Hoti: Të mos ketë marrëveshje me Serbinë pa qenë primare çështja e të zhdukurve

Aktuale

Hoti: Të mos ketë marrëveshje me Serbinë pa qenë primare çështja e të zhdukurve

Më: 6 shkurt 2023 Në ora: 16:18
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për personat e Pagjetur, Andin Hoti

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për personat e Pagjetur, Andin Hoti, sot ka deklaruar se nuk duhet të nënshkruhet asnjë marrëveshje finale me Serbinë nëse aty nuk është primare çështje e personave të zhdukur. Sipas tij, tashmë nuk mjafton presioni ndërkombëtar mbi Serbinë, por e njëjta duhet të kushtëzohet me rrugën e saj të integrimit evropian.

Ai ka folur para Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, ku ndër të tjera ka thënë se hapja e arkivave shtetërore të Serbisë do të ndihmonte në zbardhjen e fatit te personave të zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Hoti: S’duhet të arrihet marrëveshja finale me Serbinë pa qenë primare çështja e personave të zhdukur

“Unë nuk mendoj që duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë në anë formë pa qenë primare, pa qenë e trajtuar shumë seriozisht çështja e personave të zhdukur në këtë marrëveshje, unë nuk jam ai që vendosë për marrëveshjen finale, mirëpo sipas mendimit tim nuk do të duhej të arrihej një marrëveshje e tillë finale pa trajtimin e çështjes së personave të zhdukur... nuk mendoj që dikush kish pranu me nënshkrua një marrëveshje finale pa qenë mos të them kryetemë, por pa qenë temë shumë serioze çështja e personave të zhdukur në marrëveshje finale.”, ka thënë Hoti.

Hoti ka deklaruar se Serbia i kërcënon hapur të gjithë ata që duan të japin ndonjë informacion për krimet e kryera.

Hoti: Nuk mjafton presioni ndërkombëtar mbi Serbinë, duhet kushtëzim

“Nuk mjafton më presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë, mendoj që duhet të kalojë në kushtëzim, të faktorit ndërkombëtar ndaj Serbisë dhe kushtëzimi duhet të bëjë me rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, drejt integrimeve evropiane, një gjë të tillë e kam thënë edhe në Bruksel, e kam thënë në çdo takim me palën ndërkombëtare, shpresoj të arrijmë të bindim palën ndërkombëtare që e drejta themelore në radhë të parë e familjarëve për të ditë, në radhë të parë pastaj çështje të tjera, pro nuk kemi arrit ende të bindim që ta kushtëzojë Serbisë, sepse mendoj që është forma e vetme.”, ka thënë Hoti.

Ndërsa, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur ka bërë të ditur se në rastet e riatdhesimeve të mbetjeve mortore nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës, në dokumentacionet ku përfshihet certifikata e ekzaminimit si dhe ajo e identifikimit, mungon shkaku i vdekjes.

Kjo, sipas tij, dëshmon përpjekjet e Serbisë për të shtrembëruar të vërtetën.

Gara: Serbia vazhdon përpjekjet për të shtrembëruar të vërtetën

“Pas ekzaminimit në institutin tonë ekspertët tanë kanë arritur që në shumicën e rasteve të evidentojnë ose përcaktojnë shkakun e vdekjes. Dhe mungesa e shkakut të vdekjes në dokumentet serbe padyshim që është një përpjekje e tyre në vazhdimësi të mohimit apo shtrembërimit të së vërtetës.”, ka thënë Gara.

Në këtë takim është diskutuar edhe çështja e projektligjit të ri për personat zhdukur, për çka Hoti ka thënë se e kanë themeluar një grup punues.

Hoti: Familjarët e peronave të zhdukur kërkojnë të drejtën e pensionit

“Ne e kemi themeluar grupin punues si komision tashmë dhe jemi në fazën ku preket me një pikë një ligj tjetër që është ligji për pensione. Sepse ne kemi dëgjuar edhe kërkesat e shoqatave dhe kërkesat e familjarëve të personave të zhdukur dhe natyrisht njëra prej kërkesave të familjarëve është e drejta e pensionit, ju e dini problemin e pensioneve dhe mohimi i së drejtës me i marr dy pensione, edhe pse unë nuk e konsideroj që quhet pension, kjo është një përkrahje shtetërore që duhet t’u jepet këtyre Ligji për personat e zhdukur nuk i parasheh pensionet, nuk i parasheh benifitet në fakt, as këto të pensioneve, as ato të sigurimeve, sepse ligji për personat e zhdukur rregullon punën e komisionit qeveritar për persona të zhdukur dhe nuk parasheh anën financiare. Ne jemi në diskutim me Ministrinë e Financave që ose ta fusim, nëse një gjë e tillë lejohet ligjërisht, në kuadër të ligjit për persona të zhdukur edhe shqetësimet e ngritura nga shoqatat, ose të hyjmë pako me dy ligjet e tjera, ligjin për pensione dhe ligjin për kategoritë e dala nga lufta dhe të fillohet plotësim ndryshimi i tyre.”, ka thënë Hoti.

Lidhur me këtë, ankesa ka pasur kryetari i Këshillit Koordinues të familjarëve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, Ahmet Grajqevci.

Grajçevci: Që 7 vjet presim për një ligj, asnjë qeveri s’pati mëshirë për familjet e të zhdukurve

“Që shtatë vite ne presim për një ligj për familjarë, herë qeveria Kurti, qeveria Hoti, qeveria Thaçi, asnjë nuk arritën ta bëjnë, të kenë një trohë mëshirë për këto familje. Familjarët me të vërtetë janë në ankth, në pritje për më të dashurit e tyre, edhe po tu japësh miliona nuk do të jenë boll, nuk do të jenë të kënaqur, se jo në kushte ku jetojnë. Unë kisha me kërku që një grup deputetësh në këtë komision dilni në teren vizitoni familjet, sepse i keni kushtet, nëse nuk i keni unë ju dërgoj me veturë time, vizitoni se ku jetojnë dhe si jetojnë, ne të vërtet nuk do ta bëni natën e mirë po t’i shihni.”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se gjendja e familjarëve të personave të zhdukur është e rëndë edhe financiarisht, krahas dhimbjes për më të dashurit e tyre.

Grajçevci: Gjendja e familjarëve të personave të zhdukur është e rëndë

“Gjendja e familjarëve faktikisht është e rëndë, të gjithë ne të dalim, unë jetoj vet me 170 euro pension të veteranit. Ashtu jeton edhe një familjar, si mund t’i shkollojë tre fëmijë ose dy fëmijë me 170 euro, si mund të paguajë rrymën, si mund të mbijetojë, jo të jetojë por të mbijetojë, kjo është e tmerrshme, është shkelur çdo e drejtë e familjarit dhe qoftë të zhdukurve, qoftë të vrarëve qoftë edhe veteranëve të luftës, sepse me 170 euro nuk bëhet jetë, nuk shkollohen fëmijët, nuk mbahet familje. Ne kemi kërkuar që rroga minimale të jetë 260 euro për familjet me të zhdukur, pro pa i dalluar edhe të tjerët, plus të mos preket paga bazë pensioni që u takon me ligj, nëse e merr 170 euro nuk do ta marrësh pensionin, kjo është për familjarët nënçmim. Ai familjari nga dhimbja thotë nuk po i marrë 240, por po i marr të djalit tim, llogarite deri ku shtyhet familjari dhe si përdoret politika me familjarin.”, ka thënë ai.

Ndryshe, në Kosovë, nga lufta e fundit, ende janë të pagjetur edhe mbi 1600 persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat