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, sot do të vizitojë Kosovën.

As këtë herë nuk janë bërë të ditura hollësitë e vizitës, vetëm se ai do të diskutojë me bashkëbiseduesit për hapat e ardhshëm të dialogut, sidomos për avancimin rreth propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve, por edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.

Lajçak e ka vizituar Kosovën 10 ditë më parë, kur ka zhvilluar një darkë pune me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryenegociatorin e Kosovës në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi.

Kohëve të fundit, zyrtarë të ndryshëm të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe kryediplomatin e BE-së, Josep Borell, kanë përshëndetur publikisht qëndrimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për propozimin e BE-së.

Këtë plan të BE-së e përkrahin plotësisht edhe Shtetet e Bashkuara, andaj Kosova dhe Serbia janë ftuar disa herë që jenë konstruktive në qasjen ndaj këtij propozimi.

Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë në fund të verës, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar se kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pritet që të zhvillojnë një drekë pune me emisarin evropian.

“Kryeministri Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin Bislimi priten të zhvillojnë nesër një drekë pune me emisarin Lajcak.” – konfirmoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat