Tahiri: Vizita e Lajçakut është pikërisht në vazhdën e angazhimit për themelimin e Asociacionit

Aktuale

Tahiri: Vizita e Lajçakut është pikërisht në vazhdën e angazhimit për themelimin e Asociacionit

Më: 6 shkurt 2023 Në ora: 12:24
Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, fjalën e tij pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës e nisi duke shprehur ngushëllime për të  gjitha viktimat që humbën jetën si pasojë e një tërmeti që tronditi Turqinë.

Sa i përket çështjes së rendit të ditës për të dy seancat që do të mbahen të mërkurën dhe të enjten, Tahiri thotë se do të zhvillohet debat për një Rezolutë përmes së cilës kërkohet shkarkimi i ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari.

“Do ta kemi një rend dite një nga debatet që e kemi kërkuar tash e një kohë të gjatë, është debati për një Rezolutë që kërkojmë shkarkimin e ministres së tregtisë dhe industrisë, Rozeta Hajdari”.

“Ndërsa sa i përket çështjes së ligjit për ndarje buxhetore që do të flasim për përcaktimin e koeficientit të propozuar nga qeveria, si parti e kemi kundërshtuar këtë koeficient, i cili është koeficient i mjerimit, që nuk i përmbush as për së afërmi nevojat e qytetarëve, një koeficient që do ta demotivojë çdo të ri dhe të re që do t’i bashkohet policisë, ushtrisë, administratës publike e shumë profesioneve të ndryshme”, shtoi ai.

Ai ka përmendur propozimin e PDK-së për një koeficient i cili sipas tij është lehtë i përballueshëm me buxhetin e Qeverisë.

“Mazhoranca do të kthjellet karshi të gjitha atyre kërkesave që kanë ardhur nga shumë sindikata, kërkojmë që të reflektojë dhe ta ngrit koeficientin në së paku 120 euro. Është një gjendje e mjerueshme është në sektorin privat. Kaosin në sektorin privat që e ka shkaktuar kjo qeveri në vitin 2022, mos ta vazhdojë me sektorin publik në vitin 2023”.

Sa i përket planit 6 pikësh, të propozuar nga  kryeministri Kurti, deputeti i PDK-së ka thënë se nuk është temë ky plan, “por është temë ndryshimi i qëndrimit të kryeministrit në mënyrë rrënjësore”.

“Sot kemi një angazhim të ri në dialog, për themelimin e asaj që dje e quanin Zajednica e që ne sot e quajmë Asociacion. Sot kryeministri ka hyrë në një agjendë që  ta themelojë një institucion të tillë. Kurti ka marrë drejtim, mendoj që vetë vizita e Lajçakut është pikërisht në vazhdën e këtij angazhimi për themelimin e Asociacionit”.

“Siç është tërhequr nga kjo pikë mjaft të rëndësishme për themelimin e Asociacionit që deri dje ishte kundër unë besoj që nuk e ka problem që të tërhiqet prej secilës pikë që e ka prezantuar. Nuk e ka problem që të gjitha këto kushte t’i rinegociojë, t’i riformulojë dhe të vjen në një situatë të re”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat