Aleanca për Shqiptarët: Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, mbështesim kushtet e paraqitura nga Kurti

Aktuale

Aleanca për Shqiptarët: Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, mbështesim kushtet e paraqitura nga Kurti

Më: 6 shkurt 2023 Në ora: 13:23
Aleanca për Shqiptarët

Aleanca për Shqiptarët, ka mbështetur kushtet e paraqitura publikisht nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me anë të një njoftimi, Aleanca për Shqiptarët vlerëson se Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik.

“Vlerësojmë se asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të jetë njëetnik dhe se ai duhet të jetë në përputhje të plotë me rendin juridik-kushtetues të Republikës së Kosovës dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 23 dhjetorit 2015”, thuhet në njoftim.

“Çdo zgjidhje që do bazohej në kërkesat shoviniste të Beogradit, do të krijonte precedent të rrezikshëm për stabilitetin rajonal duke rritur apetitet e qarqeve të ndryshme nacionaliste, në një kohë të brishtë për Ballkanin Perëndimor, kur tërë kapitali politik i shumicës së vendeve të rajonit është i fokusuar në shkëputjen nga Rusia dhe ridinamizimin e zgjerimit të BE-së”, vijon njoftimi.

Aleanca për Shqiptarët ka kërkuar mobilizim të shtuar nga partnerët ndërkombëtarë për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe sipas afateve të planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas kësaj partie, pakicat në Republikën e Kosovës gëzojnë të drejta të garantuara sipas standardeve më të larta evropiane, me mekanizma mbrojtëse më të sofistikuara se në çdo vend tjetër të rajonit.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, e ka potencuar përkushtimin e Kosovës që sa më shpejt të arrihet dakordimi final rreth propozimit të BE-së, të mbështetur nga Franca e Gjermania.

Ai ka treguar rrethanat, në të cilat, do të zbatohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat