“Serbia po i mbyll lokacionet e dyshuara për varre masive”

Aktuale

“Serbia po i mbyll lokacionet e dyshuara për varre masive”

Më: 6 shkurt 2023 Në ora: 13:31
Foto ilustrim

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se kanë arritur që vetëm në një lokacion në Serbi të gjurmojnë në lidhje me personat e zhdukur. Sipas Hotit, shteti serb e ka mbyllur atë lokacion për të cilin dyshojnë se ka mbetje mortore.

Këtë e ka bërë të ditur në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.

Hoti tha se në Kosovë nuk ka mbetur vend pa hulumtuar për vendet që ka pasur dyshime për mbetje mortore nga lufta e fundit në Kosovë. Dyshime tha se kanë për territorin e Serbisë, me ç’rast tha se nuk po i lejon shteti serb që të gjurmojnë.

“Nuk ka mbete vend pa u hulumtu dhe gërmuar në territorin e Kosovës. 22 dorëzime i kemi arrit me i bërë familjeve të personave të zhdukur. Kemi krijuar një numër pa pagesë për qytetarët. Si sigurim të informacioneve bashkëpunojmë më ndërkombëtarët, me Kryqin e Kuq Ndërkombëtarë. Ne territorin e Serbisë kemi arrit vetëm në një lokacion. Serbia e ka mbyll këtë lokacion, dhe kemi dyshime që ai lokacion ka mbetje mortore. Ne kemi kërkuar që të qasemi edhe në rajonin e Rashkës edhe Novi Sad. Më shumë se një autobus është dërguar dhe janë vrarë, jemi të bindur se kemi edhe një varrezë të madhe aty”, tha ai.

Hoti tha se Ligji për Persona të Zhdukur është i gatshëm, dhe se është në përfundim, teksa ka thënë se janë në bisedime me Ministrinë e Financave, që në ligj të fusin edhe mundësinë që familjarët e të vrarëve të marrin kompensim.

“Ligji për persona të zhdukur ka shumë vite që është në shqyrtim fatkeqësisht, Ministria e ka rikthy edhe njëherë në Qeveri, dhe ne e kemi hartuar serish. Ne kemi dëgjuar edhe kërkesat nga shoqatat, njëra nga kërkesat është edhe marrja e pensioneve. Ligji për persona të zhdukur nuk i parasheh këto pensione. Nuk parasheh anën financiare, ne jemi në diskutim me Ministrin e Financave, ligjin për persona të zhdukur jemi të gatshëm me e përfundua shumë shpejtë”, tha ai.

E Ahmet Grajqevci, Këshilli Koordinues i Asociacionit  Familjarë për Persona të Zhdukur dhe Krime Lufte në Kosovë, i emocionuar kritikoi qeveritë që kanë lënë pas dore familjarët e të vrarëve dhe të zhdukurve në Kosovë.

Ai tha se ata nuk mund të jetojnë me një pension prej 170 euro, dhe se i njëjti duhet të bëhet 260 euro.

“Këshilli koordinues edhe shoqatat kanë punuar me vetëkontribut. Kur analizoj qeveritë është e turpshme, shoqata kanë punuar sot ne nuk e kemi një gazetë që duhet të ishte 27 prilli. Gjendja familjare është e rëndë unë jetoj vetë me 170 euro të veteranit, dhe si mund të jetosh me 170, si mund të arrij të mbijetojmë jo të jetojmë. Është shkelur çdo e drejtë e familjarëve të vrarëve të zhdukurve. Ne kemi kërkuar 260 euro për familje të të zhdukurve dhe të tjerët. Kjo për familjarin është nënçmim. Ne kemi kërkuar me vite atë ligj dhe ende jemi pa një ligj pa familjarët, as në qeveri nuk arrite  ta bëjnë të kenë mëshirë për këto familje. Ju deputetët dilni në teren dhe shikoni familjet, nëse nuk keni mundësi ju dërgojë me automjet timin, natën mirë nuk do ta bënit po t’i shihni”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat